Leverdia rrit sipërfaqet me boronicë në Dukagjin

23 Nëntor 2016 - 09:11      

Pejë, 23 nëntor – Janë prodhuar tonët e parë të boronicës në fshatin Vitomiricë të Pejës nga fidanët e mbjellë vitin e kaluar, në një sipërfaqe prej 4.2 hektarësh.

Besnik Lila, një nga bashkëpronarët e këtij plantacioni të boronicës, tregon se ky projektpilot është treguar i suksesshëm, pasi i tërë produkti është eksportuar në shtete evropiane. “Vjet e kemi nisur këtë projekt në Vitomiricë dhe puna ka rezultuar me produkt cilësor për tregun evropian. I tërë produkti është eksportuar dhe kanë kërkuar edhe më tepër”, thotë Lila me origjinë nga Prishtina, i cili ka jetuar në Holandë dhe tashti është kthyer në Kosovë me këtë projekt. Sasia e eksportuar, sipas tij, ka qenë 7 tonë boronicë nga e tërë sipërfaqja. Kjo sasi, siç thekson ai, do të ishte edhe më e madhe po të ishin fidanët në vitet e pjekurisë.

“Fidanishtja jonë është e re dhe në fillimin e saj, së cilës i duhen 6 deri në 7 vjet kohë për të arritur pjekurinë e pastaj jep 12 deri 18 tonë boronicë për një hektar. Kurse çmimi i saj lëviz çdo muaj, por në kohën kur ne e prodhojmë në Kosovë çmimi është 5.5 deri në 6 euro për një kilogram. Pra, ka leverdi të merresh me këtë biznes, por të mos harrohet se është një kulturë që kërkon angazhim dhe vëmendje intensive”, thotë Lila.

Të martën është mbajtur në Pejë një konferencë e investitorëve me qëllim të nxitjes së fermerëve dhe bizneseve për të investuar në kultivimin e boronicës.

Brian Martalus, drejtor i Zyrës së USAID-it për zhvillim ekonomik në Kosovë, u tha fermerëve të pranishëm, që vinin nga komunat e rajonit të Pejës, Gjakova dhe Juniku, se kultivimi i boronicës po tregohet si burim i rritjes ekonomike dhe punësimit.

Gjithashtu edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Kurtan Kajtazi, ka ftuar fermerët dhe bizneset e tjera që të investojnë në kultivimin e boronicës në Rrafshin e Dukagjinit, pasi, siç e përsëriti edhe ai, për boronicën janë kërkesa të mëdha në treg dhe çmimi i lartë i saj ka bërë që shumë fermerë tashmë janë joshur ta kultivojnë boronicën.

Sipërfaqet e mbjella me boronicë në disa rajone të Kosovës ka arritur në 45 hektarë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...