6 Gusht 2016 - 23:42
Pritjet e sportdashësve kosovarë për sukses të dy xhudisteve tona janë të mëdha, por trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka është i matur në prag të paraqitjes së dy garueseve tona në Rio, derisa nuk e ka fshehur faktin se në ekipin kosovar ka emocione, por edhe nervozizëm, kjo si pasojë e një lëndimi që ka pësuar Nora Gjakova, por edhe e shortit jo aq të volitshëm për Majlindën, transmeton transmetuesi publik.
“Të them të drejtën Majlinda qysh në xhiron e parë do ta ketë sipas të gjitha gjasave kundërshtare njërën prej bartëseve, që realisht është edhe kundërshtarja më e papërshtatshme. Bëhet fjalë për nënkampionen evropiane, francezen Priscilla Gneto, me të cilën Majlinda është ballafaquar në Kazan në finale. Megjithatë, ne jemi të vetëdijshëm, si unë ashtu edhe Majlinda se kemi ardhur në Lojëra Olimpike dhe këtu nuk ka garues të dobët. Të gjithë janë të përgatitur dhe realisht jemi të vetëdijshëm se lufta e Majlindës për medalje fillon qysh në sfidën e parë. Do të thotë lufta e parë është shumë më rëndësi për Majlindën sepse në rast të fitores, atëherë e pret një rrugëtim më i lehtë deri në gjysmëfinale, ku sipas të gjitha gjasave do të duhej të ndeshej me japonezen Misato Nakamura. Gjithsesi ky është vetëm progonozim dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”, ka theksuar Kuka në një intervistë ekskluzive për RTK-në.
Tutje Kuka ka folur edhe për Norën, e cila fatkeqësisht ka disa probleme të vogla.
“Nora ka pasur fat jashtëzakonisht të madh në short, por lëndimi na bën pak nervozë për arsye se ajo nuk është në 100 përqindshin e saj. Sidoqoftë shpresoj se në kokën e saj do të ketë një ndryshim pozitiv rreth këtij lëndimi dhe ajo do ta tejkalojë vetveten, sepse realisht kundërshtaret që i ka në grup nuk janë në nivelin e saj. Kolumbianen Amaris Yadinis e ka mposhtur në të kaluarën shumë lehtë. Mandej në luftën e dytë do të duhej të ndeshej me rumunen Corina Caprioriu, të cilën e ka mposhtur në Lojërat Evropiane në çerekfinale në Baku. Kemi pak nervozë sidomos sot, por shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Kemi bërë përgatitje të jashtëzakonshme, por tani gjithçka mbetet në duart e garueseve tona. Shpresoj të kemi fat e të shkoj gjithçka siç duhet”, ka thënë Kuka.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...