Inaugurohet shkolla e re “Isa Boletini” në Rahovec

17 Tetor 2016 - 17:36      

Sot u përurua objekti i ri i shkollës fillore “Isa Boletini”, në Rahovec, projekt ky i financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë në vlerë rreth 1 milion euro.

Me këtë objekt të ri, kjo shkollë po i përmbushë standardet dhe kushtet më moderne për mësimdhënie në Rahovec.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi tha se Kosova ka fuqinë e krijimit të kuadrove të rinj, edhe pse nuk ka fuqi ekonomike.

“Ne si vend, si shtet i ri, duke pasur parasysh që nuk kemi shumë mundësi të zhvillohemi në aspektet e ekonomisë, si ajo që është industri e rëndë edhe të jemi fuqi e madhe ekonomike... por jemi një fuqi e madhe në krijimin e kuadrove të rinj në fusha të ndryshme të arsimit dhe shkencës, sepse e kemi një rini shumë të shëndoshë, të mrekullueshme”, tha Vehapi.

Ai premtoi se edhe në të ardhmen do të ketë projekte për ndërtimin shkollave të reja në këtë komunë.

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Luigji Bursa, tha se KE vetëm që nga viti 2013 deri 2016, ka investuar 20 milionë euro në sektorin edukimit, kurse, vetëm për shkollën “Isa Boletini” janë ndarë 800 mijë euro.

“Asistenca jonë nuk është vetëm teorike, ne jemi duke e mbështetur Kosovën drejt pjesës më të rëndësishme, drejt integrimit në Bashkimin Evropian, dhe kjo vlen njëkohësisht për të gjithë fëmijët sikur këta djem dhe vajza që i kemi përreth nesh këtu, të cilët janë aktoret e ardhshëm që do ta dërgojnë Kosovën drejt rrugëtimit në BE. Për këtë arsye ne kemi ndihmuar për ndërtimin e kësaj ndërtese, për krijimin e kushteve për fëmijët që të ecin përpara, andaj, ftesa ime për të gjithë vajzat dhe djemtë në këtë sallë do të ishte, mësoni sa më shumë dhe ne do t’iu ndihmojmë të vazhdoni tutje në procesin e mësim nxënies”, tha Brusa.

Ai ka dashur të sigurohet nga të gjithë, si nga komuna e Rahovecit po ashtu edhe nga Ministria e Arsimit, që të kujdesin për mbikëqyrjen e këtij objekti mjaft modern, në mënyrë që edhe gjeneratat e ardhshme të kenë hapësira të mjaftueshme të edukimit.

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci theksoi rëndësinë e një momenti të tillë, kur përurohet objekti i një shkolle të re. Ajo tha se Të ndërtosh një shkollë, është të ndërtosh një fanar.

“Mendojë se është një nga momentet e veçanta për të gjithë ne në Republikën e Kosovës, kur përurojmë një shkollë të re. Të ndërtosh një shkollë, është të ndërtosh një fanar. Në kohërat kur na duket se ka mjegull, ka errësirë dhe rrugë të pa qarta, shkollat janë ato që vazhdimisht e kanë ndriçuar rrugën e drejt prej ku duhet një popull të shkoj… Kurse, ne si Ministri e Arsimit na mbetet që të kujdesemi për të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës”, tha Statovci.

Drejtori i shkollës “Isa Boletini”, Sakip Kryeziu, duke falënderuar Komisionin Evropian për financimin e ndërtimit të shkollës, ka shpërndarë edhe disa mirënjohje për atë të cilët kontribuuan në ndërtimin e kësaj shkolle në qendër të qytetit. Në fund u shfaq edhe një program festiv nga nxënësit e shkollës.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...