Ish-ambasadori Walker i dha shpresë luftës në Kosovë

16 Janar 2017 - 14:40      

Ish-ambasadori William Walker është shpallur sot “Qytetar Nderi” i Gjilanit, dhe me këtë rast kryetari i kësaj komune është shprehur se, “Walker i dha shpresë luftës në Kosovë”.

Përmes një komunikate për media thuhet se komuna e Gjilanit nderoi njëri prej njerëzve, i cili i dha shpresë të ardhmes, në kohën kur rezistohej e luftohej me armë kundër pushtuesit dhe punohej kolektivisht për të arritur lirinë.

Për më tepër, Haziri theksoi se ambasadori Walker i dha shpresë çdo luftëtari, çdo familje, çdo të burgosuri e çdo individi dhe e falënderoi atë për kontributin që ka dhënë që të fitohej liria kolektive dhe që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur.

“Ndihemi krenarë që sot, në kuadër të këtij viti, ky njeri i cili është angazhuar për Kosovën në të gjitha misionet e tij, është me ne”, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se Walker është njeriu që si ambasador, si diplomat, si përfaqësues i një shteti të fuqishëm, kudo ka punuar për interesa të njeriut dhe mbijetesës së tij.

Duke ri-sjellë një kujtim të asaj kohe, Haziri nënvizoi faktin se në atë periudhë kishte qenë në burg, bashkë me shumë shqiptarë të tjerë dhe se nuk kishte mundur të informohej për ardhjen në Kosovë të misionit monitorues të OSBE-së dhe ambasadorit William Walker, por vetëm e dinin se këtu po bëhej luftë.

Ndërkaq, ish-ambasadori Walker, pasi e ka pranuar titullin “Qytetar Nderi” nga kryetari Lutfi Haziri, është shprehur i impresionuar nga puna e përbashkët e subjekteve politike në Gjilan si dhe përfaqësimi i gruas në vendimmarrje, që më herët nuk ka qenë kështu.

“Përvoja ime e parë në Kosovë, ka qenë kryesisht takime me burra, ndërsa tani më shumë bie në dukje roli i femrës në politikë dhe vendimmarrje”, ka thënë Walker.

Ai ka thënë se në Kosovë ka edhe ndryshime tjera shumë të mëdha në krahasim me vitin 1999, ndërkohë që i ftoi të gjitha partitë politike që të bashkëpunojnë për të mirën e vendit të tyre.

Duke rikujtuar masakrën e Reçakut, ish-ambasadori Walker tha se kur erdhëm në Kosovë, në vitin 1999, misioni ynë ishte neutral, por unë shumë shpejt e pashë se këtu nuk bëhej fjalë për neutralitet.

“Ngjarjet në terren treguan se këtu, një qeveri me forca policore, ushtarake, paramilitare e me sisteme të sigurisë, po luftonte kundër një populli të pambrojtur”, është shprehur ai.

Walker tha se me pavarësimin e vendit, shqiptarët dëshmuan se mund ta marrin në dorë shtetin dhe nënvizoi se personalisht është dhe do të mbetet një mik emocional me këtë popull.

Valentina Bunjkau-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit, tha se ky çmim, ambasadorit Walker i ndahet për kontributin e tij madhor në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë dhe për informimin e botës mbi pasojat e tmerrshme të luftës në vendin tonë.

Ajo e cilësoi ambasadorin amerikan një mik të madh të shqiptarëve dhe prej tash një mik të veçantë edhe të Gjilanit.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...