Rrugëtimi inspirues i atletes shqiptare me aftësi të kufizuara

9 Shtator 2016 - 18:57      

Historia e Arjola Dedajt është një rrëfim i betejave të përditshme që nga lindja e saj, 35 vjet më parë në Shqipëri.

Në moshën tre vjeçare, Dedaj ishte diagnostikuar me ‘pigmentosa retinitis’, një grup i çrregullimeve të trashëguara që çon në humbjen progresive të shikimit, madje edhe deri në verbëri, me aftësinë që të dallojë lehtësisht vetëm dritën dhe errësirën.

Pas një fëmijërie të vështirë, Dedaj u zhvendos në Itali në një natë të ftohtë dhjetori 1998, shkruan Al Jazeera. Ajo kishte udhëtuar me një varkë të hapur, dhe mund të shihte vetëm yjet.

Dy ditë më parë Dedaj debutoi në lojërat Paralimpike në atletikë duke garuar në 100m T11 në Rio de Janeiro, transmeton Koha.net. Udhëtimi drejt Rios dukej i pamundshëm, veçanërisht pasi Dedaj e quan udhëtimin drejt Italisë “fat” në krahasim me udhëtimet që bëjnë tani refugjatët.

“Dëgjoj për këto histori të këqija dhe i kuptoj dhe simpatizoj sepse është diçka që e kam përjetuar përderisa isha në një varkë të hapur”, thotë Dedaj për Al Jazeera.

“Udhëtimin tonë e konsideroj si me fat pasi nuk përfundoi me tragjedi, siç përfundojnë shumë udhëtime që tani marrin refugjatët. Shoh shumë njerëz që vuajnë dhe që i kanë lënë shtëpitë e tyre për një jetë më të mirë dhe fatkeqësisht disa prej tyre nuk kanë arritur në destinacion, që është shumë e dhimbshme. Të gjithë kemi të drejtën që të jetojmë me dinjitet, dhe mbi të gjitha në mirëqenie”, shprehet atletja shqiptare.

Të jetosh me dinjitet në Shqipëri nuk ishte e lehtë për Dedajn, thotë ajo. Ajo ndihej “keq dhe e diskriminuar”, duke i shtuar kësaj se u rrit me dhimbje vetëm nga mënyra se si e shikonin njerëzit.

Por, në Itali ajo zbuloi një botë të re të mundësive që e drejtuan në klasat e baletit në moshën 20 vjeçare, e ndjekur nga gjashtë kampionate kombëtare në bejsboll për të verbër me ‘Milano Thunder's Five’.

Ajo u bë pjesë e botës së atletikës vetëm katër vite më parë. Tani është medaliste evropiane në sprint dhe në kërcim së gjati. Ajo fitoi dy medalje të argjendta në kërcim së gjati dhe në 100 metra dhe një medalje të bronztë në 400 metra në Euro 2014 në Uells, pasuar nga një medalje të bronztë në kërcim së gjati dhe 200 metra në Kampionatin Evropian Paralimpike në qershor të këtij viti.

Ajo ka thënë se ka njerëz edhe në Itali që janë të pavëmendshëm ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara dhe ndonjëherë më gjykues dhe paksa diskriminues. Por, kam mundësi që të flas me ta dhe iu mundësoj që ta kuptojnë situatën. Fatmirësisht, këtu ka njerëz mendje hapur që bashkëjetojnë me të tjerët në diversitet, për shkak se diversiteti nuk është vetëm të jesh me aftësi të kufizuara, por edhe një numër i karakteristikave te disa njerëz si kultura, gjuha dhe ngjyra e lëkurës”, thotë Dedaj.

Por, më shumë se shikimi dhe diskriminimi nga njerëzit e tjerë sfida më e madhe për Dedajn ishte që ta pranonte gjendjen e saj, dhe kjo e bëri atë personin që është sot.

“Ishte shumë sfiduese që ta pranoja vetveten dhe të isha e aftë që t’iu bëja me dije të tjerëve se aftësia e kufizuar të mos konsiderohet e turpshme”, thotë atletja për Al Jazeera.

Ajo tashmë nuk është një vajzë e turpshme që fshihet prapa syzeve miope e frikësuar. Përmes sportit, Dedaj ka mësuar si të shikojë me sy të rinj.

“Fillova të jem më e pavarur dhe të mësohem me gjendjen time. Nuk frikësohem të bëj ndonjë gjë. E vazhdoj jetën pa ndonjë problem. Të gjithë njerëzit përballen me probleme, por duhet të gjejmë zgjidhjen e duhur që të kalojmë pengesat”, është shprehur Dedaj.

Bota e atletikës jo vetëm që i dha Dedajt një mundësi që dyshuesve t’iu dëshmojë se janë gabim, por e ndihmoi edhe të gjejë dashurinë e saj.

Dedaj dhe Emanuele Di Marino, po ashtu një atlet Paralimpik në T44 i lindur me një shtrembërim në këmbën e majtë. Ata njihen si “La Coppia dei Sogni (Çifti i Ëndrrave)”.

“Në Shqipëri njerëzit më thonë se jam me fat që kam të dashur. Ata mendojnë se një person me aftësi të kufizuara nuk mund të ketë të dashur apo të ketë jetë të bukur. Por, të gjithë kemi të drejtën që të kemi një jetë normale, të dashurojmë dhe të ndjekim pasionin tonë”, shprehet ajo.

 

 

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...