Tifozët kroatë mund të shkaktojnë incidente në Shkodër

6 Tetor 2016 - 08:44      

Spektakli i paralajmëruar nga tifozët e Kosovës në Shkodër, ku, të enjten, do të luhet ndeshja eliminatore Kosovë – Kroaci, mund edhe të prishet. Dhe kjo, jo për fajin e tifozëve të Kosovës, që pritet të jenë shumicë në "Loro Boriqi", shkruan sot Koha Ditore.

Mediat kroate kanë raportuar të mërkurën se ka indikacione që tifozët kroatë të Hajdukut të Splitit, të njohur me emrin "Torcida", planifikojnë incidente. Madje, mediat kroate shkruajnë se ata planifikojnë edhe të ndërpresin ndeshjen që do të nisë në orën 20:45.

Në stadiumin e rinovuar në Shkodër do të jenë zyrtarisht 800 tifozë kroatë, por mund të ketë edhe më shumë nëse ata arrijnë të blejnë bileta në të zezën në ditën e ndeshjes.

"Këto nuk janë thashetheme, por informacione që ne i kemi mbledhur nga të disa burime. Pra, kur të kemi konfirmim nga të gjitha anët, ne do t'i dërgojmë në adresë të organizatorëve të ndeshjes. Nuk duam të dalim me detaje, në mënyrë që mos ta vështirësojmë punën e policisë. Nëse secili e kryen punën e vet, atëherë gjithçka do të shkojë në rregull. Ne kemi shitur të gjitha 800 biletat që i kemi pasur në dispozicion. Pra, ne kemi informatë që dikush ka në plan për të bërë trazira. Sa serioze është kjo punë nuk mund ta them, por po punojmë për t'i parandaluar. Bashkëpunimi me policinë është i shkëlqyer, ne do të kemi me vete një numër të madh të policëve civil që do të jenë në Shkodër dhe Finlandë", ka thënë Miroslav Markoviq, shef i sigurisë në Federatën e Futbollit të Kroacisë.

Në fakt, Federata e Futbollit e Kroacisë ka shumë grupe të tifozëve kroat kundër. Një prej tyre është edhe ai i Hajdukut, Torcida, shkruan sot Koha Ditore.
Tifozët kroat janë të shquar për incidente. Kroacia është dënuar së fundi me 100 mijë euro dhe me dy ndeshje si vendase pa tifozë për shkak të incidenteve të tifozëve. Po ashtu, tifozët e saj në ndeshjen me Çekinë në Evropianin 2016 shkaktuan incidente dhe ndërprenë ndeshjen për pak minuta.

Zhvillimi i ndeshjes Kosovë - Kroaci në Shkodër, është parë po ashtu si shqetësim për kroatët, për shkak të afërsisë gjeografike. Shumë tifozë kroatë, që s'mund të përcjellin përfaqësuesen e tyre në Kroaci për shkak të dënimit, mund të shohin Shkodrën si mundësi për të qenë afër saj apo edhe për ta dëmtuar më shumë.

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...