25 Dhjetor 2016 - 13:56
Nga gushti i këtij viti kur edhe u përurua objekti i ri i Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, numri i lexuesve është rritur dukshëm dhe në çdo kohë biblioteka është plot. Madje drejtues të bibliotekës, thonë se hapësirat janë të vogla në krahasim me kërkesat.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Besart Vllahinja, thotë se Biblioteka “Hivzi Sulejmani” është shndërruar në një letërnjoftim identifikues për qytetin e Prishtinës. Ai theksoi se që nga përurimi i objektit të ri është rritur dukshëm edhe numri i anëtarëve dhe lexuesve.
“Është një objekt i ri në kuptim të arkitekturës edhe besoj që në një periudhë jo shumë të gjatë do të hyj në listën e objekteve të cilat janë edhe letërnjoftim identifikues për Prishtinën, me hapësirën e re të krijuar, biblioteka ka ofruar një oportunizëm edhe në kuptim të regjistrimit të anëtarëve të rinj të bibliotekës, lexuesve të ri, mbetet atraktive, sidomos për kategoritë e të vegjëlve, por edhe studentët nuk bëjnë përjashtim” tha Vllahinja.
Ndërsa, sa i përket pasurimit të kësaj biblioteke me tituj të rinj, Vllahinja thotë për KosovaPress, se janë angazhuar në gjetjen e një mënyre për furnizimin e kësaj biblioteke me tituj të ri, veçanërisht profesional dhe shkencor, mirëpo, sipas tij, kjo nuk është aspak e lehtë.
“Ne po synojmë përveç tjerash jemi në gjurmim edhe të një mënyrë tjetër të furnizimit me tituj të ri për bibliotekën, kryesisht profesional dhe shkencor, duke u angazhuar të gjejmë një mënyrë tjetër edhe pse po e themi haptas kjo përbën problem, për shkak se në një mendim të kërkuar nga KRPP-ja, ata na janë përgjigjur se furnizimi ose hapja e tenderit, ku specifikohet emri i autorit edhe titulli i librit përbën shkelje të dispozitave të ligjit për prokurorim në Kosovë”, tha Vllahinja.
Drejtori i Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni, tha se objekti i ri i kësaj biblioteke ka shtuar dukshëm numrin e të anëtarësuarve në krahasim me atë se sa ka qenë në objektin e vjetër. Sipas tij, vetëm për tremujorin e fundit, janë anëtarësuar 3 mijë e 362 persona.
“Padyshim se ky objekt e ka shtuar numrin e të anëtarësuarve, dukshëm në krahasim me atë që e kemi pasur, po iu jap dy të dhëna, për këta tre muaj, po flas për shtatorin, tetorin edhe nëntorin janë të anëtarësuar 3 mijë e 362 anëtarë, prej tyre 708 janë fëmijë edhe të rinj, ndërsa, pjesa tjetër janë kryesisht student dhe nxënës të shkollave të mesme dhe të tjerë që kemi më pak, qytetarë që vijnë për lexim. Në gjuhën shqipe mendoj, thuhet se përafërsisht është afër 200 mijë ekzemplarë, edhe pjesa tjetër që nuk është e vogël edhe e pakët që është në gjuhën serbe, që është trashëguar gjatë historisë së kësaj biblioteke, edhe ajo është afër 150 mijë, edhe një pjesë që është literaturë në gjuhën angleze e më pak në frëngjishte, italishte edhe në turqishte”, tha Hyseni.
Numri i ulëseve në këtë bibliotekë është 280, por sipas Hysenit nuk janë të mjaftueshme sepse nga fluksi i madh i lexuesve janë detyruar të hapin dy salla të cilat ishin të dedikuara për aktivitete tjera.
“Në këtë objekt, funksional është sektori i fëmijëve ku bëhet regjistrimi edhe huazimi i librave, sektori për të rritur që ka marrë dy kate, është sektori i periodikut, është sektori i përpunimit edhe sektori administrativ, me ndryshimet e ligjit për bibliotekat do të bëjmë edhe disa saktësime në statusin e bibliotekës do të parashihet një mënyrë tjetër e emërtimit të këtyre sektorëve. 280 ulëse janë në të tre katet dhe fatbardhësisht këto hapësira nuk po janë të mjaftueshme, sidomos muajin e fundit po flas për nëntorin për të gjetur një vend për t’u ulur dhe jemi detyruar në shenjë mirëkuptimi për lexuesit, që të hapim edhe dy salla të cilat nuk janë të dedikuara për lexim por për aktivitete të ndryshme”, tha Hyseni.
Kastriot Rexhepi, student i Fakultetit të Mjekësisë, thotë se kjo bibliotekë ofron kushtet më të mira në gjithë Kosovën. Sipas tij, e meta e vetme e kësaj biblioteke është mbyllja e saj në orën 19:00 dhe se do të ishte mirë nëse zgjatet orari.
“Janë kushtet më të mira ndoshta në krejt Kosovën....Në këtë bibliotekë ndoshta e meta e vetme e kësaj biblioteke është që mbyllet në ora 19:00 dhe për neve studentëve të mjekësisë është pak më keq, kërkojmë më shumë të zgjatet orari, kalojmë mesatarisht katër-pesë orë...unë personalisht nuk i kërkoj librat këtu sepse i kemi të fakultetit tonë, kështu që deri tash nuk kam pasur nevojë të kërkoj në bibliotekë”, tha Rexhepi.
Kurse, Qendrim Hajdari, student i Fakultetit të Mjekësisë në vitin e pestë, tha se në krahasim me bibliotekat e tjera, kjo bibliotekë i ka kushtet më të përshtatshme dhe se kalon deri në pesë orë duke lexuar në të.
“Kushtet janë goxha të mira për dallim prej bibliotekave tjera, absolut shumë mirë...kemi ushtrime e ligjërata, kështu që deri në katër orë gjatë ditës...nuk kam kërkuar për shkak se marrim libra tjetërkah, përkatësisht në fakultet tonin kështu që nuk kam kërkuar, ndoshta ka ndoshta jo”, tha Hajdari.
Fatlinda Gërguri, studente e dizajnit të modës, tha se në këtë bibliotekë vjen për të huazuar librat që i nevojiten për studime.
“Duke e marrë parasysh që jam artiste sot kam ardhur me zgjedh një libër që i përket pjesës time, që d.m.th na artistët normal që i lexojmë ndoshta jo gjithçka që lexoni ju tjerët edhe duhet me ditë diçka ndoshta më shumë rreth dizajnerëve...në katin e dytë ka libra për art zakonisht dhe janë të fushës time edhe më interesojnë mua”, tha Gërguri.
Kjo bibliotekë përfiton nga komuna përmes programeve të subvencioneve, varësisht prej projekteve të cilat ata prezantojnë, subvencionohen në forma të ndryshme në kuptim të kuotës për projektet të cilat udhëheqësit e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” i shohin me prioritet.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...