Foto: Koha

Novosella e Pejës bëhet me infrastrukturë të re kur lënda ndodhej në Gjykatën e Tenderëve

21 Qershor 2016 - 11:00      

Pejë, 21 qershor – Qendra e fshatit Novosellë të Pejës është bërë me infrastrukturë të re. Trotuaret e kubëzuara, gjelbërimi dhe ndriçimi publik kanë hijeshuar fshatin.

Mirëpo punimet janë realizuar në kohën derisa lënda e këtij tenderi gjendej ende në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ku paneli i OSHP-së ende po shqyrtonte ankesat e dy operatorëve ankues, shkruan sot “Koha Ditore”. Pas 6 muaj procedurë OSHP ka publikuar më 9 qershor vendimin e saj të fundit për këtë tender.

Fillimisht dy operatorë N.N. “Vala” nga Raushiqi i Pejës dhe “Ndërtimi & Valbona-GJ” nga Peja, me ankesat e tyre kishin kundërshtuar vendimin e Autoritetit Kontraktues – Komuna e Pejës, për dhënien e kontratës së tenderit operatorit “Dajting SHPK”.

Kjo ka ndodhur në dhjetorin e kaluar.

E derisa po shqyrtohej në seancën kryesore lënda e këtij tenderi, punimet në fshatin Novosellë veç gjendeshin para përfundimit. Operatori i shpallur fitues nga autoriteti kontraktues pa përfunduar procesi në OSHP i kishte nisur punimet ndërtuese një muaj para se të mbahej seanca kryesore shqyrtuese e panelit të OSHP-së.

E në këtë seancë të shqyrtimit kryesor, autoriteti kontraktues ishte arsyetuar se kontratën e nënshkruar më 14 shkurt me operatorin kontraktues e paska bërë për shkak se projekti ka qenë një bashkëfinancim i komunës me organizatën e huaj “Helvetia Homus” dhe po të mos e kishte nënshkruar kontratën, komuna do ta humbte donacionin nga kjo organizatë.

Situata e re e krijuar me nënshkrimin e kontratës, sipas ekspertit teknik, ka parashkruar ankesat e operatorëve ekonomikë, që kanë kërkuar që tenderi të kthehet në rivlerësim. Por paneli shqyrtues ka vendosur ndryshe, pavarësisht konstatimeve të ekspertit teknik për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik në procedurën e tenderimit, bazuar në ankesat e operatorit “N.N. VALA”.

Më 3 qershor paneli shqyrtues në vendin e tij ka vërtetuar vendimi e Autoritetit Kontraktues për dhënien e kontratës, kurse operatorit ankues N.N. Vala i ka rekomanduar që për dëmshpërblim t’i drejtohet gjykatës.

“Në kuadër të 12 projekteve bashkëpunimi mes Komunës së Pejës dhe DEMOS-it, janë duke u kryer punimet edhe në Fshatin Novosellë, përkatësisht rregullimi i hapësirave publike pranë ambulancës së fshatit. Ky projekt parasheh që përmes investimit në trotuare, gjelbërim e ndriçim publik të ngrihet cilësia dhe të përmirësohet jeta e secilit qytetar. Investimi është me participim 50 për qind Komuna e Pejës dhe 50 për qind Helvetas - Swiss Intercooperation dhe DEMOS- Decentralisation and Municipal Support”, thuhet në publikimin e Komunës. Drejtori për Shërbime Publike, Ukë Selimaj, që është nga fshati Novosellë, pohon se nuk e ka ditur që punimet në fshatin e tij po realizohen pa përfunduar ende e tërë procedura në OSHP. “Nuk kam pasur njohuri që lënda e këtij projekti paska qenë ende në OSHP”, tha Selimaj... (më shumë, sot në “Kohën Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...