4 Tetor 2016 - 08:12 - Flaka Surroi
Kronika e një dëbimi; rregullimi i një aparature të shtrenjtë, që ndenji “e prishur” tre muaj; raport dëshpërues i Bankës Botërore për mungesën e zhvillimit ekonomik në Kosovë; dhe bllokada e buxhetit për veteranët – kjo do të mundë të ishte përmbledhja e ngjarjeve që mbase shënuan javën. Natyrisht, ngjarje që shihen e dihen. Ato që nuk janë parë mbi sipërfaqe, me gjasë, do t’i kuptojmë me disa muaj vonesë.
Dëbim i vonshëm
Zyrtarëve gjyqësorë dhe atyre të policisë iu deshën tetë vjet për ta zbatuar një vendim gjyqësor për dëbimin e banorëve që kishin uzurpuar banesat në “Dardani” menjëherë pas luftës. Përderisa strehimi i familjeve me shtëpi e prona të shkatërruara ka pasur shumë logjikë në dy vjetët e parë të pasluftës, vazhdimi i qëndrimit të familjeve nëpër ato banesa, pas rindërtimit masiv të fshatrave nga organizatat ndërkombëtare, nuk kishte ndonjë arsyeshmëri. Pos ndoshta të dëshirës për të jetuar në qytetin e madh, ku do të mundë të gjendej ndonjë rast punësimi apo edhe të përfitimit financiar, që mund të sjellë një pronë e huaj. Natyrisht, në këtë grup, nuk do të duhej përfshirë rastet sociale, që vërtet nuk kanë ku shkojnë.
Vendosja e tyre pa ndonjë vendim meritor të ndonjë institucioni i bën ata uzurpatorë të pronës së huaj, në këtë rast të Ndërmarrjes Publike Banesore. Arsyetimi i banorëve se ata kanë investuar para për t’ua përshtatur banesat nevojave të tyre, nuk e arsyeton qëndrimin e tyre të mëtejmë aty – ngase ata nuk kanë paguar as qira për gjithë vitet që i kanë kaluar aty. Fakti se në mesin e atyre familjeve të para që u dëbuan ka edhe asamblistë komunalë të komunave të tjera, tregon për intencën e të bërit me pronë në mënyrë të heshtur, meqë askush nuk po e merrte mundin t’i hiqte prej aty për më shumë se tetë vjet nga marrja e një vendimi të plotfuqishëm gjyqësor.
Edhe pse e natyrës më pak të rëndë, megjithatë çështja e lirimit të pronës së huaj në bazë të një vendimi gjyqësor gati me një dekadë vonesë, flet për gjendjen e rëndë të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Nëse një ndërmarrje, që mund të llogarisë në mbështetjen juridike dhe fizike të institucioneve shtetërore, nuk mund ta zbatojë një vendim në favor të vetin, çfarë mund të presin qytetarët e thjeshtë që nuk kanë përkrahje nga askush? Nuk mund të presin shumë. Për më tepër vetëm do të zhgënjehen edhe më me gjyqësinë që vazhdon të mbetet hallka më e dobët e pushtetit – me gjithë krejt dështimet e Legjislativit dhe të Ekzekutivit.
Mjeshtri në shtëpi
Përgjegjësi e Ekzekutivit është mbarëvajtja edhe e sistemit shëndetësor. Pas rastit të dështuar Medicus, ngase të dënuarit ikën nga Kosova dhe u shpallën në ndjekje, shëndetësia tash do të ballafaqohet edhe me rastin Stenta, ku janë akuzuar aq shumë njerëz, sa nuk do të ketë hapësirë të mjaftueshme në Pallatin e Drejtësisë për t’i gjykuar krejt përnjëherë (mbase do të duhej angazhuar ndonjërën nga palestrat e sportit për një gjë të këtillë). Por, këto janë skandalet e mëdha. Ato të voglat, por me peshë të jashtëzakonshme, që prekin edhe shëndetin e edhe buxhetin, janë prishja e aparaturave bazike për ofrimin e shërbimeve të specializuara.
I tillë qe rasti i koronarografit, i cili ndenji tre muaj “i prishur”, duke pritur shpalljen e tenderit për rregullimin e tij. Mjaftoi intervenimi i një punonjësi në QKUK që aparati t’i kthehej normales. Por, ndodhi me tre muaj vonesë, gjatë së cilës kohë, të gjithë pacientët që do të duhej të kalonin nëpër këtë makinë, u janë referuar institucioneve private, të cilat nga ana tjetër, janë paguar nga buxheti për këtë punë. Pra, nëse paska pasur mjeshtër në shtëpi për ta rregulluar këtë makinë, pse nuk është angazhuar ai më herët? E nëse nuk është angazhuar më herët, a do të thotë kjo se ai vetë ka mundur ta prishte me urdhër të dikujt? Apo është se tre muaj ky punëtor i ka lutur që ta linin të intervenonte, por nuk e kishin lënë, sepse tashmë dikush i kishte bërë hesapet?
Cilido të jetë varianti, dëmi më i madh iu bë pacientëve në formë direkte – që duhej endur nga një anë në tjetrën, e edhe në atë indirekte: buxheti ka mundur të shërbente për ndonjë gjë tjetër, e jo për ta paguar një shërbim që QKUK-ja ka kapacitet për ta ofruar. Dhe sado e paqartë të jetë situata, do të duhej të ishte alarm i mjaftueshëm për prokurorinë dhe hetuesinë. Nëse hetimi eventual do të dëshmonte për keqpërdorimin për motive lukrative, atëherë fajtorët do të duhej të dënoheshin me procedurë të rregullt gjyqësore. Kurrsesi me hakmarrje personale të pacientëve a familjarëve që çohen dhe i sulmojnë mjekët. Edhe neglizhenca profesionale është vepër penale, dhe duhet ta gjejë epilogun e vet në gjyq, e jo me Kanun. Se po iu qasëm krejt Kanunit, do të fundosemi në Kosovën e para një shekulli që më së fuqishmi e ka përshkruar Edith Durham.
Ekonomia në lloç
Sikur të ishte i fillimshekullit të shkuar projeksioni i rritjes ekonomike të Kosovës sipas parametrave të Bankës Botërore. Nuk është se kemi pritur më shumë e më mirë, porse të dëgjosh se në Kosovë sivjet nuk pritet të kemi më shumë se 3,6% rritje, që do të jetë më pak se vitin e kaluar, është tepër dëshpëruese. Për më keq, nuk do të ketë fare përmirësime as në sferën e punësimit, kurse debalanca tregtare me botën e jashtme do të mbetet ajo që është: do të importojmë tetë fish më shumë seç do të eksportojmë. Sepse nuk kemi çfarë të eksportojmë pos njerëzve.
Një raport i këtillë nuk duhet befasuar. Siç e kemi përsëritur aq shpesh sa jemi mërzitur, asnjëra nga qeveritë që i ka pasur Kosova pas luftës nuk ka pasur as ide të mirëfilltë për zhvillimin ekonomik. Thaçi pse nuk e kupton ekonominë tjetër pos asaj që i sjell përfitim Klanit Pronto, kurse Mustafa (i cili do të duhej të dinte shumë për ekonominë), pse ka pranuar ta marrë qeverisjen e shtetit me pesëqind problemet që ia ka lënë në dorë ky i pari – i orientuar nga rritja artificiale e rrogave dhe shpenzimi i parave të gatshme për “projekte madhore”.
Mustafa edhe nëse ka pasur ndonjë ide për ta zbatuar planin e zhvillimit ekonomik, ka ngecur aty ku ka qenë me rastin e marrjes së kontrollit të Qeverisë: i ngujuar në çështjen tepër problematike të bisedimeve në Bruksel, që e kanë prekur esencën e shtetit të Kosovës dhe në temën e demarkacionit, të cilin e mbrojti me aq shumë forcë, sa nuk kuptohej logjika që e udhëhiqte.
Problemet serioze me sundimin e ligjit, me zbatimin e ligjit, kontrollin parlamentar, evazionin fiskal dhe mungesën e parasë në qarkullim, janë problemet që është dashur të ishin prioritet për Qeverinë e tij, po qe se mëtonte të bënte ndryshime cilësore. Porse, do të ketë qenë i vetëdijshëm se në çastin kur ka krijuar koalicion me njerëzit, të cilët e kanë shkatërruar edhe bërthamën e ekonomisë së shtetit, ka pranuar edhe përgjegjësinë për dështimet e edhe është pajtuar se ndryshim rrënjësor nuk do të ketë. Sepse premtimet zgjedhore kushtojnë shumë.
Veteranët dhe profiterët
E premtim zgjedhor qe zgjidhja e çështjes së veteranëve, që tash ka ngecur në pikën ku shteti nuk ka para për t’i paguar 46 mijë njerëz, që thonë se kanë luftuar. Vetë ligji i koncipuar asisoj që edhe ai që ka bartur pushkë, e edhe ai që mund ta dëshmojë se i ka çuar një palë çorape në terren, bëhen njësoj veteranë, e ka sjellë situatën këtu ku jemi sot.
Përderisa absolutisht të gjithë luftëtarët dhe familjet e ushtarëve të vrarë apo të vdekur ndërkohë do të duhej të merrnin pensionin për kontributin e dhënë, të tjerët do të duhej të mjaftoheshin me marrjen e statusit të veteranit në formë mirënjohjeje, dhe mbase një pagesë të njëhershme në emër të punës gjatë luftës, me të cilën do të mbyllej ky kapitull.
Thuajse askush nuk po do që të kuptojë se përderisa nuk ka ekonomi që funksionon; përderisa nuk ka fshat që mund të prodhojë bile ushqim për vetë fshatin, e pse jo edhe për popullatën, që detyrohet të blejë edhe tranguj të importuar; përderisa tatimet vazhdojnë të fshihen e shteti varet nga tagrat doganore që do t’i mbledhë – ky vend nuk mund të funksionojë, duke u dhënë pensione personave që në këtë rast më parë barazohen me profiterë sesa me veteranë; as duke ua rritur rrogat zyrtarëve publikë; e as duke i hedhur krejt paratë në investime që kanë afate të tejzgjatura kthimi. Ose nuk kanë hiç afate, porse janë para që shkojnë në një pus pa fund.
Po të kishim pasur mend, ishim marrë me ekonomi dhe nuk do ta kishim humbur një vit e gjysmë në debate e luftëra politike, që kanë pasur zgjidhje të logjikshme. Gjashtë muaj te formimi i Qeverisë pas zgjedhjeve më 2014, kur u shpik “formula e Babës” për ta mbajtur PDK-në në pushtet dhe, më pas, një vit lufte për demarkacionin, i cili ka pasur nevojë për konsensus të gjerë, e jo për konfrontim.
* * *
Kur më 1 shtator duhej votuar demarkacionin, Mustafa e tërhoqi ligjin nga rendi i ditës, i vetëdijshëm që nuk i ka votat për ta kaluar atë. Ia kishte shkaktuar vetes një nokdaun të qëllimshëm, duke ua lënë fajin serbëve. Por, në fakt, problemin ia shkaktuan deputetët e koalicionit, që nuk janë të bindur se demarkacioni është në rregull. Tash, një muaj pas, votat ende nuk janë mbledhur, dhe nokdauni i tij po i afrohet një nokauti klasik, të cilin po ia përgatit partneri i tij i koalicionit.
Krejt dështimet – prej negociatave “teknike” të Edita Tahirit, që na mbyti rrena prej Brukselit; demarkacioni, asociacioni, mosrritja e premtuar e rrogave; mungesa e parasë për veteranët; rënia ekonomike; rritja e papunësisë; sharrimi i sistemit shëndetësor; përkeqësimi i sistemit arsimor; kapitullimi financiar i shumë ndërmarrjeve që më as kredi nuk mund të marrin, sepse e kanë humbur solvencën: që të gjitha do t’i përshkruhen dikujt që nuk ka qenë në gjendje ta çojë tutje as dokumentin në të cilin e ka vënë nënshkrimin pa menduar dy herë se çfarë po bënte.
Kështu, mbase edhe nuk do të duhet të pritet shumë që zgjedhjet në Kosovë të ndodhin më shpejt seç e imagjinon kush, për shkak se dikush do të mundë të ishte i interesuar që gjërat të “pastroheshin” para nisjes së ngritjes së aktakuzave në Gjykatën Speciale. Madje të pastroheshin në kohën kur partneri i vogël i koalicionit e ka humbur rrugën në oborr dhe është gjithçka, pos parti demokratike.
Për PDK-në është rast i mirë për t’u paraqitur “shpëtimtare” e Kosovës, sepse ja, ia dha rastin LDK-së dhe kjo dështoi. “Shpëtimtare”, sepse e di se votat mund t’i manipulojë si të dojë dhe se me dorëzimin e dy-tri fytyrave partiake mund të krijojë bindjen se është e gatshme për ndryshim. Por sikur te rrëfimi i ujkut – ka nisur ta ndërrojë qimen, përderisa numërimi deri në dhjetëshin e nokautit tashmë ka nisur.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...