Këshilltarja e pavarur e pakënaqur me gjendjen aktuale në Suharekë, dorëhiqet

5 Tetor 2016 - 10:40      

Suharekë, 5 tetor – Albanë Ndreca nuk do të jetë më këshilltare e Kuvendit të Komunës së Suharekës, meqë ka dhënë dorëheqjen.

Letrën e dorëheqjes ajo e ka protokolluar të hënën, ndërkohë që kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Refki Gega, ka theksuar se dorëheqjen e ka pranuar të martën dhe menjëherë e ka proceduar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, për zëvendësimin e këshilltares në fjalë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në letrën e dorëheqjes, Ndreca ka përmendur disa arsye që e kishin shtyrë për të marrë një vendim të tillë. “Unë, Albane Ndreca, këshilltare e pavarur në KK të Suharekës, jap dorëheqjen nga ky post. Duke e parë situatën aktuale në Kosovë, politikat dhe proceset antikombëtare (cenimi i integritetit territorial, mosshtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe me të drejtë vendimmarrjeje si edhe kthimi i agresorëve serbë pa kushte, etj.) me detyrojnë të jap dorëheqjen. Vazhdimi i këtyre proceseve diskriminuese ndaj popullatës shumicë si edhe favorizimi i pakicës serbe sikur të ishte një specie e mbrojtur, më obligon të distancohem nga e gjithë klasa politike kosovare, të cilën e ardhmja do ta gjykojë për tradhti”, thuhet në letrën e dorëheqjes, të protokolluar në organet e Komunës së Suharekës.

Kryesuesi i KK-së së Suharekës, Refki Gega, ka konfirmuar se të martën e kishte pranuar letrën e dorëheqjes së këshilltares së pavarur në organin më të lartë vendimmarrës komunal dhe se menjëherë ka njoftuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, që të iniciohet procedura për zëvendësimin e saj.

Ai ka shprehur bindjen se zëvendësimi do të vijë nga lista e AAK-së, pasi që këshilltarja Ndreca mandatin e kishte marrë, duke qenë pjesë e listës së AAK-së, për të deklaruar më vonë se është këshilltare e pavarur... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...