Krejt çka ndodhi sot në Drenas [Përmbledhje e KTV-së]

4 Dhjetor 2016 - 19:12      

Procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit është përcjellë me disa parregullsi.

Policia gjatë paradites, ka marrë në pyetje e kryesuesin e qendrës së votimit në Abri të Epërme, ku procesi zgjedhor është ndërprerë për disa minuta për të vazhduar më pas, por pa kryesuesin, raporton KTV.


Zgjedhjet në Drenas by kohanet

Po ashtu, parregullsi u raportuan edhe qendrën e votimit në Likoshan, pikërisht te shkolla “Rexhep Gjeli”, ku sipas rrjetit të Organizatave joqeveritare që kanë monitoruar zgjedhjet, “Demokracia në Veprim”, një person ka votuar për tre anëtarë të familjes.

Se ka pasur shoqërime, e thotë edhe kryesuesi i këtij vendvotimi, por nuk e pranon se dikush ka votuar për më shumë persona.

Vëzhgues të shumtë nga OJQ-të që kanë monitoruar zgjedhjet, tregojnë për raste të ndryshme që ata thonë t’i kenë evidentuar gjatë zgjedhjeve në Drenas.

Numri i qytetarëve që dolën për të votuar në orët e mëngjesit, ishte i vogël.

Ndërkaq, qytetarët e anketuar shpresojnë shumë që këto zgjedhje të ndikojnë në rregullimin e jetës së tyre.

Në anën tjetër, janë shënuar edhe vonesa në hapjen e qendrave të votimit.

Gjithsej në Drenas për të parin e komunës, janë hapur 28 qendra votimi dhe 72 vendvotime.

Të drejtë vote patën 52 mijë e 569 votues. Asnjë votues nuk është regjistruar për të votuar jashtë vendit.


Zgjedhjet në Drenas 1 by kohanet

Kutive të votimit, të dielën në mëngjes, në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, u janë drejtuar edhe kandidatët potencialë për kryetar të kësaj komune.

Kandidati i Partisë Demokratike, Ramiz Lladrovci, ka thënë se duke votuar, japim kontributin për të ardhmen e përbashkët.

Derisa ai i Lidhjes Demokratike, Bedri Nika, i shoqëruar nga familja e tij, ka votuar në qendrën e votimit në fshatin Gllanasellë, prej nga u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

Në garën për të parin e Drenasit, janë edhe Isa Xhemajli nga Nisma dhe Vehbi Berisha nga Fjala.

Derisa votuan, të dy kandidatët theksuan rëndësinë që këto zgjedhje të jenë të lira dhe demokratike.

Procesi i votimit nuk kaloi si duhet për kandidatin e pavarur, Xhavit Drenori, pasi nuk u gjet në lista të votimit emri i bashkëshortes së tij.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se procesi i votimit ka shkuar mirë.

Procesin zgjedhor në Drenas e ka monitoruar edhe një ekip i prokurorëve të angazhuar nga Prokuroria e Shtetit.

Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, përveç prokurorëve, për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës derisa kanë paralajmëruar se do të reagojë në të gjitha rastet e incidenteve gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve, për çdo raportim apo keqpërdorim të votës.

Gjithashtu, Prokuroria u është drejtuar edhe medieve, duke i paralajmëruar se do të merren masa konkrete në rastet e dezinformimit apo informimit të rrejshëm përmes portaleve dhe rrjeteve sociale.

Menjëherë pas kësaj, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ndaj, siç e quajnë ata, kërcënimit që prokuroria ua ka bërë mediave.

“Paralajmërimi në formë kërcënimi nga ky institucion paraqet shqetësim serioz për mediat dhe gazetarët. Ky është presion mbi mediat dhe qytetarët që të shprehen lirshëm, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutë,” thuhet në reagim.

AGK-ja e konsideron të papranueshme këtë qasje të Prokurorisë së Shtetit.


Zgjedhjet në Drenas 2 by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...