20 Janar 2017 - 21:28
Gafurr Zeneli, banor i këtij fshati, thotë se shumë familje kanë mbetur pa gjëra ushqimore dhe pa shërbime mjekësore, raporton KTV.
”Jemi në hall sepse prej më shumë se 4 ditë kemi mbetur të bllokur nga ortekët e borës, ndërkohë nuk po mundemi ta zhvillojmë asnjë veprimtari e sidomos ata të cilët kemi ferma të kafshëve”, ka thënë një qytetar.
Bllokimi i rrugës ka pamundësuar edhe zhvillimin e procesit mësimor në shkollën fillore “Hajredin Bajrami”.
Sekretari i shkollës, Bekim Azemi, thotë se shkolla i plotëson kushtet teknike të ngrohjes, mirëpo nga bora e madhe nuk po mund të qarkullojnë nxënësit.
“Rreth 50 nxënës të kësaj shkolle nuk po e ndjekin mësimin prej disa ditësh, si pasojë e bllokimit të rrugës. Shkolla i plotëson kushtet teknike të ngrohjes, mirëpo si pasojë e rrugës, nuk po mund të qarkullojnë nxënësit, prandaj e kemi njoftuar me kohë komunën, por rruga ende nuk është hapur. Ditët e humbura për nxënës do t’i zëvendësojmë në ditët në vazhdim”, ka thënë Azemi.
Opozita në Lipjan ka kritikuar komunën dhe kompaninë e “Pastrimit” për dështim në mirëmbajtje të rrugëve.
“Komuna ka pranuar qindra ankesa nga qytetarët që rrugët janë shumë të vështirësuara dhe në disa fshatra të bllokuara, mirëpo nuk ka intervenuar me kohë. Gjithashtu trotuaret e qytetit janë të bllokuara, megjithëse kjo kompani paguhet nga taksat e qytetarëve. Këto institucione nuk kanë sjellë shërbime gjatë këtyre ditëve të gjendjes së jashtëzakonshme, prandaj për këto dështime do t’i ngrehim akuzat edhe në mbledhjen e radhës në KK”, ka thënë Florent Hoxha i PDK-së.
Drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Lipjanit, Heset Sahiti, pranon se kompania ka dështuar t’i mbajë të hapura të gjitha rrugët e kësaj komune.
Ai thotë se megjithëkëtë kompania është duke bërë përpjekje për hapjen e të gjitha rrugëve.
“Për vitin e ardhshëm, do të ndahet kontrata për mbeturina dhe për pastrim të borës sepse kjo kompani sivjet nuk ka mundur të intervenojë me kohë në të gjitha fshatrat si pasojë e mungesës së makinerisë. Gjatë këtyre ditëve, telashe më të mëdha kemi me rrugën e fshatit Mirenë, Lluga, Gllanicë etj, megjithëse kompania po mundohet ta kryejë punën e vetë, por që nuk ka makineri të mjaftueshme”, ka thënë Sahiti.
Nga ana tjetër, Xhelal Krasniqi, përgjegjës i kompanisë “Pastrimi” në Lipjan, nëpërmjet telefonit, ka thënë se në fshatin Mirenë janë duke u munduar ta hapin rrugën, mirëpo është shfaqur një problem në makineri.
Ai ka thënë se ata kanë kërkuar ndihmë nga niveli qendror.
“Ortekët e borës kanë bllokuar rrugën e fshatit Mirenë, mirëpo ne po mundohemi me të gjitha kapacitetet tona t’i pastrojmë ato, megjithëse janë shfaqur edhe disa probleme teknike në makineri sepse fuqia e ekskavatorit nuk po i përballon trashësisë së madhe të borës, andaj kemi kërkuar ndihmë edhe nga qendra”, ka thënë ai.
Banorët e Mirenës së Lipjanit tash 4 ditë të... by kohanet
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...