15 Dhjetor 2016 - 14:15
Lladrovci ka thënë se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjente ka synim të vazhdueshëm që të rrisë bashkëpunimin e ngushtë në shërbim të qytetarëve tanë, me qëllim të intervenimit me kohë.
Përveç finalizimit të projekteve të miratuara në asamblenë komunale, ai thotë se prioritet i tij për vitin 2017 është edhe zgjidhja e çështjes së Stacionit të Autobusëve, me qëllim të funksionalizimit të shërbimit të transportit publik dhe sjelljes së të mirave materiale për buxhetin e komunës.
“Do t’i rregullojmë edhe vendet e pritjes për udhëtarët e autobusëve”, ka shtuar ai.
Lladrovci ka premtuar se do ta ndërtojë edhe mbikalimin te Korrotica e Epërme, se do ta funksionalizojë tregun ditor në Drenas dhe do ta zgjidh edhe çështjen e tregut të gjelbër në Komoran.
“Prioritet do ta kem edhe zgjidhjen e çështjes së ambientit në qendrën zejtare, çështjen e ujit, kanalizimit, gjelbërimit dhe parkingut”, ka thënë Lladrovci.
Edhe zjarrfikësve të Drenasit, Lladrovci u ka premtuar se do t’ua barazojë pagat me kolegët e tyre në Kosovë.
Si prioritete të tjera, ai ka përmendur edhe sigurimin e hapësirave të reja për parkingje, ndryshimin e kaheve të disa rrugëve brenda qytetit, vendosjen e disa semaforëve në qytet, shënjimin dhe ruajtjen e pronës publike, si dhe bashkëpunimin me organet e rendit dhe rritjen e sigurisë nëpër shkolla.
Kandidati i PDK-së për të parin e Drenasit ka treguar se do të vazhdojë vendosjen e kamerave në qendër të qytetit dhe ka premtuar edhe realizimin e projektit për trajtimin e qenve endacakë.
“Komuna po vazhdon të shtrijë shërbimin e menaxhimit të mbeturinave në tërë territorin. Largimi i deponive ilegale dhe vendosja e shenjave për vetëdijesim të qytetarëve është prioritet i drejtorisë për shërbime publike në Drenas”, ka thënë Lladrovci.
Kjo drejtori, sipas tij, për vitin 2016 ka pasur buxhet për projektet kapitale në vlerë prej 352 mijë euro, kurse mirëmbajtja e hapësirave publike, përfshirë sheshin dhe parkun e qytetit, rrugët gjatë sezonit veror dhe dimëror, ndriçimi i qytetit, mirëmbajtja e kanalizimeve dhe gropave septike, si dhe rregullimi i varrezave kanë qenë përgjegjësitë kryesore të saj.
Këtë vit, Lladrovci ka thënë se komuna ka ndarë buxhet edhe për heqjen e shpenzimeve të varrimit për qytetarët, me qëllim të lehtësimit të shpenzimeve për familjarët.
“40 mijë euro është buxheti i miratuar për heqjen e shpenzimeve të varrimit”, ka thënë Lladrovci.
Në fund të prezantimit të tij, kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit ka paraqitur edhe investimet e planifikuara kapitale në vlerë prej 350 mijë eurove për të gjitha shërbimet publike në komunën e Drenasit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...