Prontoland

9 Gusht 2016 - 08:09 - Flaka Surroi      

Javën tjetër mund të ketë protesta masive, e ndoshta edhe jo. Sepse kosovarët apatikë duket se kanë çuar duar nga të gjitha – por jo nga pushimet verore dhe dasmat. Sepse duket se të gjithë e përsërisin që Kosova nuk ka alternativë politike – se kushdo që do të vinte në pushtet do të ishte njësoj i keq. Për shkak se ata që dikur gjuanin gurë në njëri-tjetrin, tash rrinë të ulur rreth tavolinës së pushtetit që e ndajnë.

Adem Grabovci: Nestra ki me shkue n'Brezovicë.
Kandidati: Çka me bo atje?
Ademi: Ki me ba gara në snou bord, se n'krejt bordet tjera i kem shti tonët, veç edhe qeky ka metë.
Kandidati: Po unë s'di me skiju.
Ademi: E kryme o, medalen e artë ki me fitu.

Është barsoleta më e mirë që më ra ta lexoj në dy ditët e fundit (me autor Fisin, mikun tim të FB) e që rrodhi nga shpërthimi i aferës Pronto 2 – publikimin e përgjimeve që i ishin bërë shefit të grupit parlamentar të PDK-së në kohën sa ishte nën hetime në rastin e MTPT-së. Do të kujtojmë, se shefi i shefave, para se të kalonte në Kuvend, kishte qenë zëvendësministër i Transportit, ku për shef e kishte pasur Fatmir Limajn. E për të cilin, sipas asaj që po e kuptojmë nga përgjimet, nuk kishte pasur ndonjë mendim fort të mirë që me thënë.

Grabovci i kishte shpëtuar aktakuzës për mungesë provash, por jo edhe shefi i tij në dikaster së bashku me këshilltarët. Dhe përderisa ai i pari do të vazhdojë ta luajë rolin e kryesit të punëve të fëlliqura të urdhëruara nga shefat e tij partiakë e shikistë, ky i fundit mund të mbarojë në burg, ngase është rasti, i cili qe gjashtë vjet nuk merr fund, që ishte nisur zhurmshëm nga EULEX-i si i pari në kapjen e peshqve të mëdhenj.

Ani që krejt çka ka arritur të bëjë EULEX-i deri tash mund të përkufizohet me të vjetrën: “U drodh bjeshka, polli miu”.

Pafytyrësia

Pas aferës së parë, ku u zbulua çarja e brendshme në PDK dhe komunikimi i ulët ndërmjet të fortëve të kësaj partie, doli vazhdimi i serialit, që në formën më të thjeshtë të mundshme e përshkruan modus operandin e kësaj klike të ardhur në pushtet me mashtrime e vjedhje votash. Nuk befason fare gjuha vulgare – as e kryetarit të shtetit, por as e bashkëbiseduesve të tjerë: është karakteristikë e mujsharëve që e dinë se askush nuk mund t’u bëjë asgjë, sepse që të gjitha i kanë nën kontroll.

Rasti i Bahri Hysenit, ish-kryetarit të Shtërpcës, ish-sekretarit të Ministrisë së Shërbimeve Publike në kohën e Jakup Krasniqit, ministër, deputetit të PDK-së, e tash së fundi edhe Prokurorit të Shtetit në Ferizaj, është mbase shembulli më i mirë i pozicionimit të njerëzve të dëgjueshëm dhe të përdorshëm në pozita të rëndësishme institucionale dhe, nominalisht, të pavarura. Njeriu, i cili as nuk kishte “kunkurrruar” për anëtar Bordi të KOSTT-it, nuk e dinte madje as çfarë domethënieje kishte ky ent. Me rëndësi ishte se “ai i nevojitej partisë për të qenë aty”. Natyrisht, për shkak se KOSTT-i ka shumë para. E partisë i nevojitej dikush që do t’i shtynte vendimet sipas udhëzimeve të shefit të shefave, përderisa para opinionit do të flitej për integritetin e këtij kandidati.

Sinqerisht, pavarësisht nëse Bahri Hyseni është njeri i mirë ose jo, kush mund të besojë se punën prej prokurori do ta kryejë sipas etikës profesionale, e jo sipas instruksioneve politike të shefave. Kam përshtypjen se vetëm shefat e tij do ta besonin këtë përrallë.

Nuk befason asnjë grimë edhe sjellja e personazhit kryesor të Pronto 2. Pa fije turpi, as pa u skuqur as pa u zverdhur, doli para Kuvendit për të folur për patriotizmin e tij dhe të familjes së tij. Foli se si është i hapur para organeve gjyqësore, po qe se ato e vlerësojnë se duhet ndërmarrë veprime juridike, porse jo para se të deklaronte se dalja në shesh e këtyre përgjimeve në fakt e synon eliminimin e tij politik.

Po të kishte qenë vërtet patriot, siç deklarohet, është dashur të jepte dorëheqjen menjëherë pas aferës së parë Pronto. Ose është dashur të jepte dorëheqjen pasi që fëmijët e tij, që sulmuan një polic dhe e kërcënuan me armë zjarri, i shpëtuan burgimit, sepse u dënuan me gjobë prej 3 mijë eurosh. Përfundimisht, do të duhej ta jepte dorëheqjen tash – si “alfa dhe omega” e rehatimit të njerëzve të dobishëm nëpër vende ku kontrollohen paraja dhe pushteti. Nëse për asgjë tjetër, për shkaqe morale.
Por, shumë është të kërkohet moral nga dikush që sillet dhe vepron sikur të ishte mafioz i zhdërvjelltë.

Ngutia e Lumezit

Ajo që befasoi për të keq ishte konferenca e shtypit e kryeprokurorit, i cili doli për të deklaruar se incizimet nuk jepnin indice për ndjekje penale. Por edhe duke deklaruar të famshmen: askush nuk është mbi ligjin.
E se ka njerëz që janë mbi ligjin e dëshmojnë vetë përgjimet. Vetë futja e njerëzve në listë, që nuk kanë konkurruar për vende të caktuara, është shkelje e institucionit të konkursit, për pasojë edhe shkelje e ligjit. Kurse përzgjedhja e kandidatëve, duke i manipuluar intervistat, është edhe falsifikim, i dënueshëm me Kodin Penal.

Se përse iu desh Lumezit të dilte ditën e parë për ta dhënë një deklaratë të tillë, mbase do ta kuptojmë ndonjëherë – kur t’i shkruajë kujtimet e veta. Porse fakti është se deklarata nuk kishte fare kuptim, për shkak se këto incizime janë nga viti 2012; kanë qenë në duar të prokurorëve të EULEX-it dhe që nga ajo kohë është ditur se ekzistojnë – pra askush nuk e ka ndaluar Prokurorinë e Shtetit që të merret me ato përgjime. Natyrisht, askush pos atyre që e kanë fuqinë për ta bërë këtë punë: shefat.
Dalja e pardjeshme për të thënë sesi në marrëveshje me kryeprokurorin e EULEX-it përgjimet i janë dhënë prokurorit të rastit të MTPT-së, që ky ta bëjë një përmbledhje me konkluzion, është edhe më absurde se dalja në konferencën e shtypit. Prokurori i rastit i MTPT-së ka qenë ai që i ka kërkuar këto përgjime. Pra, i ka pasur në dispozicion që nga fillimi, e nuk ka ndërmarrë asgjë.

Pse duhet besuar se do të ndërmarrë diçka tash? Për Lumezin, kjo është ikja elegante e marrjes së përgjegjësisë së hetimit - mbase edhe për shkak se, nga kjo çka po shohim e dëgjojmë, do ta ketë vështirë ta gjejë një prokuror që nuk është i emëruar politik e që është i guximshëm sa për t’i shkuar kësaj pune deri në fund. EULEX-it aq ia bën. Ashtu siç aq ia ka bërë para katër vjetësh.

Kushte për liberalizim?

Me këtë situatë në prapavijë, u mbajt “debati shkencor” për demarkacionin, e të cilit i parapriu një shkrim skandaloz i kryeministrit në FB. Me një gjuhë absolutisht të papranueshme për një akademik, i shpalli të sëmurë mendërisht të gjithë kolegët universitarë që e kundërshtojnë atë. Duke e degraduar debatin paraprakisht dhe duke e përsëritur se versioni të cilin e mbron ai është e vetmja e vërtetë. E vërteta absolute.

Në debat mori pjesë edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, për të përsëritur se korrupsioni dhe demarkacioni me Malin e Zi ishin kusht për liberalizimin e vizave për kosovarët. Pra në një debat “shkencor” me shumë argumente, që sjellin në dyshim saktësinë e demarkacionit, anglezo-italiani, Gnocchi, zgjedh të tregojë për kushtin.

Presion elegant diplomatik. Megjithatë, trysnia ushtrohet pa e dhënë përgjigjen për problemin thelbësor që ka Kosova. Në situatën hipotetike, ku Kuvendi po e bën marrinë dhe po e voton marrëveshjen e demarkacionit, njëri kusht do të plotësohej. Po ky tjetri? Si do t’ia bëjë BE-ja vlerësimit se korrupsioni në Kosovë po luftohet apo se edhe është mundur dhe zhdukur, kur përgjimet e para katër vjetëve Misioni i shtrenjtë i BE-së i ka lënë në sirtarë? Pse e gjithë kjo mungesë e sinqeritetit dhe cili është interesi që fshihet pas këtij insistimi? Hajde që tokën mund të na e marrin në këmbim për vizat. Kush garanton që ato nuk do të na i mohojnë më vonë, për shkak se vazhdojmë me nivel të njëjtë të korrupsionit. Ndërkohë, tokën kush do të na e kthejë?

Të njëjtit tel i ra edhe ambasadori amerikan, prezenca e të cilit në atë mbledhje vetëm sa kishte dëshmuar se i gjithë debati ka qenë i kotë dhe vetëm shminkë demokracie e parlamentarizmi. Askush nuk u bind se tjetri kishte të drejtë, dhe pozicionet e kundërta vazhdojnë të qëndrojnë. Të tilla do të barten në Kuvend – dhe e vetmja gjë që nuk dihet është se edhe sa thirrje telefonike do t’i bëjë shefi i shefave për t’i bindur deputetët e vet edhe disa të tjerë se Marrëveshja duhet të votohet me kusht, që garanton se nëse del ndonjë telash, do të shkohet në arbitrazh. E kjo e fundit është budallallëk: sepse, po qe se Kuvendi e vulos atë, arbitrazhi do të mundë të bëjë vetëm korrigjime simbolike.

Procedimi i Ligjit nga Qeveria me shpejtësi dhe në një mbledhje, që dy herë ndërroi orar, vetëm tregon se javën tjetër mund të jemi dëshmitarë të përplasjeve të reja në Kuvend dhe jashtë Kuvendit. Mbase do të ketë protesta masive, e ndoshta edhe jo. Sepse kosovarët apatikë duket se kanë çuar duar nga të gjitha – por jo nga pushimet verore dhe dasmat. Sepse duket se të gjithë e përsërisin se Kosova nuk ka alternativë politike – se kushdo që do të vinte në pushtet do të ishte njësoj i keq.

Për shkak se ata që jo moti gjuanin gurë në njëri-tjetrin, tash rrinë të ulur rreth tavolinës së pushtetit që e ndajnë. Sepse të gjithë po e dimë se Kosova ka nevojë për dikë që e udhëheq këtë vend e këtë popull: dikë që nuk ka ambicie diktatoriale dhe që ka njohuri dhe ide sesi ta zhvillojë atë. Dikush që nuk është provuar në politikë dhe, pos që i ka duart e pastra, ka dhe tru.

* * *

Kosova, ky vend i fundosur në krizë edhe ekonomike, edhe politike, por mbi të gjitha në krizë të vlerave, ka nevojë për një ndryshim rrënjësor. Ndryshim, i cili nuk do të vijë përderisa qytetarët të mos zgjohen nga amullia në të cilën janë burgosur qe sa vjet. Ka nevojë edhe të ëndërrojë: që për shembull Kuvendi të mos e votojë demarkacionin dhe që Qeveria të bjerë. E që më pas qytetarët të vetëdijesohen asisoj që më të mos ua qesin votat këtyre që na fundosën. Për më tepër, që ta mbrojnë votën e tyre, e të mos lejojnë që ajo t’u vidhet.

Por përderisa Kosova vazhdon të jetë Prontoland, edhe ëndrrat na bëhen ankthe. Sikurse është puna e “zolës” që e goditi ndërtesën e Kuvendit parmbrëmë. Duhet gjetur çelësin e zgjimit. Sa më shpejt.

[email protected]

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...