Kosova, kjo botë e çudirave

3 Mars 2015 - 09:10 - Flaka Surroi      

... apo rrëfimi për të bukurën, rrenën, demagogjinë dhe cinizmin

Kjo javë më bëri të ndihem si Alisa në botën e çudirave. Ama Made in Kosova.

Pakkush do të ketë mbetur pa e vërejtur se sa të efektshme qenë dy daljet në terren të shefes nepaleze – seç i bindi mirë e mirë njerëzit që të mos e braktisnin Kosovën. Prandaj këtë javë mungoi qarkullimi i veturave të zeza nëpër lagjet e Prishtinës – sepse më nuk pati nevojë. Prej Serbisë na lajmëruan që numri i atyre që po e kalonin ilegalisht kufirin me Hungarinë ishte minimal. Kishte qenë aq bindës qëndrimi i Jahjagës, sa edhe autoritetet serbe u solidarizuan me të dhe vendosën ta ndalnin zbrazjen e Kosovës nga të dëshpëruarit. Me gjasë që bindjen do t’ua kenë forcuar gjermanët dhe ca të tjerë që kanë fuqi në Evropë, falë një rikujtimi të vockël që ka të bëjë me kontrollin e rreptë të kufijve. Porse tash, mentorët e kryetares do të kenë edhe një arsye për t’u krenuar me të dhe me lidershipin e saj.

Çudia 1 – e bukura

E për krenari, kalimi nga e diela në të hënën bëri që të ndiheshim mirë së paku për nja katër- pesë minuta sa zgjati paraqitja skenike e Rita Orës në ceremoninë e “Oskarëve”. Interpretimi dhe dukja e bukur e saj bëri që të vlonin rrjetet sociale dhe mediumet – më në fund një fytyrë simpatike e lindur në Kosovë, paraqitej para gjithë atij auditori dhe përcillej nga shumë miliona shikues në të gjithë botën. Dhe po e hapte një ngjarje emblematike.

Kishte të tillë që me arsye thoshin se Kosova shtet nuk kishte të drejtë të krenohej, ngase Kosova si Kosovë nuk kishte bërë asnjë gjë që Rita të arrinte të bëhej yll. As nuk kishte investuar në të, e as nuk kishte ditur për ekzistimin e saj po të mos ishte talenti i saj i lindur, e më vonë i kultivuar, dhe investimi i prindërve të saj. Porse kjo nuk e ndaloi shumëkënd që ta shprehte hapur gëzimin që një artiste shqiptare e lindur në Kosovë ka vjet që ka gjetur vend në majat e toplistave të muzikës botërore. Ishte ndjenjë e bukur të të paraqiste një fytyrë që fatmirësisht dëshmon imazh tjetër prej atij që e pasqyrojnë pjesëtarët e “elitës politike” kosovare. Dhe nuk e kam fjalën për fustanin e saj të ahengut, që la hapësirë për kritika. Po fundja, asaj i ka hije, sepse nuk ka arritur sukses në krah të popullit.

Çudia 2 – rrena

Rrëfimi i Rita Orës është i një familjeje emigrantësh që ka arritur sukses në Perëndim. Është rrëfimi i një vajze që i takon valës së parë të madhe emigrantësh kosovarë që e braktisën Kosovën në të 90-t e shekullit të shkuar për shkak se prindërit mbetën pa punë në kohën e pushtimit serb. Me ëndrrën se do të ktheheshin posa të rregullohej situata në shtëpi, mbetën në Britani, për shkak se atje ia dolën t’ia rregullonin punët vetes: morën shtetësinë britanike dhe punojnë në profesionet e tyre.

Ata edhe kanë pasur arsye të mos ktheheshin me vite të tëra, ngase situata këtu nuk po përmirësohej. Përkundrazi. Për më tepër, do të jenë bërë pjesë e asaj mase në diasporë që e kanë mbajtur gjallë këtë Kosovë të mjerë me “remitancat” që i kanë dërguar muaj për muaj. Për më zi, do të kenë qenë edhe kontribuues të fondeve, me gjasë edhe të atij “Vendlindja thërret”, i cili i ka bërë shumë të pasur jo pak kumandanta.

Dhe janë pikërisht këta kumandanta dhe kolegët e tyre që e sollën Kosovën buzë mjerimit dhe të shkatërrimit me rrenat, hajninë dhe krimin që ua servuan dhe ua bënë popullit. Sepse në 16 vjetët e fundit krejt çka kemi dëgjuar prej tyre janë rrena: se si këta punojnë për popullin; se krijojnë rritje ekonomike; se zbatojnë ligje; se kujdesen për shëndetin e popullit; se ua sigurojnë mirëqenien dhe sesi i krijojnë me qindra mijëra vende pune me një fjalë goje.

Se hajni e krim nuk është vetëm vjedhja e parave dhe e pronave. Vjedhje është edhe mohimi i ardhmërisë që ua kanë bërë posaçërisht fëmijëve – me sistemin arsimor që e kanë shkatërruar ende pa u ngritur në këmbë si duhet. Me politizimin e skajshëm të Universitetit ku ia kanë siguruar vetes nga pesë-gjashtë të ardhura; ku kanë lejuar avancimin e injorantëve veç pse i kanë karshi e kojshi, e posaçërisht kushërinj. Me krijimin e shumë institucioneve arsimore prej nga na dalin analfabetët funksionalë me diploma; me mosdhënien mundësi atyre që vërtet kanë cilësi të punojnë. E mos të flasim për sistemin shëndetësor, pensional, invalidor; për kulturën, e për sportin, e për shkencën a teknologjinë...

Rrena se do të krijojnë 200 mijë apo edhe 120 mijë vende pune (varësisht se cila parti ka rrejt më pak) ka bërë që nga fillimi i vitit të jenë larguar 100 mijë veta nga Kosova. Mungesa absolute e një perspektive për një jetë të mirë, çuarja duar prej gjithçkaje, dhe dëshira për ta shlyer kujtimin madje të këtij vendi janë rezultati i drejtpërdrejtë i rrenave të atyre që mbi një decenie e gjysmë vendosin, kryesisht me vota të vjedhura, në emrin tonë. E lëre që vendosin, por edhe na përqeshin. E na ngjeshin.

Çudia 3 – demagogjia

Tashmë e keni dëgjuar se nëse e keni rrogën nën 300 euro mos gaboni me i ba më shumë se pesë fëmijë. Këtë na e tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, në një deklaratë, që po të ishte përdorur në tjetër kontekst mbase edhe do të kishte logjikë. Kështu, doli një deklaratë e shkretuar krejt, posaçërisht pasi u përpoq ta arsyetojë kështu: “...e ka rrogën 300 euro, nuk ka investuar në avancimin e tij, rrin në shtëpi dhe pret që dikush t’ia zgjatë dorën... nuk mund të besojë se duke ndenjur në shtëpi mund të prosperojë..., duhet të punojmë, duhet të punojmë të gjithë”. E shkretuar edhe për shkak të faktit se e mohon realitetin sipas të cilit lindja e paplanifikuar e fëmijëve është edhe rezultat i mungesës së zhvillimit dhe e rritjes së varfërisë, të cilën e ka shkaktuar qeverisja katastrofale e Kosovës, posaçërisht në tetë vjetët e fundit.

Sidoqoftë, dhe duke iu kthyer arsyetimit të ministrit, nuk e di se si mund të investojë dikush në avancimin e tij me 300 euro rrogë, pos nëse është dhe ka qenë anëtar aktiv i PDK-së në tetë a dhjetë vjetët e fundit. Besa edhe i LDK-së, posaçërisht në Prishtinë. Nuk e di se si duhet të punojmë të gjithë, kur Kosova regjistron 43% papunësi, për shkak se shteti me politikat e veta inekzistente ekonomike e ka vulosur këtë shifër. Nuk e di se si do të mund të punojmë të gjithë, po qe se të papunët janë banorë urbanë të ndërtesave kolektive, dhe me kusht se nuk janë pronarë tokash – atyre iu mbetet të mbjellin majdanoz nëpër saksi, sepse s’mund të kultivojnë tjetër gjë nëpër ballkone. Derisa ka qenë ministër i Bujqësisë, Stavileci na thoshte që Kosova ka mjaft grurë dhe se rendimentet i kemi rekorde: po qe se është kështu, pse pra importojmë grurë dhe “grurë”, dhe pse njerëzit e braktisin tokën, nga e cila për fat të keq, në kushtet e krijuara nga ky pushtet, nuk mund të mbijetojnë.

Është demagogji të tregosh për zgjidhjet, kur opsionet dhe fuqinë për ta bërë ndryshimin i ke pasur në duar. Por është edhe më demagogjike ta arsyetosh ruajtjen e këtij pushteti shkatërrimtar me shpalljen e koalicionit PDK-LDK-Srpska si “zgjidhjen më fatlume për Kosovën”, e ta krahasosh atë me kombëtaren në futboll. Demek, kundërshtarët janë bërë bashkë për ta bërë Kosovën edhe më të mirë (apo më të mjerë, varësisht se nga cili kënd e shikon). Po të kishte qenë e vërtetë, pse nuk e formuan koalicionin para zgjedhjeve, e na i kishin kursyer nja gjashtë muaj nerva e edhe para besa. Po të kishte qenë e vërtetë, pse u desh të korruptohej Gjykata Kushtetuese, e cila tash del të jetë edhe falsifikatore karshi kërkesës së Ombudspersonit, e të dalë me interpretime që janë nonsens jo vetëm juridik për krejt procesin e formimit të kësaj qeverie. Po të ishte e vërtetë, nuk do ta kishim Mr. Ktynë, njeriun që Suedinë e shpalli republikë -- për kryetar parlamenti; e nuk do ta kishim as Lista Srpskan duke i bojkotuar (tërheqje për konsultime, thotë zëvendësministri i MAPL-së, Bajram Gecaj) institucionet, pasi e ka faktorizuar një njeri me një nënshkrim para një viti. Po të ishte e vërtetë, punët do t’i kishim më mirë. E nuk i kemi.

Çudia 4 – cinizmi

Kryeministri nominal dhe kryeministri i Jashtëm bëjnë gara se cili del më cinik në deklaratat e veta. Ky i pari tashmë është treguar idhnak dhe sa më shumë po kalon koha, aq më cinik po bëhet. Shumë jehonë bëri komenti i tij se nuk donte t’i takonte ata që po iknin për shkak se të gjithë kishin iPhonea. Me fjalë të tjera, kjo i bie “theni qafen”.

Ky i dyti, mbas një kohe të gjatë shëtitjesh u kthye në Prishtinë dhe deklaratën e parë që e dha, e lidhi për Gjykatën Speciale: “Duhet të vlerësojmë thellë a është më mirë që të merret vendimi nga institucionet e Kosovës apo kjo çështje të shkojë në Këshill të Sigurimit. Nëse kjo çështje shkon atje, atëherë do të hapen edhe tema të tjera, të cilat do të jenë të vështira për t’i tejkaluar, që do të mund të zgjatnin jo tri deri në pesë vite, por deri në 20 vite”.

Duhet të jesh tepër cinik të flasësh për nevojën e votimit të një Gjykate Speciale, e cila nuk është dashur të krijohej fare dhe për të cilën ke përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Tepër cinik, aq më tepër kur dihet se raporti i Dick Martyt, që e nxiti formimin e këtij trupi të posaçëm gjyqësor, e ka për personazh kryesor mu Thaçin. Aq, sa e përmend 26 herë në 21 faqe raport.

Është jashtëzakonisht cinike dhe e pafytyrë ta bartësh përgjegjësinë mbi të tjerët për një punë që është dashur ta ketë kryer në kohën kur ka qenë kryeministër – e ka pasur shumicën absolute në Kuvend, dhe ka mundur të votonte çfarë të donte, kur të donte. Ashtu siç e ka tash. Është edhe më cinike duke marrë parasysh se ka mundur ta shmangte krejtësisht këtë gjykatë, po qe se ai dhe kumandatat e tjerë do të kishin lejuar që drejtësia të administrohej ashtu si duhet. Dhe nga vetë kosovarët, pa pasur nevojë për “ndihmë” nga jashtë.

Kërcënimin për votimin në Këshillin e Sigurimit me gjasë ia kanë bërë “miqtë ndërkombëtarë” – sepse nuk ka lëvizur vetë dhe ka menduar se edhe kësaj radhe do t’i shmanget një obligimi që ka mundur ta përmbushte moti, moti. Tash del e na tregon se si i kemi keq punët, për shkak se opozita po e kundërshton formimin e kësaj Gjykate.

Këtë re të zezë mbi kokë, siç e quan ai, na e solli ai vetë me grupin e vet të interesit. Tash është më se e qartë se përse me aq lehtësi e nënshkroi atë copë letre në Bruksel dhe kush e di edhe sa të tjera do ta detyrojë partnerin e tij të koalicionit t’i nënshkruajë nën mbikëqyrjen e vet. Dhe kush e di edhe sa gjëra të tjera të fshehta do të na dalin mbi sipërfaqe me autorësi të kësaj shoqate e cinikëve të bashkuar të Kosovës.

Kush e di edhe sa të tjera do t’i përjetojmë në Kosovën e çudirave, gati përherë të shëmtuara.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...