Qeveria aktuale e Prishtinës akuzon të kaluarën për shpërdorim të banesave sociale

8 Shkurt 2017 - 14:46      

Komuna e Prishtinës mbajti sot konferencë për media, ku u prezantuan projekte të banimit social si dhe mënyrë e shpërndarjes së banesave që po bëhet nga Komuna e Prishtinës tash. Theks i veçantë i kësaj konference ishte shpërndarja e padrejtë e banesave që është bërë nga qeverisja e kaluar, thekson Komuna përmes një komunikate për medie.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arben Vitia, fillimisht informoi për procesin aktual të shpërndarjes së banesave, proces ky transparent ku gjatë gjithë kohës po marrin pjesë edhe përfaqësues të mediave edhe të organizatave të ndryshme, transmeton Koha.net. Mirëpo, nga 330 familje që kanë aplikuar, vetëm për 50 prej tyre ka aktualisht njësi banesore.

Për pjesën tjetër, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale bashkë me Drejtorinë e Pronës janë duke hartuar plane konkrete të sistemimit, me ç’rast në periudhën 3-5 vitet e ardhshme të bëhet zgjidhja e banimit për secilin. Qëllimi është që të mos ndërtohen më banesa vetëm për raste sociale, pra të mos getoizohen, mirëpo familjet e tilla të shpërndahen nëpër blloqe të ndryshme nëpër gjithë qytetin ashtu që të socializohen dhe integrohen më lehtë në shoqëri.

Drejtori i Pronës, Dren Kukaj, foli për format e menduara nga Komuna e Prishtinës për zgjerimin e fondit të banesave që do t’iu shpërndahen familjeve në nevojë në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, Komuna e Prishtinës do t’i pilotojë dy modele për projektin e banimit me kosto të përballueshme, nga të cilat do të përfitojnë punëtorët e institucioneve edukativo-arsimore, punëtorët shëndetësorë, si dhe shërbyesit civil, sipas zotimeve që kemi dhënë para zgjedhjeve. Kriter për përzgjedhjen e tyre do të jetë nevoja për banim.

Duke folur për padrejtësitë që janë bërë nga qeverisja e kaluar lidhur me shpërndarjen e banesave, Kukaj përmendi rastet të shumta nga të cilat kanë përfituar vetë pushtetarët dhe personat me ndikim në Komunë, si për shembull drejtorët e LDK-së në atë kohë Halim Halimi, Sabedin Haxhiu, Muhamet Gashi, Agim Dibrani, asambleisti i PDK-së Shemsi Veseli, e shumë të tjerë të ngjashëm. Me këtë rast, Dren Kukaj theksoi se Komuna e Prishtinës nuk do të vazhdojë kontratat me të njëjtit, dhe do t’i rishqyrtojë edhe njëherë të gjitha rastet që kanë përfituar, ashtu që në dhënien e ardhshme për shfrytëzim të këtyre banesave të përfitojnë ata që vërtetë kanë nevojë. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...