Veseli i fton investitorët e huaj në Drenicë dhe premton fabrika tjera

24 Nëntor 2016 - 17:25      

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot ka marrë pjesë në përurimin e Fabrikës së Mishit "Weng Fat Poultry", në fshatin Polac të komunës së Skenderajt.

Veseli, sipas komunikatës zyrtare, ka thënë se Drenica nuk është vetëm qendër e krenarisë kombëtare, por edhe një zonë e mundësive ekonomike, ku investitorët mund gjejnë klimë të mirë për të bërë biznes, kurse qytetarët mundësi të reja për të punuar dhe krijuar mirëqenie për familjet e tyre.

“Zhvillimi ekonomik i Drenicës, si dhe i tërë vendit, është obligim i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të jeni të sigurt të gjithë ju që sot jeni mbledhur këtu, gjithë drenicakët, gjithë qytetarët tanë, se ekonomia dhe zhvillimi i saj janë prioriteti ynë i parë”, ka thënë kryeparlamentari.

Kreu i Kuvendit i ka falënderuar investitorët gjermano-holandez për investimin e tyre, siç ka thënë ai, në mesin e njerëzve me virtyte të larta dhe shumë punëtorë.

“Përçoni mesazhin te kolegët tuaj, ejani investoni në komunën e Skenderajt. Ejani investoni në Komunën e Drenasit, në të gjitha komunat e Kosovës, sepse keni me pas përkrahje të fuqishme”, ka shtuar Veseli. Ai ka thënë se do të stimulohet çdo prodhues vendor, sepse Kosova ka shumte shumë të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Kemi nevojë ta punësojmë këtë armatë të të rinjve tanë”, ka thënë Veseli, duke treguar se në Komunën e Skenderajt së shpejti pritet të investojë edhe një kompani angleze në një fabrikë të panxharsheqerit.

“Kemi premtime që do të kemi edhe investitorë të tjerë që do të vijnë në komunën e Skenderajt, komunën e Drenasit dhe në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Kosova do të shndërrohet në kantier të ndërtimit të fabrikave”, ka thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Nga ana tjetër, investitori i fabrikës për përpunimin e mishit, Gerttjan Tomassen, ka thënë se janë të kënaqur me mikpritjen dhe ndihmën e Komunës së Skenderajt, ndërsa premtoi vazhdim të investimeve.

Edhe ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, i siguroi investitorët për mbështetjen, duke theksuar se me hapjen e fabrikës për përpunimin e mishit fitojnë edhe fermerët e rajonit të Drenicës.

Sipas investitorëve gjermano-holandez, në fabrikën për përpunimin e mishit do të investohen 1 milion euro dhe në fazën e parë do të punësohen 60 punëtorë, për të vazhduar më pas me rritjen e numrit të punëtorëve.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...