Peja përballet me një mijë kërkesa për strehim

16 Dhjetor 2016 - 13:31      

Pejë, 16 dhjetor – Zyrafete Drevina nga Peja dhe Ajete Berisha nga fshati Baran, ishin dy nga dhjetëra qytetarë që të enjten përballën kryetarin e komunës me kërkesa të ndryshme në prag të fundvitit, shkruan sot Koha Ditore.

Zyrafete Drevina 42 vjeçe dhe nënë e tre fëmijëve tregon se jeton nga 100 euro ndihma sociale, derisa burri i saj është i papunë. “Kam ardhur të lus kryetarin nëse mundet me ma gjet ndonjë punë”, tregon ajo arsyen pse po priste para zyrës së kreut të komunës. Jo vetëm një vend pune, por edhe një banesë kishte ardhur të kërkojë nga kryetari, Ajete Berisha, nënë e katër fëmijëve. “Jemi shtatë anëtarë e burri nuk punon.

Edhe na jetojmë nga ndihma sociale dhe banojmë në një dhomë që na e ka lëshuar në shtëpinë e vet axha i burrit”, tregon Berisha nevojat që i ka familja e saj. Në përgjithësi kërkesat e qytetarëve ishin të njëjta, e kishte edhe disa që kishin ardhur të ankohen për konteste pronësore dhe ndonjë problem tjetër që kishin me komunë apo me dikë tjetër. Të gjitha këto kërkesa e ankesa vetëm që janë dëgjuar nga kryetari i komunës, se ndonjë ndihmë konkrete nuk kanë pasur prej tij. “Qytetarët po vijnë t’i qajnë problemet e veta me kryetarin e komunës, por ne si komunë nuk po mund të bëjmë asgjë.

Na mundohemi me iu përgjigj vetëm kërkesave që janë në domenin e komunës”, thotë shefi i kabinetit të kryetarit, Durim Sheremeti. E në domenin e komunës është edhe sigurimi i strehimit për raste sociale, por Komuna e Pejës ende nuk ka ndërtuar një banesë për rastet sociale. “Komuna nuk ka banesa sociale, sepse nuk kemi mjete për ndërtimin të tyre e as nuk janë paraparë me buxhet. U kemi bërë kërkesa disa donatorëve dhe jemi në pritje të përgjigjeve”, thotë Sheremeti. Aktualisht në Pejë janë 1 mijë e 100 familje që jetojnë nga ndihma sociale, derisa janë 100 familje që gjatë këtij viti kanë kërkuar strehim nga komuna.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...