Krasniqi: Politika e keqe e Thaçit e ka çuar Drenasin në zgjedhje

12 Nëntor 2016 - 17:55      

Simpatizantë, anëtarë, familjarë e qytetarë të tjerë të Komunës së Drenasit u tubuan sot për ta përkrahur kandidatin tashmë të zgjedhur nga Nisma për Kosovën, Isa Xhemajli, për kryetar të Drenasit.

Me këtë rast, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi tha se këto zgjedhje janë rrjedhojë e politikës së gabuar të presidentit Hashim Thaçit.

Krasniqi akuzoi Thaçin duke thënë se të gjitha marrëveshjet politike që janë arritur nga kreu i shtetit, duke përfshirë demarkacionin, janë të dëmshme. Sipas tij, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, e kanë sjell më shumë këtë të fundit në vendin tonë.

“Këto zgjedhje janë pasojë e një politike të gabuar, që është udhëhequr për vite në nivel qendror nga kreu i shtetit, z. Hashim Thaçi dhe partia e tij. Ai politikën e interesit kombëtar që sa vite e ka kthyer në politikë të interesit personal dhe të interesit grupor, dhe si pasojë e këtij interesi të ngushtë edhe Kosova edhe Drenica është në këtë gjendje, në të cilën jem dhe gjendja nuk është mirë. Por, jemi të bindur se me angazhim tonë për qytetarët, me qytetarët do t’i bëjmë ndryshimet dhe rrjedhat negative që kanë marr politikën e Kosovës do t’i kthejmë në rrjedha pozitive. Prezenca e juaj sot këtu edhe shumë të tjerëve që nuk kanë mundur të jenë këtu, është argumenti më i mirë që qytetarët donë t’i bëjnë zgjedhjet e duhura”, tha Krasniqi, raporton KP.

Ish-kryeparlamentari Krasniqi, e quajti paradoks rastin “Drenicës 2”, duke thënë se ata që kanë sjell lirinë, burgosen, kurse ata që kanë qenë kundër lirisë, janë të lirë dhe si pasojë e kësaj po bëhen edhe këto zgjedhje.

Kurse, kandidati i Nismas, Isa Xhemajli tha se i kemi thyer kufijtë e partive politike. Ai tha se partitë politike kanë pak rëndësi për të, e rëndësishme për të është kontributi dhe angazhimi që ka bërë për këtë komunë.

“Sot keni thyer kufijtë e partive politike dhe keni ardhur këtu për të mbështetur mua, birin e juaj që tërë jetën kam punuar, kam vepruar dhe tërë pasurinë e familjes time e kam vënë në dispozicion të qytetit dhe fshatrave të Drenasit. I tillë kam qenë dhe i tillë do të mbetem, sepse për mu pak vlerë kanë partitë politike që formohen e ç’formohen, pak vlerë kanë koalicionet që bëhen e prishen. Unë dua me parë vendin tim të zhvilluar, sepse kam obligim ndaj të gjithë atyre shokëve, gjymtyrët e të cilëve i kam grumbulluar me dorë për t’i futur në varr”, tha Xhemajli.

Në anën tjetër, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj derisa tha se Kosova është në gjendje të rendë për shkak të politikave të këqija, sipas tij shteti i Kosovës ka nevojë për të vërtetën dhe jo për mashtrim dhe e cilësoi Isa Xhemajlin si kandidatë të denjë për Komunën e Drenasit.

“Jo rreth emrit të Isa Xhemajlit, po atë çka përfaqëson Isa Xhemajli, rreth saj duhet të bashkohemi, rreth energjive pozitive dhe një njëri që është i gatshëm t’i bashkojë qytetarët e Drenasit, pa dallim mendimi, bindjeve politike që kanë pasur deri më tash. Njeri i cili është i interesuar që t’ia kthejë një qeverisje njerëzore dhe humanë këtij qyteti. Drenasi ka nevojë të ndihet i liruar e i bashkuar, prandaj ne jemi sot këtu për t’i dhënë mbështetjen e mjaftueshme bashkë me ju Isa Xhemajlit. Isa Xhemajli ka nevojë për ju, por unë besoj mbi të gjitha, Drenasi ka nevojë për atë që përfaqëson Isa Xhemajli”, tha Limaj.

Ky tubim është organizuar me rastin e kandidimit të Isa Xhemajlit për kryetar të Drenasit nga Nisma, pasi ish-kryetari Nexhat Demaku u detyrua të jap dorëheqje pas dënimit që mori për tri vjet burg, për krime lufte në rastin “Drenica 2”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...