15 Tetor 2016 - 19:06
Që prej se kanë nisur investimet në ndërtimin e hidrocentraleve, Deçani vazhdon të jetë i ndarë në dy taborë, raporton KTV.
Një pjesë vazhdon të jetë kundër mënyrës së ndërtimit të tyre, pasi vlerëson se projekti ka dëmtuar në masë shumë të madhe turizmin e kësaj ane, ndërsa pjesa tjetër nga institucionet thotë se Deçani ka përfituar shumë nga ky investim, sidomos në punësim dhe se dëmet do të rigjenerohen.
Shoqëria civile që po vazhdon t’i kundërshtojë investimet nga kompania austriake Kelkos, akuzon institucionet se ka shkelur me të dy këmbët ligjet e miratuara duke ia dhënë lejen kompanisë në fjalë.
Sipas Adem Lushajt, drejtor në “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, përfitues i këtij projekti nuk është Deçani, por manastiri serb dhe se kompania nuk po i përmbahet marrëveshjes, e cila përcakton që 30% të ujit duhet të lihet për qarkullim të lirë.
Nga ana tjetër, gazetari Naim Haxhosaj, që ka përcjellë zhvillimin e këtij projekti nga fillimi thotë se për shkak të moskontrolleve të mëdha në mënyrën e kryerjes së investimeve, kësaj komune i ka humbur perspektiva në turizëm.
Por, me këto deklarime nuk pajtohen zyrtarë të Komunës së Deçanit.
Drejtori për Urbanizëm, Planifikim hapësinor dhe mbrojtje të mjedisit, Ramë Melaj thotë se komuna e Deçanit ka përfituar nga këto investime, siç ka përfituar edhe shteti.
Megjithatë pranon se janë ndërmarrë disa herë masa ndaj kompanisë ndërtuese pasi ka shkelur marrëveshjen.
Edhe Melaj ka dyshime për një marrëveshje jo të shkruar në letër, ndërmjet kompanisë dhe manastirit, por thotë se kjo mund të shfrytëzohet për të mirë të komunës.
Kompania ka lëshuar në punë njërin nga hidrocentralet, ndërkohë që ka filluar ndërtimin edhe një hidrocentrali tjetër në thellësi të bjeshkëve të Deçanit.
E njëjta ka licencë nga ZRRE-ja për prodhim të energjisë deri në fund të prillit të 2024-ës.
Kohavisioni ka kërkuar nga zyrtarë të saj disa informacione nëse kompania po i përmbahet licencës së marrë, por nga ta nuk është kthyer asnjë përgjigje.
Kjo kompani ka aplikuar për ndërtimin edhe të hidrocentraleve në Pejë, por pavarësisht një marrëveshjeje të arritur më 2013 me komunën, me ardhjen në pushtet të LDK-së, kryetari i ri i kësaj komune e anuloi të njëjtën.
Kundër kësaj marrëveshje janë edhe shoqëria civile dhe ambientalistët.
Sipas kërkesave të BE-së, Kosova deri në vitin 2020 duhet të ketë kapacitete të prodhimit të energjisë së pastër në jo më pak se 20%.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...