KTV përcjell nga afër përgatitjet e fundit të Kosovës për në Rio [video]

29 Korrik 2016 - 19:15      

Derisa në mesditë, qetësia mbizotëronte në korridorin e Shtëpisë së Sporteve në Prishtinë, brenda zyrës së Komitetit Olimpik të Kosovës, po bëheshin përgatitjet e fundit para një pasditeje me agjendë të ngjeshur.

Kryetari i Komitetit, Besim Hasani, ishte mjaft i zënë, teksa po koordinohej me ekipin e tij, në ditën kur do të bëhet dorëzimi i flamurit nga Presidenti Hashim Thaçi, te kapitenia e ekipit olimpik të Kosovës për Lojërat Olimpike Rio 2016, Majlinda Kelmendi, raporton KTV.

Ai pati edhe mysafirë, përderisa për shpërndarje të ftesave për këtë ceremoni po përkujdesej edhe legjenda e boksit kosovar, Mehmet Bogujevci.

Gati 20 muaj pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Besim Hasani thotë se sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në Rio, janë të përgatitur në mënyrë solide.

Ndërsa pjesëmarrjen në këto lojëra e ka konsideruar si historike dhe shumë të rëndësishme për imazhin e vendit, veçmas duke ditur se atje, Kosova do të paraqitet me simbole shtetërore.

"Kur do të defilojnë në stadiumin Marakana, sportistët e Kosovës do të vështrohen nga mbi 3 miliardë njerëz dhe nëpërmjet këtyre sportistëve, jo vetëm në defilim, por edhe në bazë të performancës së tyre në bazë të rezultateve të tyre, në bazë të sjelljes së tyre, do të na vëzhgojnë mbi 3 miliardë njerëz dhe ata do ta ndërrojnë paragjykimin që kanë pasur për Kosovën", ka thënë Besim Hasani, Kryetar i KOK-ut.

Por sipas tij, Kosova ka çka t’i tregojë botës, dhe se ata nuk do të mjaftohen vetëm me pjesëmarrje, pasi synim janë edhe medaljet.

"Pritshmëritë tona logjike, edhe të miat personale, edhe të Bordit Ekzekutiv të Federatës Përkatëse, por edhe shumë njohësve, janë që Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova të stolisen edhe me medalje", ka shtuar ai.

Kosova do të paraqitet në Rio me 8 sportistë në 5 disiplina të ndryshme. Dy prej tyre me normë olimpike, që e bën Kosovën njërën nga 50% të shteteve që kanë sportistë me normë olimpike.

Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova do ta përfaqësojnë Kosovën në xhudo, Vijona Kryeziu dhe Musa Hajdari në atletikë, Rita Zeqiri dhe Lum Zhavelli në not, Urata Rama shenjëtari dhe Qëndrim Guri në çiklizëm.

Këtë grup sportistësh, Hasani, i ka quajtur heronj të Kosovës, përderisa u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i mbështesin ata me pasion.

Ndryshe, Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit do të fillojnë më 5 gusht. Grupi i parë i sportistëve të Kosovës do të nisen për Brazil më 1 gusht, ndërsa grupi i dytë më 3 gusht.

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...