Me Pronto, me Pronto nuk ka shtet!

30 Gusht 2016 - 07:46 - Flaka Surroi      

Nuk do të kishte shkop magjik që do t’i zgjidhte krejt problemet që i kanë shkaktuar klanistët, sepse nuk kanë lënë vend të shëndoshë pa e sëmurë me virusin e tyre. Porse, është përherë më i lehtë shërimi kur virusi izolohet

Nuk m’u kujtua titull më i përshtatshëm për kolumnen e kësaj jave sesa ky që është – duke qenë e vetëdijshme se pa dëshirë i hyra përshkrimit të një sage të mundshme se me çka Kosova nuk mund të bëhet shtet. Megjithatë nuk e besoj se do të vazhdoj të tjerr tutje me tituj të ngjashëm, për shkak se duket se kam hasur në fjalën kyç që paraqet pengesën më të madhe se pse Kosova nuk është shtet përnjëmend: Pronto. E me të, edhe gjithë atë që e përshkruan e që na bën objekt përbuzjeje. Madje edhe të vetvetes.

Një hetim special

Pas gati tri javësh, Prokuroria Speciale e Shtetit ka vendosur t’i nisë hetimet ndaj Adem Grabovcit dhe gjithë të tjerëve të përfshirë në skemat e ndërhyrjeve dhe të punësimit të militantëve, djemve të mirë, ushtarëve e kushërinjve nëpër institucionet shtetërore.

Në shikim të parë, ky është lajm i mirë – që pas gafës fillestare të kryeprokurorit që “nuk gjente indice” për hetime, megjithatë ky qëndrim të jetë korrigjuar, dhe të jetë nisur një proces që mund të sjellë një epilog gjyqësor. Shikuar nga aspekti procedural, është shumë e mundur që i gjithë ky hetim të jetë nisur vonë, dhe se mbase afatet e parashkrimit do të mundë t’i mbysnin pretendimet e organeve të drejtësisë për ta çuar para drejtësisë njeriun, i cili përditë e më shumë po bindemi, ka kryer detyrën e Zyrës republikane të punësimit. Kjo, ngase nuk kishte pasur asnjë vend të lirë pune nëpër institucione e borde për të cilin nuk kishte ditur shefi i shefave. Dhe jo vetëm kaq. Kishte ditur edhe si t’i formonte komisionet intervistuese në të cilat do t’i siguronte votat e duhura për njerëzit e duhur.

Duhet kujtuar se Grabovci, në periudhën për të cilën bëhej fjalë, nuk ishte gjë më shumë sesa deputet i PDK-së, dhe nja një vit e gjysmë më parë kishte dhënë dorëheqjen nga posti i zëvendësministrit të Transportit – rreth një muaj pasi EULEX-i nisi rastin MTPT 1. Pra, shikuar nga aspekti i përgjegjësisë institucionale, ky nuk ka qenë në asnjë pozitë udhëheqëse. Mirëpo, ajo që ka dalë nga përgjimet, është se vendosjen e militantëve dhe kushërinjve nëpër vende të caktuara të punës, nuk e kishte bërë krye në vete. I kishte pasur së paku dy urdhërdhënës: një në hije, pa post e pa emër dhe tjetrin në krye të Qeverisë së Kosovës. Nuk e di nëse përgjimet do të dëshmonin se ka pasur më shumë urdhra nga njeriu që i ofendon amerikanët derisa shtiret miku më i mirë i tyre – porse i vetmi që ka dalë deri tash do të duhej të shërbente për udhëzim se nga duhet orientuar hetimet, dhe në mos duhet ndërruar kualifikimin e veprës penale që hetohet.

Atë që kemi dëgjuar deri tash flet për një strukturë të krimit të organizuar, e të institucionalizuar, ku secili që ka interes di kë duhet thirrur, pasi të jetë konsultuar paraprakisht me dikë të afërt, apo me dikë më të lartë që tregon me gisht nga njeriu që i kryen punët. Herë me telefona e herë me kafe, dreka e darka të cilat me gjasë do t’i jenë faturuar buxhetit të Kosovës – gjë e cila do të duhej të hetohej nga prokuroria speciale

Pa paragjykuar asgjë, po frikësohem se nga kjo punë nuk do të dalë asgjë. E uroj të jetë e kundërta. Sepse po të kishin dashur ta administronin drejtësinë si duhet, fillimisht EULEX-i e më pas edhe organet e Prokurorisë së Shtetit, ishin marrë me këtë punë qysh atëherë kur janë urdhëruar përgjimet. Të dilet e të thuhet se përgjimet nuk u janë përkthyer – është vërtet pak e besueshme. Kjo ka mundur të ndodhte vetëm nëse prokurorët ndërkombëtarë do të kenë vendosur t’i fshihnin përgjimet, ose nëse ndonjëri prokuror do të ikte brenda natës nga Kosova, pa asnjë shpjegim të vetëm, siç kishte ndodhur me holandezin e rastit MTPT 1.

Përgjegjësia e LDK-së

Dikur kishim jetuar në gjendje të jashtëzakonshme, e cila u pasua nga okupimi, i cili shpuri në luftë. E pas lufte, i fituam kumandantat dhe Klanin Pronto. Në fakt, na mbisunduan kumandantat, të cilëve u lamë rrugë të hapur për të na shkelur e për t’ia bërë vetes qejfin duke na sunduar për interes të vetin.

Klanit Pronto hipjen në pushtet ia mundësoi një parti dikur e madhe politike, e cila ende bën be në filozofinë rugoviane (që ende nuk e kemi të qartë se çfarë domethënie ka), dhe e cila mendonte se pushteti nuk do t’i ikte kurrë nga dora. Vetë e fundosur në probleme të menaxhimit të komunave që i udhëhiqte, dhe me mosmarrjen e përgjegjësisë për ta udhëhequr ekzekutivin, vetëm e vetëm për arsye të ruajtjes së postit të kryetarit për liderin e vet, LDK-ja ia qiti në tabaka PDK-së të gjitha mundësitë për ta marrë nën kontroll administratën publike, sektorin e privatizimit dhe në fund edhe bordet.

E shkelur dhe e përbuzur më 2010-n, vendosi të dilte në opozitë. Por, prej aty zgjodhi t’i bënte amin secilit propozim që rridhte nga PDK-ja në Kuvend, duke e marrë kështu edhe përgjegjësinë për disa nga gabimet më të mëdha diplomatike e politike që i ka bërë Thaçi, e që kanë të bëjnë me ardhmërinë e Kosovës. Dhe në çastin kur ka mundur ta qiste PDK-në në opozitë, zgjodhi të lidhte koalicion me të, duke ia mundësuar vazhdimin e kontrollimit të punësimit në institucione dhe qasjen në paranë publike.

Kush nuk do ta besonte se një parti e cila për veten thotë se është e vlerave dhe që udhëhiqet nga një akademik do t’i bëhej argat kaq i vyeshëm PDK-së. Vlerat me të cilat është lavdëruar duket se u shuan që në çastin kur krejt zyrtarët e saj të lartë vendosën t’i kapërdinin të gjitha sharjet, fyerjet dhe ofendimet që ia kishin bërë PDK-së dhe SHIK-ut, dhe të shndërroheshin në mbrojtësit e vetëm të politikës së mbrapshtë të Thaçit. E kemi vërejtur në disa muajt e fundit, se më të zëshëm janë përfaqësuesit e LDK-së në mbrojtjen e marrëveshjeve për asociacionin dhe për demarkacionin sesa vetë PDK-ja, hiq Thaçin, i cili për çdo ditë na e shkruan nga një hajmali në FB. Derisa e bëjnë këtë, dhe duke e amnistuar të keqen e personifikuar në Klanin Pronto, mundohen me çdo kusht të gjejnë armiq të brendshëm me të cilët duhet luftuar. Nëse armiku aktual nuk është ndonjëra nga partitë opozitare, të cilat i shpallin fajtore për krejt incidentet që ndodhin në Kosovë pa pasur konfirmim as nga policia e as nga prokuroria, atëherë fajtore janë mediumet, që ja, nuk po shkruajnë në formë afirmative për “përpjekjet e tyre shtetërore”.

Kështu, në mes të skandalit që përshkruan thjesht se me sa lehtësi Klani Pronto e ka përbuzur LDK-në dhe e ka përjashtuar nga vendimmarrja për gjëra të rëndësishme – zyrtarët e LDK-së, sërish, zgjedhin të heshtin. Thuajse kjo punë po ndodh diku atje kah Proxima Centauri (Toka 2.0 që e kanë zbuluar para disa ditësh), e jo në planetin ku gjendet edhe Kosova jonë e vogël. Thuajse kjo punë është fare e parëndësishme, ani që do të duhej ta zemëronte edhe “partinë e vlerave” të cilën PDK-ja e ka bërë shoshë, e edhe krejt kafexhinjtë që vazhdojnë së xhiruari protestuesit, në mos po e fitojnë ndonjë shpërblim në WikiVideo. Për ta, është më e rëndësishmja çështja e demarkacionit dhe e asociacionit, sepse “edhe amerikanët thonë se duhet të bëhen”.

Shkenca e karriges dhe e fizkulturës

E amerikanët, konkretisht Bideni, ka thënë se Kosova duhet ta luftojë korrupsionin. Porse nuk ka treguar si. Sepse është vërtet ofenduese që të pretendosh se korrupsionin mund ta luftojnë të korruptuarit e ulur nëpër institucione. Se s’është korrupsion vetëm mitmarrja; korrupsion është krejt çka na ndodh në Kosovë – duke qenë më i rëndi rrëmbimi i perspektivës së këtij shteti dhe të këtij populli, të cilin mu ky korrupsion e ka bërë inert, apatik dhe të pashpresë. E përderisa Klani Pronto sundon me ndihmën e LDK-së, dhe përderisa nuk e dimë se cila pjesë e gjyqësisë (nëse ka ndonjë copë që s’është e ngufatur nga këta) mund të funksionojë – ky vend do të jetë i dënuar të vuajë diktaturën Pronto. Madje me vetëdëshirë.

Në këtë kontekst, pra nuk befason qasja vazhdimisht irrituese dhe ofenduese e kryeministrit, i cili madje i jep luks vetes të shkruajë si vijon në lidhje me demarkacionin: ...Gabimi është kur keqpërdoret shkenca për të mbrojtur një kauzë të trilluar politike. Shkenca dhe trillimet politike janë si karrigia dhe fizkultura. S’kanë asgjë të përbashkët. Veç se e devalvojmë shkencën. Pra, akademiku i shquar për nga përdorimi i elementeve shtazore në postimet e tij në FB, tash çohet në mbrojtje të shkencës, duke i akuzuar kundërshtarët e demarkacionit se ata nuk dinë gjë. Por çfarë t’i bëjmë ekspertit që e mbron kauzën e Komisionit shtetëror për demarkacion, i cili në një prononcim në televizion publik thotë: ...Sipërfaqja e Kosovës nuk ka lëvizur, por thuhet se sipërfaqja e Malit të Zi është rritur. Pas analizës që kam bërë, mund të llogaritet se bëhet fjalë për rreth 42 km katrorë. Këto janë probleme teknike të hartave të cilat duhet të analizohen rreth të dhënave.

Nuk po di këto 42 km katrorë a janë karrige a janë fizkulturë – por esenca është se ka diskrepancë, meqë këtë po e pranon edhe më i zëshmi shkencëtar pas Mehës që e mbron pozicionin e nënshkruar.

Por, as kjo deklaratë nuk i lëkund Mustafën e as Thaçin. Ky i pari nuk ka veshë për askënd; i dyti insiston se ratifikimi duhet të ndodhë, dhe duke mos gjetur argument më të fuqishëm, del e thotë: “Po qe se demarkacioni nuk kalon, kjo do të jetë shpërblim për opozitën”. Duke treguar kështu sërish fytyrën e vërtetë të Klanit Pronto: nuk i bëjmë gjërat për interes të shtetit, por i bëjmë për t’ia zezuar punën opozitës. Pra, demarkacioni nuk duhet të kalojë pse neve do të na bëjë mirë, por duhet të kalojë veç pse opozita po e kundërshton. Dhe, natyrisht i lan duart – sepse fajtore për mosliberalizimin e vizave do të jetë opozita, e jo ai, që na rrejti para 5 vjetësh; ai që na rrejti për çdo vit të ardhshëm pas deklaratës së parë; ai i cili kurrë nuk e përmendi se demarkacioni është kusht për liberalizim që nga 2006-a; ai i cili nuk e solli para Kuvendit dokumentin e demarkacionit, ani që edhe partia e tij ishte pajtuar, kur krejt deputetët e kishin votuar Rezolutën e Kuvendit.

Liberalizim në krah të një demarkacioni të paqartë, me shumë dilema, me shumë vërejtje që “Kosovës nuk i humb territor, porse Malit të Zi ia rrit territorin” (athua ky territor është brumë që i qesin maje të bukës e tkurret e bymehet sipas motit, a qysh?) do të ishte gabim i rëndë që do të duhej të peshonte në ndërgjegjen (nëse e kanë) të atyre deputetëve që do të votojnë më 1 shtator. Kemi jetuar pa liberalizim qe sa vjet, mund të vazhdojmë pa të, derisa të mos sqarohet çka në të vërtetë ndodh në Çakorr, Kullë e Bjelluhë.

* * *

Shumë energjinë e humb ky vend duke debatuar gjerë e gjatë për gjëra që mund të zgjidhen vetëm po qe se Thaçi dhe Klani i tij dalin dhe pranojnë se kanë bërë gabime shumë të rënda që e prekin interesin shtetëror të Kosovës. Shumë energjinë do ta kthente në zhvillimin e vet, po qe se Klani Pronto do të vendoste të dilte nga skena (që nuk do të ndodhë me qejf), ose nëse do t’i nxirrnin nga skena votat e gjithë atyre që nuk ia kanë parë hairin Klanit Pronto, e që janë më shumë sesa të akomoduarit.

Nuk do të kishte shkop magjik që do t’i zgjidhte krejt problemet që i kanë shkaktuar klanistët, sepse nuk kanë lënë vend të shëndoshë pa e sëmurë me virusin e tyre. Porse, është përherë më i lehtë shërimi kur virusi izolohet. E Kosova po vuan për dikë që do të dijë të ballafaqohet me pasojat e virusit. Që do të dijë ta gjejë barin për ta shëruar këtë vend të sëmurë në palcë. Dikush që do ta kishte shumë më lehtë, po të kishte një grimë përkrahjeje nga policia e gjyqësia.

Sepse dua të besoj se jo të gjithë janë Pronto.

[email protected] 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...