Në katër komuna këshilltarët opozitarë më aktivë në adresimin e çështjeve publike

8 Shkurt 2017 - 09:04      

Prizren, 8 shkurt – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), të martën, ka publikuar “Fletënotimin” për kuvendet e komunave: Malishevë, Rahovec, Dragash dhe të Mamushë, në kuadër të të cilit raport del se këshilltarët opozitarë janë treguar më aktivë në adresimin e çështjeve publike në interes të qytetarëve.

“Fletënotimi” përmban analizën dhe notimin për punën individuale të anëtarëve të këtyre KK-ve dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këto institucione, për periudhën janar-dhjetor 2016, bazuar në 9 shtylla të vlerësimit si: propozimet për rende dite, pjesëmarrja në diskutime gjatë seancave, pjesëmarrja në diskutime në emër të grupit të anëtarëve, inicimi i çështjeve, amendamentimi i legjislacionit, inicimi i rregulloreve, pyetjet parlamentare, mungesa në seanca si edhe gjuha joparlamentare, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas rezultateve të dala nga monitorimi i KDI-së në KK-në e Malishevës, anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira gjatë vitit të kaluar në të gjitha kategoritë janë: Valon Hoti (LVV) me 22.7 për qind, Ahmet Rrahmanaj (PDK) me 14.6 për qind, dhe Januz Kastrati (LDK) me 12.6 për qind të vlerësimit të përgjithshëm. “Anëtarët e këtij organi kanë ngritur gjithsej 483 çështje, nga ku rezulton se 50 për qind e çështjeve të ngritura kanë qenë të dedikuara në interes të qytetarëve të kësaj komune, derisa 50 për qind e tyre kanë pasur të bënin me aspektet procedurale të punës së organeve të Komunës së Malishevës”, thuhet në komunikatën e KDI-së. Këshilltari më aktiv në ngritjen e çështjeve ka qenë Valon Hoti (LVV) duke shënuar numrin më të lartë të çështjeve me 26.0 për qind, i përcjellë nga Ahmet Rrahmanaj (PDK) dhe Januz Kastrati (LDK) me nga 15 për qind përkatësisht 13 për qind të çështjeve të ngritura.

Ndërkaq në KK-në e Rahovecit, anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë janë: Florie Boshnjaku (AAK) me 14.5 për qind, Fatmir Iska (AAK), me 11 për qind, dhe Rasim Fazliu (PDK) me 8.2 për qind, të vlerësimit të përgjithshëm. “Anëtarët e KK-së në adresë të ekzekutivit lokal kanë parashtruar gjithsej 200 pyetje, nga të cilat 62 për qind e tyre kanë qenë nga fushat me interes për qytetarët e Rahovecit ndërkaq 38 për qind e pyetjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Rahovecit”, shkruan në njoftimin e KDI-së.

Në KK-në e Dragashit, anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë janë: Zaim Hajredini (AKR) me 10.4 për qind, pasuar nga Velid Hadzisin (VAKAT) me 10.3 për qind e Samedin Xheladini (LDK) me 9.7 për qind të vlerësimit të përgjithshëm. Velid Hadzisin (VAKAT) ka shënuar nivelin më të lartë të diskutimit, lidhur me pikat e rendit të ditës me 10.2 për qind të diskutimeve të përgjithshme. “Anëtarët më aktivë në parashtrimin e pyetjeve në KK-në e Dragashit kanë qenë: Kapllan Fetahu (LDK) me 13.7 për qind i përcjellë nga Zaim Hajredini (AKR) me 11 për qind të pyetjeve të përgjithshme”, ka bërë të ditur KDI.

Ndërsa anëtarët që prijnë me rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në KK-në e Mamushës janë: Abdulhadi Krasniç (KDTP) me 34.9 për qind, Halim Sadiku (PDK) me 34.5 për qind dhe Mehmet Mazrek (KTAP) me 9.5 për qind të vlerësimit të përgjithshëm. Sipas raportit anëtarët e KDTP-së në KK-në e Mamushës kanë shënuar nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në diskutime në të gjitha seancat e mbajtura gjatë periudhës janar-dhjetor 2016 me 34.7 për qind, të pasuar nga KTAP-ja dhe PDK-ja me nga 31.9 për qind. “Gjatë seancave të mbajtura në periudhën janar-dhjetor 2016, nga anëtarët e KK-së së Mamushës janë ngritur gjithsej 65 çështje, prej të cilave 48 për qind nga fusha me interes për qytetarët e Mamushës, ndërsa 52 për qind e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të kësaj komune”, përfundon komunikata e KDI-së.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...