
27 Dhjetor 2016 - 14:57
Kështu thuhet në një reagim të Komunës së Podujevës, ku mes tjerash thuhet se “për informim të drejtë të qytetarëve dhe opinionit, Komuna e Podujevës reagon ndaj kësaj “ekspozite” dhe deklaratave të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje të bëra në media, duke i cilësuar si të pabaza të gjitha spekulimet e tyre për mos përmbushje të premtimeve dhe mos realizim të projekteve”.
“Është krejt normale të propagandohet dhe të bëhet fushatë me qëllim të përfitimit të poenëve politikë. Por, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje është shërbyer kryekëput me të pavërteta. Për të dëshmuar se gjithçka që kanë ekspozuar në emër të “keqqeverisjes” janë gënjeshtra dhe trillime është angazhuar vetë kryetari i VV-së në Podujevë, i cili në mënyrë të paskrupullt sajon, duke mos u kënaqur me dyfishim të distancës së rrugës Podujevë-Prishtinë, që është 30 km, kurse kreu i VV-së, Bajram Ajeti thotë se distanca në kilometra në dy drejtimet është 140 km, që sipas matematikës së tij i bie të jetë 70 km në një drejtim rruga nga Podujeva në Prishtinë”, thotë komuna e Podujevës në këtë reagim, raporton Koha.net.
“Ekspozita” e gënjeshtrave të VV, sipas Komunës së Podujevës, përcillet pastaj me projekte që janë kryer, e të cilat ata nuk duan t’i shohin, “sepse me aparatin e tyre fotografik kanë ngarendur të kapin bërllok në ndonjë skutë të qytetit, ndonjë makinë të parkuar në trotuare, ndonjë fshatar duke shitur produktet e tij diku në trotuar...”.
“Kanë mundur të shkojnë e të fotografojnë, ose të marrin fotografitë dhe të dhënat për shumë projekte të realizuara që kanë të bëjnë me investime në zhvillim ekonomik, investime në infrastrukturën rrugore, rrjet kanalizimi, trotuare, ndriçim publik, ura, rregullim shtretërish të lumenjve, subvencione në bujqësi, shëndetësi dhe mirëqenie sociale, ndërtim të komplekseve sportive rekreative, në qytet te Salla e Sporteve “Hakif Zejnullahu” dhe asaj në Kërpimeh, si dhe fusha sportive nëpër shkolla”, thuhet më tej në këtë komunikatë.
Komuna më tej thotë se Vetëvendosje ka mundur ta pranojë të vërtetën se “në vend të Maternitetit, Podujeva sivjet është bërë me Spital të Përgjithshëm, që do të funksionalizohet në vitin 2017. Është bërë edhe Teatri i Qytetit “Avdush Hasani” i cili do të zhvillojë aktivitetin në sallën e cila edhe është dedikuar për teatër, por që nuk e përjashton projektin për ndërtimin e Qendrës së Kulturës”.
“Të gjitha këto projekte i shohin, i prekin dhe i gëzojnë qytetarët e Podujevës falë investimeve kapitale të bëra gjatë gjithë mandatit qeverisës së LDK-së, por edhe gjatë këtij mandati, ku janë realizuar mbi 90% të projekteve të planifikuara në investimet kapitale, pra edhe të shpenzimit të mjeteve për këtë kategori buxhetore, e jo 31%, siç pretendojnë në VV”, thotë më tej Komuna e Podujevës.
Kjo komunë thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka platformën e saj politike dhe synimet, në kuadër të kësaj edhe propagandën dhe agjitimin, “por krejt këtë mund ta bëjnë në mënyrë pak më të arsyeshme”.
“E, me “ekspozitën” e sotme dyshojmë se keni fituar besim apo simpati te qytetarët, përkundrazi. Dolët tepër gënjeshtarë dhe qesharakë”, ka përfunduar reagimi i Komunës së Podujevës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...