Canës i rezervohet ceremoni përshëndetëse në ndeshjen Shqipëri - Spanjë

28 Shtator 2016 - 09:16      

Më 9 tetor, Lorik Cana edhe zyrtarisht do të përshëndetet nga Kombëtarja e Shqipërisë në futboll. Në fakt lojtari që për shumë vite ishte simbol i "kuqezinjve", tashmë ka njoftuar se është tërhequr nga kombëtarja, por ceremonia përshëndetëse e tij do të mbahet më 9 tetor, kur Shqipëria në Shkodër e pret Spanjën në kuadër të eliminatoreve për botërorin "Rusia 2018".

Gazeta tiranase "Panorama Sport" ka njoftuar se Federata Shqiptare e Futbollit është duke punuar tashmë për organizimin e ceremonisë përshëndetëse për kapitenin shumëvjeçar. Është premtuar një ceremoni speciale përmes së cilës synohet të nderohet kontributi i madh i Canës për imazhin e kombëtares. FSHF-ja nuk ka dhënë detaje për ceremoninë.

Cana 33-vjeçar i ka plot 94 ndeshje për Shqipërinë, gjatë të cilave ka shënuar një gol. Ka debutuar në vitin 2003, ndërsa ndeshjen e fundit e luajti në "Euro 2016" ndaj Rumanisë, në të cilën u aktivizua si zëvendësues. Kualifikimi i Shqipërisë në Evropian ishte edhe realizimi i ëndrrës së Canës që lidhej me kombëtaren. Ishte hera e parë që Shqipëria u paraqit në një ngjarje të madhe futbolli. Pasi realizoi ëndrrën për të luajtur në turne të madh, Cana vendosi të pensionohej nga kombëtarja. Ai mban rekordin për më së shumti paraqitje për Shqipërinë. I dyti në listë është Altin Lala me 80 ndeshje. Prej lojtarëve aktualë më së shumti paraqitje ka Ansi Agolli, 66, që në listë është i dhjeti.

Cana për kombëtaren kohë të gjatë ka luajtur si mesfushor defanziv e më pas në qendër të mbrojtjes. Ai aktualisht është pa skuadër, pasi u nda me Nantesin francez. Ka njoftuar se ka vendosur të pushojë për një kohë. Cana, një prej lojtarëve më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave, ka luajtur për skuadra të mëdha si Paris Saint-Germain e Olympique Marseille në Francë, Sunderland në Angli, Galatasaray në Turqi e Lazio në Itali. Së fundi për një edicion ishte te Nantesi.

Pos kontributit në fushë, vlerësohet lart edhe kontributi i tij në imazhin e kombëtares. Ai ka dhënë kontribut të madh në "hapjen" e kombëtares për lojtarë cilësorë shqiptarë të rritur në Evropë, pa marrë parasysh vendin e tyre të origjinës. Afrimi i këtyre lojtarëve vlerësohet se ka ndikuar që kombëtarja të kualifikohet për herë të parë në një ngjarje të madhe.

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...