Sheremeti, kosovari i Lojërave Paralimpike

8 Shtator 2016 - 08:55      

Plot 10 mijë e 500 shikues do të përcjellin në arenë përballjen e goalballit në mes të Brazilit dhe Suedisë. Kjo ndeshje luhet të enjten (sot) në ditën e parë të garave të Lojërave Paralimpike "Rio 2016", shkruan Koha Ditore.

Ceremonia hapëse e Lojërave Paralimpike është mbajtur të mërkurën, ndërsa të enjten (sot) nisin garat, që zhvillohen deri më 18 shtator. Lojërat Paralimpike janë versioni i Lojërave Olimpike për sportistët me aftësi të kufizuara. Privilegjin për të luajtur në arenën e mbushur me 10.500 shikues do ta ketë edhe sportisti nga Kosova, Fatmir Sheremeti.

Sheremeti është pjesë e përfaqësueses së Suedisë në goalball, sportit për sportistët që kanë vështirësi në të parë. 33-vjeçari nga fshati Oshlan i Vushtrrisë është ndër lojtarët kryesorë te Suedia. Në një bisedë për gazetën, të mërkurën, Sheremeti ka treguar rrugëtimin e tij që e dërgoi në Rio, në ngjarjen më të madhe paralimpike. Ai nuk mori pjesë në ceremoninë hapëse për të qenë sa më i pushuar për sfidën me Brazilin.

"Ka dhjetë ditë që jemi në Brazil. Kemi pasur një kamp përgatitor dhe tani jemi në Rio për pjesën garuese. Paraqitja në Lojëra Paralimpike është diçka shumë e madhe. Është ngjarje si Lojërat Olimpike dhe na jep shumë kënaqësi. Ndeshjen e parë e kemi nesër në mëngjes dhe tashmë janë shitur të gjitha 10.500 biletat. Brazili është kampion botëror, por pa gjasa nuk jemi as ne", ka thënë Sheremeti të mërkurën.

Suedia është në grupin A me Brazilin, Algjerinë, Kanadanë dhe Gjermanisë. Në Grupin B janë Finlanda, Turqia, SHBA-ja, Kina dhe Lituania. Pas ndeshjeve në grup luhet raundi nokaut. Në Lojërat Paralimpike janë dhjetë përfaqësueset më të mira prej 120 sa morën pjesë në kualifikime në goalball.

"Të gjitha ekipet janë shumë të forta. Kush është kualifikuar për Rio ka gjasa për medalje. Gjasa kemi edhe ne. Goalballi është sport i nivelit të lartë, sport fizik. Për shembull, para garave ne stërvitemi 8 deri në 10 herë në javë. Marrim pjesë në ngjarje të ndryshme, në kampe përgatitore. Por është shumë vështirë të arrihet në nivelin ku ne jemi tani", ka shtuar Sheremeti.

Fatmir Sheremeti është baba i dy djemve dhe një vajze. Bashkëshorten e ka po ashtu nga Kosova. Ai në vitin 1992, në moshën nëntëvjeçare, së bashku me familjen u largua nga Kosova për t'u vendosur në Suedi. Në atë kohë nuk kishte probleme me shikim.

"Në moshën 13-14 vjeçare kam pasur glaukomë dhe shumë shpejt kam humbur të parit. Për dy vjet nga 90 apo 100 %, të parit më ka rënë në rreth 10 për qind. Kur kam qenë shumë i ri jam marrë me futboll dhe tajboks, por pasi humbja e shikimit nuk më lejoi më të merrem me këto sporte, kam nisur me goalball. Pra, në këtë sport jam që nga mosha 15-vjeçare", ka treguar Sheremeti. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...