17 Maj 2016 - 07:41 - Flaka Surroi
Pranimi në FIFA (të lumtë Fadil Vokrri!) paraqiti lajmin e vetëm të mirë në javën që nisi me zgjedhjen “demokratike” pa asnjë kundërkandidat dhe pa asnjë votë kundër të Mr. Ktysë në krye të PDK-së. Bile u çudita se si rezultati final i votimit nuk doli të ishte 105% për, se kështu vetëm sa do të vulosej hegjemonia e nëntokës mbi politikën e Kosovës. Njeriu i cili në paraqitjen e tij të parë publike para disa vjetësh kishte pasur shumë telashe për t’i lidhur tri fjali, që kishin njëfarë kuptimi, mori nën kontroll partinë me më së shumti deputetë në Kuvendin e Kosovës, dhe atë që, në fakt, i ngre të gjithë penjtë – si mjeshtër i marionetave.
Se nëse do të ketë ndryshim në qasjen e kësaj partie, tash që në krye të saj nuk është Gjarpri – kjo mbetet të shihet. Do të ishte shumë normale që njeriu në krye të shikonte e t’i mblidhte njerëzit e vet të besueshëm përreth, e t’i shpërndante nëpër resorët që do t’i sillnin kontrollin dhe pushtetin absolut, përderisa para opinionit do të vazhdojë të përpiqet e të paraqitet si më i moderuar sesa paraardhësi i tij. Por sikurse shefit të mëparshëm partiak, as këtij nuk mund t’i zihet besë. Nëse për asgjë, atëherë për shkak të së kaluarës (apo edhe së tashmes) së tij SHIK-iste.
Injorimi i dhimbshëm
Mbase mu zënia me punë për rehatimin e besnikëve nëpër poste ia kishte pamundësuar atij e edhe ministrit të Drejtësisë, që i takon partisë së tij, që të vinin të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare për të marrë pjesë në përurimin e librit “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999” të autorit Jusuf Osmani, të përkthyer në anglishte. Nuk e di se çfarë pune do të ketë pasur “simboli i unitetit të popullit” e aq më pak kryeministri nominal së bashku me zëvendësin e tij, që është njëkohësisht ministër i Kulturës – që ua pamundësoi ardhjen po në të njëjtën ngjarje. Mbase do të ketë qenë që përurimi u bë në Bibliotekë, pa pompozitet dhe pa qilima të kuq e as kokteje të shtrenjta, ku nuk ishte paraparë që të fliste cilido nga ta. Dhe nuk e di se çfarë do të kishin për të thënë, duke e marrë parasysh se kjo përmbledhje e thuktë mbi krimet kryesore, që shteti serb kishte kryer në Kosovë, doli në dritë fal entuziazmit të një njeriu që punoi me vite të tëra, pa asnjë ndihmë të vetme nga shteti.
12.102 është numri i të vrarëve, i të zhdukurve dhe i martirëve, që i mban të evidentuar ky libër, me emra e mbiemra, me moshë e vendlindje. Prej tyre 1.300 janë fëmijë, prej të cilëve 110 ende konsiderohen të zhdukur. Në të mungojnë emrat e grave dhe të burrave të dhunuar gjatë luftës – sepse këtë temë kjo shoqëri e bëri tabu, porse i përmban shifrat për ata 783 mijë njerëzit që u dëbuan nga Kosova për më pak se dy muaj.
Por aq ua bëri pushtetarëve tanë të vinin dhe me prezencën e tyre t’i nderonin të gjitha viktimat e luftës në Kosovë. Aq ua bën, teksa u ndihet zëri vetëm kur duhet mbajtur ndonjë manifestim, ku do të na e mbushin kokën pallavra dhe shprehje solidariteti me ata të cilët, për fat të keq, nuk mund të flasin. Se po të mundnin, do t’u thoshin se sa të zhgënjyer janë me Kosovën që e kanë “ndërtuar” pas luftës.
Në vend se të përkrahnin punën në dokumentimin e viktimizimin e një populli të tërë nga një makineri vrastare, që donte të gllabëronte gjithçka të huajën, pushtetarët zgjodhën opsionin e meseleve dhe të kujtimeve nëpër qarqe të ngushta, për të mos lënë gjurmë të shkruara. Duke ia lënë njëkohësisht rrugën hapur një shteti të fuqishëm me propagandë të zhvilluar prej kohësh, pra Serbisë, që ta zaptonte terrenin e komunikimit me të huajt. Duke ia dalë kështu, që në sytë e botës, viktimizuesin ta paraqesë viktimë.
Turp për të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që u ftuan në përurim e nuk erdhën. Turp, se harresa dhe injorimi i tyre i qëllimshëm është vrasja e sërishme e atyre, të cilët këta i shikojnë vetëm si numra.
Demagogu
Porse tashmë u mësuam me lëkurën e trashë të pushtetarëve kosovarë dhe me faktin se ata nuk ndiejnë turp për asgjë. Dhe kampioni ndër ta është kryetari i RKS-së.
Që nga dita kur hyri në zyrën e kryetarit, e bën të qartë se Ekzekutivin e kontrollon ai. Për dy muaj, nja shtatë herë ka folur për nevojën e miratimit të ligjeve të caktuara që do ta bëjnë këtë apo atë – thuajse në 17 vjetët e fundit ai ka fluturuar mbi qiell, duke shikuar se çka po ndodh në Kosovë. Thuajse fare nuk e ka pasur pushtetin në dorë, madje edhe për të shkruar e miratuar ligje. Pse ligjet paskan nevojë të ndryshohen tash? Athua qenkan ligje të këqija, të cilat i ka hartuar dhe miratuar partia e tij? Derisa ai ka qenë kryeministër. Derisa ai e ka kontrolluar edhe Kuvendin. Çka tash? Në çastin kur u zgjodh kryetar, fshiu me gomë të kaluarën e tij politike dhe nisi nga faqja e re, apo si është puna? Apo po mendon se, sikurse për shumë gjëra, kosovarët e kanë kujtesën e shkurtër, dhe se do t’ia harrojnë bëmat?
Paraqitjen e fundit, skandaloze, e pati në Fol Hapur. Tekstualisht tha: “Do të angazhohem për dekriminalizimin e politikës së Kosovës dhe njerëz me aktakuza të mos përfshihen në institucione as në lista zgjedhore të partive. Të njëjtën kohë duhet një kod edhe për media e shoqëri civile - si financohen ato, në mënyrë që të kërkohet pastrimi i gjithë sistemit. Pra, dekriminalizimi do ta prekë secilin”.
Do të angazhohem – sipas Kushtetutës nënkupton nismat ligjore nga ai që duhet t’i miratojë Kuvendi. Po i njëjti Kuvend, në të cilin partia e tij (ish-partia, në teori) ishte mbushur me njerëz me aktakuza dhe madje me aktgjykime jo të formës së prerë në këtë dhe në të gjitha mandatet e shkuara. Pra, tash do ta ndryshojë Ligjin zgjedhor po get, dhe në të do të insistojë që të hyjë ky formulim. Kjo, duke ditur se ai me dorën e vet i kishte zgjedhur edhe kandidatët për kryetarë komunash, prej të cilëve, madje 9, janë nën hetime, me vendime gjyqësore të shkallës së parë, dy me vendime të plotfuqishme, prej të cilëve njëri i ka ikur drejtësisë.
Dekriminalizim? Po a nuk ishte ky po i njëjti që para disa javësh na tha se krimi e korrupsioni në Kosovë janë perceptim? E qysh tash po del se ky kriminalizim paskësh ndodhur në dy-tre muajt e fundit, dhe se tash na ka ardhur supermeni që do të na i zgjidhë të gjitha. Kur po e mendoj më mirë, ai është i vetmi që di ta bëjë këtë punë, sepse është mu ai që e kriminalizoi krejt sistemin në Kosovë.
E tash, pos që këto s’janë gjë më shumë se pallavra të thata demagogjike, kërcënimin të cilin ia bën shoqërisë civile dhe medieve, është sinjal që do të duhej shqetësuar të gjithë. OJQ-të ka mundur t’i rregullonte si ka dashur, dhe në fund e ka kaluar një ligj ashtu siç ka dashur vetë: që ta lejojë formimin e mbi 7 mijë OJQ-ve, prej të cilave as 10% nuk janë funksionale. E që kanë mundur të shërbenin për çfarëdo, vetëm jo për aktivitete të ligjshme qytetare. Nga ana tjetër, do ta kujtojmë përpjekjen e tij për t’i frikësuar mediat me amendamentimin e Kodit Penal, ashtu që do t’i fuste nën kontroll gazetarët e redaktorët me një formulim kinse formal. A po do që t’i kthehet sërish Kodit Penal, apo është se do ta miratojë Ligjin për Informimin të RKS-së, sikurse bëri idhulli i tij në Turqi, e të na i mbyllë mediumet që nuk e mbajnë në ekran 25 prej 30 minutave të edicionit të lajmeve?
Dikush do të duhej t’ia përsëriste për çdo ditë të lume dhe nga 17 herë në ditë se gjërat që i ka shkatërruar; gjërat që i ka vendosur vetë mbrapshtë dhe problemet të cilat na i ka krijuar si shoqëri derisa ka qenë në Qeveri, nuk mund t’i zhbëjë me demagogji e as me nisma ligjore e dekrete kundërkushtetuese, për shkak se e ka rrënjosur krimin dhe korrupsionin në të gjithë sektorët e shoqërisë. Për shkak se ata që janë rehatuar, vetes nuk ia prishin qejfin, as për demagogjinë e tij.
Amullia
E se demagogjia duket të jetë sëmundje ngjitëse në Kosovë, e dëshmon opozita e copëtuar, e cila sot do të mbajë protestë. Se sa do të jetë e “frekuentuar”, do ta shohim gjatë ditës, porse shumë e besoj se as autobusët e “importuar” prej komunave nuk do t’i japin masivitet. Sepse është ngjarje të cilën do ta udhëheqin ai që “ka fjetur gjatë me armikun” (Limaj), “moralisti i vonuar” (Krasniqi) dhe “nusja e hidhëruar” (Haradinaj). Dhe do ta udhëheqin një protestë me një timing jashtëzakonisht të pavolitshëm për ta, meqë ndodh pas pranimit të Kosovës në UEFA, në FIFA, dhe pas rekomandimit për liberalizimin e vizave. Por, edhe do të organizohet me një moto jo fort të qëlluar, posaçërisht pasi me muaj të tërë, sa zgjati bllokada në Kuvend, e arsyetonin veprimin e tyre me ndaljen e dy marrëveshjeve të dëmshme, dhe assesi të pranonin ambicien latente për të ardhur në pushtet.
Kjo e sotmja do të jetë protesta për ta rrëzuar Qeverinë. Porse dyshoj se do të ketë sukses – për shkak se alternativën, të cilën këto subjekte e ofrojnë, është identike me atë çfarë kemi. Pra s’është alternativë dhe zor se do të bëhet pa u ndryshuar njerëzit në politikën e Kosovës.
Ndjenja më e keqe që ngjall copëtimi i opozitës është amullia që e ka kapluar popullin. Të vërshuar me demagogjinë dhe mungesën e sinqeritetit nga të gjitha anët (shikoni kalimin prej një partie në tjetrën, thuajse po ndodh afati kalimtar në futboll; apo edhe kalimin “shokues” të Ajnishahe Halimit në PDK, dikur shkatërruese të shtetit, e tash parti shtetbërëse; apo edhe formimin e subjekteve të reja politike nga të ricikluarit politikë), njerëzit nuk duket të kenë ndonjë vizion të qartë se nga të orientohen. Dhe po të ndodhnin zgjedhjet tash, PDK-ja do të fitonte sërish – për shkak se ajo i ka të sigurt votuesit e vet të akomoduar fillimisht në shërbimin publik.
* * *
FIFA po që na solli gëzimin e javës. Por, madje, as kjo nuk mund ta heqë dëshpërimin që po na grumbullohet vit pas viti, që pas 17 vjetësh vazhdojmë ta kemi rrugën e humbur në oborr.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...