Mungesa e mjeteve rrezikon shkuarjen e kosovarëve në Kampionatin Evropian

29 Gusht 2016 - 16:34      

Më 1 shtator është paraparë që nëntë automobilistë kosovarë të udhëtojnë për në Ilirska Bistricë të Sllovenisë, për të marrë pjesë në një garë mjaft atraktive, e vlefshme për Kampionatin Evropian.

Mirëpo, shkuarja e automobilistëve është vënë në dyshim, për shkak se Federata e Auto Sportit e Kosovës nuk ka mundësi financiare të mbulojë këtë aktivitet, ndërkohë që mjetet që do të duhej t’i kishte në dispozcion qysh më herët ende nuk janë alokuar nga Departamenti i Sportit i Kosovës.

Kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, është shprehur i zhgënjyer me situatën e krijuar.

“Jam i zhgënjyer me qasjen e Departamentit të Sportit në raport me kryerjen e obligimeve ndaj Federatës sonë. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, tani është koha të marrim këstin e tretë të mjeteve, ndërsa ne e kemi marrë vetëm këstin e parë, derisa tash e dy muaj kemi pasur vetëm premtime boshe”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se, si pasojë e kësaj qasjeje rrezikohet shkuarja në Slloveni: “Në fillim të vitit ne e kemi dorëzuar një plan të aktiviteteve dhe deri tani e kemi realizuar rreth 80 për qind. Mirëpo, tani kemi ardhur në një situatë tejet të palakmueshme dhe pyetja për DSK-në është se, kush duhet të japë përgjegjësi në rast dështimit të pjesëmarrjes sonë në këtë garë. Cila do të ishte përgjigja për automobilistët tanë, të cilët kanë investuar me qindra mijëra euro për përgatitjen e veturave, duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një garë të nivelit shumë të lartë“.

Lidhur me këtë çështje, drejtori i DSK-së, Ibër Alaj, ka thënë se problem qëndron në vonesën e alokimit të buxhetit nga ana e Ministrisë së Financave.

“Është e vërtetë se disa federatave nuk u janë ndarë mjetet e parapara dhe kjo ka ndodhur për shkak të vonesës së alokimit të buxhetit nga Ministria e Financave”, ka theksuar Alaj, i cili i pyetur se kur pritet të bëhet ndarja e këtyre mjeteve, është përgjigjur: “Kjo nuk varet nga ne, prandaj nuk mund të flasim me data, por në momentin që Ministria e Financave e bën alokimin e buxhetit, ne do ta kryejmë punën tonë ndaj federatave, sigurisht edhe ndaj Federatës së Auto Sportit”.

Sipas memorandumit të nënshkruar, Federata e Auto Sportit do të ndihmohet me 61 mijë euro, të cilat do t’i ndahen në katër këste, ndërsa deri tani kjo federatë e ka marrë vetëm këstin e parë prej 15.250 eurosh.

Në garën në Ilirska Bistricë, e cila zhvillohet më 3 e 4 shtator, është paraparë të marrin pjesë: Shkëlzen Lajçi, Përparim Dushi, Bardhyl Canolli, Alban Berisha, Bujar Gola, Arbër Rexhepi, Valdet Kaçandolli dhe Valdet Krasniqi.

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...