
21 Dhjetor 2016 - 12:45
Kryesuesja e KK të Gjilanit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se një diskutim më i gjerë për këto pika do të zhvillohet në Kuvend Komunal, që mblidhet javën e ardhshme, më 29 dhjetor, kur edhe përmbyllet agjenda e punës për sivjet.
Komuna e Gjilanit, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se opozita ka ngritur shqetësimet e saj rreth asfaltimit të disa rrugëve, që, sipas opozitës, po bëhet në kushte të papërshtatshme atmosferike, përkatësisht rekrutimit të stafit arsimor nga komisione partiake.
Bujar Nevzati ka thënë se grupi i këshilltarëve të PDK-së, është i shqetësuar për faktin se rekrutimi i kuadrit arsimor, sipas një konkursi të fundit, po bëhet nga një komision partiak, gjë që përbën shkelje të ligjit. Ai ka thënë se komisionet për rekrutim duhet të jenë të përbërë nga anëtarë jopartiakë dhe që kanë përgatitje shkollore më të lartë se kandidatët dhe i ka inkurajuar ata të cilët janë refuzuar që të ankohen.
Shqetësimi tjetër i grupit të këshilltarëve të PDK-së, ka të bëjë asfaltimin e disa rrugëve, të cilat po bëhen javëve të fundit, kur temperaturat kanë rënë deri në minus 12 gradë, ndërkohë që për shtrimin e tamponit, temperatura më e ultë mund të jetë plus 2 gradë, ka thënë Nevzati.
Njëherësh, ai ka thënë se në disa rrugë, trashësia e asfaltit është më e vogël se sa parashihet në kontratë dhe ka kërkuar të bëhet një inspektim i gjendjes në terren.
Këto vërejtje i ka përkrahur edhe Nevzad Isufi (VV). Isufi ngriti dyshime edhe për cilësinë e punimeve në rrugët që po asfaltohen këto ditë, në kushte jo të përshtatshme atmosferike, derisa sa i përket komisionit për pranimin e kuadrit mësimor në shkolla, ka thënë se nuk duhet të lejohet që vlerësimin ta bëjnë komisione partiake dhe që kanë cilësi më të ulëta se kandidatët.
Ai ka pasur vërejtje edhe për planin e punës së Kuvendit Komunal për vitin e ardhshëm dhe ka kërkuar që të lihet mundësia për paraqitjen e propozimeve në seancën e Kuvendit.
Valentina Bunjaku Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, i ka rikujtuar Isufit se grupimi politik i LVV kishte refuzuar të merrte pjesë në komisionin për hartimin e planit të punës, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që ky plan të plotësohet e përmirësohet në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal.
Sa i përket kërkesës për një vizitë të rrugëve, Bunjaku-Rexhepi është shprehur e gatshme për të dalë në terren, bashkë me anëtarët e Kuvendit, por ajo ka thënë se Kuvendi nuk mund të formojë komision për vlerësimin e punimeve, sepse për këtë ekziston organi mbikëqyrës i projektit.
Ndërkaq, në lidhje me shqetësimet e opozitës për rekrutimet e stafit arsimor, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se akuzat janë të padrejta, sepse asnjëri nga anëtarët e komisionit nuk kanë pozita partiake dhe as funksione politike në Drejtorinë e Arsimit, ndërkohë që ka rikujtuar PDK-në se edhe në qeverisjen e saj, njësoj është vepruar në përzgjedhjen e komisioneve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...