19 Korrik 2016 - 08:04 - Flaka Surroi
Një i çmendur mbi timonin e një kamioni të madh ua mori jetën 84 civilëve, që pafajshëm kishin zgjedhur ta festonin Ditën e Republikës franceze në njërin nga bulevardet më me famë të qytetit turistik Nicë. Arriti t’i plagoste edhe së paku 50 të tjerë, para se të vritej nga policët, që u zunë të befasuar nga veprimi i tunizianit me shtetësi franceze, ngase në dosjet e tyre nuk figuronte si njeri me faktor të lartë rrezikshmërie.
Edhe pse ende të paqarta motivet që e shtynë ta kryente këtë krim të tmerrshëm, ajo që nuk lë hapësirë për dyshime është një gjë: duhet të jesh shumë i çmendur për t’i vrarë pamëshirshëm të gjithë ata njerëz. Edhe nëse motivi paskësh qenë “lufta e shenjtë në emër të Allahut” – duhet të jesh i marrë për të vepruar kundër urdhëresës së Zotit që thotë se nuk bën të vrasësh. E nëse qëllimi i tij paska qenë që të mbahet në mend për këtë veprim të tmerrshëm, nuk ka mënyrë më bizare e morbide se të hysh në histori duke vrarë njerëz.
Qarku vicioz
Nuk do të ketë asnjë brez në botë që do ta ketë kaluar jetën pa qenë pjesë e së paku një lufte, apo pa qenë dëshmitar i së paku një lufte që shpërthen diku në rruzull. Historia e luftërave është aq e gjatë, sa nuk do të kishte letër të mjaftueshme për t’i përshkruar të gjitha, ashtu siç mund t’i përshkruajmë sot. Është e tmerrshme statistika: në shtatëdhjetë vjetët e fundit në botë kanë shpërthyer rrafsh 300 luftëra, mesatarisht nga katër në vit, të shpërndara anekënd. Shumë syresh kanë qenë luftëra për çlirim; shumë të tjera për okupim, e plot e plot të tjera kanë qenë luftëra qytetare. Madje ka të tilla që zgjasin me dekada.
Çka është ajo që i bën njerëzit të luftojnë mes vete deri në vdekje? Pa dyshim marrëzia se gjërat nuk mund të zgjidhen ndryshe pos me shtypje, dhunë e vrasje; marrëzia se dikush mendon se është i lindur për të sunduar me një shtet gjatë gjithë jetës; marrëzia se egoja e një njeriu apo grupi njerëzish është më e çmueshme se jeta e një populli, apo marrëzia se lufta është forma e vetme e pasurimit.
Por, pos luftërave klasike (e ne jemi edhe viktima, edhe dëshmitarë), ka edhe luftëra të tjera që bëhen pa armë: aso të denigrimit, të segregacionit, të diskriminimit, të urisë, të skamjes dhe të shuarjes madje të motivit për ta jetuar një jetë të dinjitetshme. Në rastin tonë, kjo “luftë speciale” solli edhe luftën e armatosur. Mirëpo kur erdhi paqja u kthye lufta speciale sërish. Por tash, viktimizuesi e viktima janë të të njëjtit gjak. Një qark vicioz që duket nuk ka si të ndërpritet.
Me hap të breshkës
Pra, ndërkohë në Kosovë nuk ka ndryshime thelbësore. Dje më në fund Kuvendi, me gjasë, ka vendosur ta organizojë një debat për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, që është caktuar për datën 3 gusht. Se përse duhet pritur edhe gati tri javë që kjo mbledhje të mbahet, nuk e di që e sqaroi kush. Nëse palët që nuk po pajtohen rreth temës i kanë argumentet, ato mund të paraqiten si tash, si pas një muaji. Me gjasë pushteti është në kërkim të akomodimit edhe të një numri të caktuar deputetësh, ashtu që të sigurohet se do t’i ketë votat e mjaftueshme për ta kaluar ligjin.
Sipas kryeparlamentarit, ky debat është i vonuar, porse “është më mirë të mbahet vonë se kurrë”, ani që fuqia për ta thirrur një debat të këtillë ka qenë që nga fillimi në duart e tij. Nga ana tjetër, kryeministri me një deklaratë të “pështjelltë” na la të nënkuptojmë se ky debat është i kotë, ngase përafërsisht e tha se “debati do të duhej të na tregonte nëse ka hapësirë që dikur më vonë të ulemi me Malin e Zi e t’i shqyrtojmë modalitetet e ndryshimeve eventuale”. Pra, atë që e pret kryeministri është që Marrëveshja të miratohet në Kuvend. Pikë.
Ngase, nëse kjo nuk ndodh, Kosova, pos liberalizimit, do të rrezikojë edhe transformimin e FSK-së në FAK, për shkak se Amerika nuk do ta përkrahë Kosovën. Kështu së paku e ka shkruar Mustafa në FB, kur doli për të shpjeguar se çfarë kishte folur me Nulandin javën e shkuar. Pra, kryeministri, i cili pas takimit me zyrtaren e lartë amerikane nuk del në konferencë të përbashkët shtypi për të folur për takimin, zgjedh mënyrën e komunikimit që i përshtatet – aty ku është i sigurt se askush nuk mund t’ia shtrojë asnjë pyetje. Posaçërisht ndonjë pyetje që do ta mbështeste për mur, sepse argumentet që po i jep sa herë flet për demarkacionin e të ngjashme janë sikur ta dëgjoje një fëmijë tek shtyhet me inat me shokun a kundërshtarin.
Se çfarë do të dalë nga kjo punë, mbetet të shihet. Porse me të Kosova i humbi nëntë muaj kohë të vlefshme, që ka mundur të orientohet në shumë punë të tjera që “po plasin” në kërkim të reformës – në fakt, në kërkim të reformimit të të gjithë Kosovës së fundosur në lloç.
Deri kur me rrena
Gojën plot zhvillim ekonomik, kjo Qeveri po ballafaqohet me dy probleme përmbajtjesore: një, që ka trashëguar shumë, shumë probleme nga qeveritë e udhëhequra nga Thaçi, dhe dy, që nuk ka kapacitet për të bërë ndryshime, për shkak se i udhëheq politikat e njëjta (të improvizuara) sikurse edhe garnitura paraprake.
Me sistem shëndetësor disfunksional dhe shumë të korruptuar; me sistem arsimor të bërë shoshë; me papunësinë më të lartë në rajon, dhe me sistem ekonomik të mbështetur mbi evazionin fiskal, mungesën e parasë qarkulluese dhe me rritjen e grumbullimit të tagrave doganore, Mustafa nuk mund të reformojë asgjë. Në fakt, as që do. Sepse situata e këtillë i konvenon si partisë së tij, ashtu edhe partnerit të vet të koalicionit.
Kështu, në këso situate, del propozimi, e me gjasë edhe miratimi i shpejtë i projektit për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, ende pa përfunduar kjo për në Shkup. Sërish kalkulohet se ajo do të kushtojë 10 milionë euro për kilometër – dhe me gjasë ndërtuesi do të jetë i njëjti. Thuajse s’ka tjetër në rajon, dhe thuajse çmimi nuk mund të zbresë kurrë. Do të na shkojnë edhe 250 milionë euro në një rrugë, dhe ky do të jetë suksesi më i madh kapital i kësaj Qeverie. Se a bash është ky prioriteti më i madh që ka Kosova, me gjasë Qeveria e di më mirë, se ajo i bën hesapet. Atë që e dimë ne është se është marrëzi të shpenzohen madje 2 miliardë euro për 170 kilometra rrugë. Kilometra që jo pak herë deri tash janë riparuar për shkak se punët janë ekzekutuar pa mbikëqyrje dhe me cilësi, tash po del, jo të duhur.
Marrëzi tjetër është edhe shpenzimi i 70 milionë eurove vjetore për pensionet e veteranëve, me gjithë kundërshtimin e FMN-së që insiston që shpenzimi të zvogëlohet për 20 milionë, me dy propozime konkrete: që ose të zvogëlohet pensioni, ose të rishikohen listat edhe një herë. Në mes këtyre opsioneve, më e mira do të ishte kjo e dyta, sepse fillimisht do të përcaktohej numri i saktë (ose së paku më i përafërt) i veteranëve që përnjëmend janë veteranë, dhe përfundimisht, për shkak se 20 milionëve do të mund t’iu gjendej vendi për përdorim në reformimin e sistemit të arsimit, që prej kohësh është shndërruar në mjetin më të suksesshëm për manipulime statistikore dhe për sigurimin e votave.
Loja me numra
Sipas Agjencisë së Statistikave, Kosova ka 264 mijë nxënës të fillores, 88 mijë në të mesmen dhe madje 120 mijë studentë. Pra, gjithsej rreth 472 mijë fëmijë e të rinj të përfshirë në sistemin arsimor, publik e privat. Shikuar përfshirjen me shifra, do të duhej të ishim të gëzuar se na është rritur numri i fëmijëve që e vijojnë shkollimin. Mirëpo, kur i krahasojmë me shifrat e arsimit të para luftës, ajo që trondit më së shumti janë dy fakte: një, që numri i fëmijëve është zvogëluar për brez (më 1997 një brez ka numëruar 43 mijë filloristë, tash numëron 34 mijë) dhe dy, që numri i studentëve, pra i atyre mbi moshën 18 vjeç, votues potencialë, është tetëfishuar që nga lufta.
Pra, përderisa nga njëra anë është mirë që të kemi sa më shumë intelektualë (në kuptim të arsimimit), nga ana tjetër jemi dëshmitarë se cilësia e të diplomuarve nga universitetet në përgjithësi, e nga ato private në veçanti, është nën nivelin e pranueshëm akademik. Shumë nga ata që mbajnë tituj masterësh e doktorësh nuk mund ta flasin gjuhën si duhet, e lëre më ta shkruajnë pa gabime. Mjafton t’i dëgjoni deputetët dhe ministrat për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Sepse shumica e tyre, titujt akademikë i kanë arritur pas luftës.
Është marrëzi që në një vend kaq të vogël si Kosova, me mundësi të krijimit (edhe pse as këtë nuk e dimë a duhet besuar) të 18 mijë vendeve të punës në vit, të themelohen pesë a gjashtë universitete publike, edhe nja njëzet private. E që këto, nga ana tjetër, t’i prodhojnë 30 mijë të diplomuar në vit. Pra, 18 mijë vendet e punës i përshijnë të gjitha kualifikimet, që në fund mund t’i lënë madje të gjithë të diplomuarit e rinj universitarë pa punë.
Nga aspekti i establishmentit politik, themelimi i universiteteve publike nuk ka qenë marrëzi. Ka qenë investim i mirë me shpagesë të shumëfishtë: krijimin e “tezgave” për militantët partiakë; shpërdorimin e parasë publike në krijimin e institucioneve pa kuadro të kualifikuara; shlyerjen e 120 mijë vetave në vit nga lista e të papunëve dhe sigurimin e një pjese të konsiderueshme votash nga votuesit e rinj, të cilëve u amortizohet elani i të qenit motor i ndryshimeve në shoqëri. Marrëzi ka qenë t’u besohet vendimmarrësve se universitetet po themeloheshin për të mirën e popullit. E edhe më marrëzi ka qenë t’u besohet se kjo apo cilado qeveri pa vizion e pa ide mund t’i krijojë 200 mijë vende të punës.
Dhe pas një përmbledhjeje të këtillë del edhe përgjigjja e vërtetë se përse Qeveria po insiston me kaq ngulm se Marrëveshja me Malin e Zi është e mirë: sepse po qe se vërtet do të na liberalizohen vizat, nuk duhet shumë mend për të kuptuar se cilët janë të parët që do të ikin nga Kosova. Përnjëherë do të mund të ishin këta 30 mijë të diplomuarit. Apo edhe të 120 mijët, sepse po shihet shumë qartë se ky vend nuk prodhon perspektivë.
Prodhon vetëm luftën speciale që denigron, diskriminon, shkakton uri e skamje dhe e shuan madje edhe motivin për ta jetuar një jetë të dinjitetshme. Prodhon tensione sociale që janë ende shumë të heshtura, por që kur më së paku do të mund të pritej, do të mund të eksplodonin.
* * *
Në Tunizi një i ri u vetëdogj në shenjë proteste, dhe e ndezi krejt një popull për ta rrëzuar të keqen nga pushteti. Dikush do të thotë se ky mund të ketë qenë veprim i çmendur. Ndoshta. Por më i marrë do të kishte qenë reagimi i popullit, po të mos ishte revoltuar.
Do të duhej të mësonim nga të tjerët – jo që të vetëdigjemi, por që qarkun vicioz ta ndërpresim. Pa marrëzi, por me mend.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...