Veseli: Kosova mburret me bashkëjetesën midis qytetarëve të besimeve të ndryshme

9 Tetor 2016 - 15:20      

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e shugurimit të kishës “Shën Abrahami”, në Llapushnik të Drenasit.

Në fjalën e tij të rastit, ai ditën e sotme e konsideroi të veçantë për besimtarët katolikë të Llapushnikut dhe për të gjithë qytetarët e këtij vendi - simbol i luftës së UÇK-së.

Kryetari Veseli tha se Kosova mburret me atë që të tjerët e quajnë tolerancë ndërfetare, por që në fakt, është diçka më e madhe se toleranca: është bashkëjetesa midis qytetarëve të besimeve të ndryshme.

Sondazhi, shtoi kryeparlamentari Veseli, tregon se qytetarët e Kosovës janë qytetarët me solidarë, jo vetëm rajon, por në nivel evropian e global, për të cilën, meritë të veçantë kanë udhëheqësit fetarë të të gjitha besimeve tona.

“Për ne, feja gjithmonë ka pasur kuptimin e paqes, mirëkuptimit, solidaritetit dhe humanizmit. Prandaj, nuk është e rastësishme që nga kjo tokë e bekuar doli edhe simboli më i madh i bamirësisë në botën bashkëkohore, Nënë Tereza. Ne do të vazhdojmë të jemi bashkatdhetarë të denjë të saj, duke ruajtur dhe kultivuar traditën e harmonisë fetare, e cila gjithandej botës po i habitë njerëzit që punojnë për paqen dhe mirëkuptim midis popujve dhe religjioneve. Ne do të vazhdojmë t’i ruajmë si pasuri kombëtare, identitetet e ndryshme fetare të vendit tonë”, theksoi Veseli.

Në këtë mënyrë, shtoi kryetari i Kuvendit, po garantohet e ardhmja e vendit tonë, zhvillimi dhe integrimi i tij në familjen e shoqërive të lira dhe demokratike, duke dhënë, gjithashtu, shembullin se si bota mund të qëndrojë e bashkuar në dallimet e saj.

“Në fund dua të them dy fjalë për qytetarët e Llapushnikut. Nga sot, krenarisë suaj si fshat i rezistencës për liri, i shtohet edhe krenaria e të qenit fshat i bashkëjetesës fetare. Qëndroni të bashkuar në këto vlera, sepse Kosova krenohet me ju. Urime dhe e gëzofshi këtë tempull të ri”, tha në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...