Foto: Koha / ilustrim

INPO: KK i Ferizajt nxjerrë vendime kundërligjshëm

1 Shkurt 2017 - 15:23      

Organizata INPO reagon ashpër ndaj vendimeve të jashtëligjshme të Kuvendit Komunal të Ferizajt për hedhjen në shqyrtim publik të Planit Zhvillimor Komunal dhe faljen e borxheve Shoqatave të dala nga lufta si dhe shoqatës së ish- të burgosurve politikë për shfrytëzimin e autoparkingjeve.

Bazuar në monitorimin e INPO-s, seanca e parë e KK-së është përcjellë me parregullsi të shumta, që nga përgatitja e rendit të ditës e deri te dokumentacioni nga ana e ekzekutivit dhe mënyra e votimit.

“Propozim vendimin për hapjen e diskutimit publik për Planin Zhvillimor Komunal, INPO e vlerëson si papërgjegjshmëri të kryesuesit të kuvendit dhe kryetarit të komunës, si dhe shkelje të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 43, i cili obligon kryesuesin e kuvendit, që materialet e mbledhjes t’ia dërgoj anëtarëve të kuvendit 7 ditë para mbledhjes. Ndërsa, draft-Plani Zhvillimor Komunal i është dërguar anëtarëve vetëm 3 ditë më herët. Kësisoj, shumica dërmuese e anëtarëve të kuvendit nuk kanë pasur mundësinë as ta lexojnë këtë draft-plan e lërë më t`i kuptojnë objektivat dhe projeksionet strategjike zhvillimore të komunës. Për më tepër, ky draft-plan, nuk u prezantua para anëtarëve të kuvendit nga kompania konsulente “INSI”, e cila kishte përfaqësues të saj në mbledhje. Madje nuk u sqaruan një mori dilemash të ngritura nga këshilltari Enver Haliti. Të njëjti iu mohua e drejta e replikës nga kryesuesi i Kuvendit”, thuhet në reagimin e INPO-s.

Mosgatishmëria e anëtarëve të kuvendit, përjashto 2 apo 3 anëtarë, për të diskutuar draftin e dokumentit më të rëndësishëm zhvillimor të komunës dhe heshtja ndaj parregullsive për këtë pikë të rendit të ditës, sipas INPO-s, dëshmon papërgjegjshmërinë totale të kuvendit si organi më i lartë vendimmarrës në komunë.

“Ky kuvend, pas propozimit të kryetarit të komunës, mori vendim të jashtëligjshëm dhe jashtë kompetencës së tij, që të falë borxhin e akumuluar në vlerë prej 208 mijë eurosh, shoqatave të dala nga lufta dhe shoqatës së ish- të burgosurve politikë, të cilët që nga viti 2008 kanë shfrytëzuar dhe menaxhuar autoparkingjet e qytetit”, potencon kjo organizatë.

“Kuvendi komunal dhe as kryetari nuk kanë asnjë lloj kompetence apo mandati ligjor që t`i falin borxhet subjekteve të ndryshme, të cilat nuk i kanë kryer obligimet e veta kontraktuale. Për më tepër, ky kuvend është dashur që të kërkojë llogari nga kryetari i komunës, se pse nuk është intervenuar në kohë për të evituar akumulimin e borxhit. Gjithashtu të kërkohet llogari për dështimin në menaxhimin e kontratës për shfrytëzimin e autoparkingjeve”, thekson më tej INPO.

Prandaj, INPO shpreh indinjatë ndaj qasjes së tillë të Kuvendit Komunal.

INPO, kërkon që këto dy vendime të anulohen nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
- I pari, për shkak të shkeljes së proceduarave të përgatitjes së dokumentit, zhvillimit të debatit dhe paqartësive në procesin e votimit
- I dyti për shkak të mungesës së bazës ligjore dhe dëmit që i shkaktohet buxhetit të komunës.
“Gjithashtu, kërkojmë nga Kryetari i Komunës Muharrem Svarqa, t`i sqarojë publikut arsyet e mos arkëtimit të qirasë nga autoparkingjet dhe ta publikojë kontratën për dhënien në shfrytëzim të autoparkingjeve”, përfundon INPO. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...