Mustafa vuri gurthemelin e Qendrës së Kulturës në Obiliq

19 Dhjetor 2016 - 16:35      

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vuri gurthemelin e Qendrës së Kulturës në Obiliq, e cila do të mbajë emrin e Heroit të Kombit, Xhavit Haziri.

Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi dhe shumë personalitete dhe qytetarë të Obiliqit, kryeministri Mustafa tha se kjo Komunë që moti e ka merituar ta ketë një shtëpi të kulturës, të ketë objekte të kulturës dhe objekte të tjera, të cilat i meriton si një qytet i afërt me Prishtinën.

“I gëzohem kësaj, sepse e di në çfarë gjendje ka qenë shtëpia e mëparshme e kulturës. Edhe të rinjtë edhe qytetarët e Obiliqit meritojnë të kenë ambiente më të mira kulturore, prandaj përgëzoj kryetarin e Komunës për këtë investim të rëndësishëm që po bëhet këtu dhe Ministrinë e Kulturës bashkërisht”, tha kryeministri.

Më tej, Mustafa përgëzoi qytetarët edhe për Ligjin për Obiliqin të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës si një ligj tepër i rëndësishëm për këtë komunë, i cili do t’i mundësojë komunës që të ketë burime zhvillimore, dhe trajtim shumë më të mirë të ambientit edhe të investimeve e të infrastrukturës.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se ndërtimi i Qendrës së Kulturës është një ëndërr e kamotshme e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe kërkesë e gjithë qytetarëve të cilët merren me artin, kulturën, ëndërr kjo që, sipas Gashit, shumë shpejt do të bëhet realitet.

Me këtë rast, kryetari i Obiliqit falënderoi kryeministrin Mustafa dhe ministrin Shala që me përkushtim e trajtuan kërkesën për fillimin e ndërtimit të Qendrës së Kulturës.

“Më kujtohet kur erdhi në vizitën e parë ministri dhe ndër kërkesat që diskutuam bashkërisht, ne shprehëm shqetësimin për Shtëpinë e Kulturës dhe gjendjen e saj. Me kërkesën e tij ne e vizituam Shtëpinë e Kulturës dhe vetë ministri tha se me të vërtet paska nevojë të ndërtohet një Shtëpi e Kulturës”, tha Gashi, duke falënderuar ministrin që ky përkushtim i tij tashmë po bëhet realitet. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...