Komisioni për ndarjen e banesave sociale del në terren, ka pak raste të manipulimeve [video]

5 Shkurt 2017 - 18:10      

Bahri Llapashtica është vetëm një nga 329 aplikuesit për shfrytëzimin e një nga 50 banesat sociale në lagjen Hajvalia në kryeqytet.

Ai, së bashku me 3 fëmijët dhe gruan, jeton me qira në një shtëpi të vjetër dhe të vogël, ndërsa të ardhurat e vetme, thotë se i ka nga asistenca sociale.

“Shpresoj që të jem përfitues, pasi jetoj në kushte shumë të këqija siç po shihet, por edhe pse është shtëpia e keqe, të paktën të kishte qenë e imja, kishte me qenë më lehtë”, ka thënë Llapashtica.

Ndërkohë, komisioni komunal tash e 4 ditë ka filluar, punën në terren për vlerësimin dhe verifikimin e gjendjes së familjeve aplikuese.

Sipas kryetarit të këtij komisioni, Nazim Cakolli, shumica janë raste të rënda, ndërsa numri i inskenimeve dhe tentimeve për mashtrim, është shumë i vogël.

Cakolli shton se pas një muaji pritet të fillojnë me fazën e tretë, që ka të bëjë më shumë me anën juridike, e cila pritet të zgjasë dy muaj, para fazës përfundimtare - vendosjes së familjeve përfituese në banesa.

Ndërkohë, javë më parë Instituti për Avancim Ligjor dhe Demokratik, shprehu shqetësime rreth Udhëzimit Administrativ “për përcaktimin e radhës së përparësisë për kategoritë e familjeve që përfitojnë nga programet e veçanta të banimit”, e cila është marrë për bazë në këtë konkurs.

Sipas këtij instituti, me gjithë hartimin e mirë në teori, ky udhëzim lë hapësirë për mospërzgjedhjen më të mirë të përfituesve, ndërsa ka kërkuar ndryshimin e tij.

Ndërkohë, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thonë se shqetësimet e IALD-së do të shqyrtohen.

“Ligji për financimin e programeve të veçanta të banimit, është në fazën e plotësim-ndryshimit dhe të gjitha shqetësimet e ngritura nga IALD, lidhur me kriteret do të shqyrtohen gjatë plotësim ndryshimit të ligjit në fuqi, përkatësisht Udhëzimi administrativ (Nr. 21/2010) ‘për përcaktimin e radhës së përparësisë për kategoritë e familjeve që përfitojnë nga programet e veçanta të banimit’”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së.

Ndryshe, sipas MMPH-së, shqetësimet e IALD-së kërkojnë hulumtime profesionale në fushën e shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe ekonomike.


Ndarja e banesave sociale by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...