Kuvendi e Komuna s’u morën vesh për sheshin “Adem Jashari”, humbin 270 mijë euro [video]

5 Nëntor 2016 - 17:41      

Mosdhënia e pëlqimit nga Kuvendi i Kosovës, për renovimin e sheshit “Adem Jashari” në kryeqytet, i humb komunës së Prishtinës një donacion prej 270 mijë eurosh nga organizata zvicerane DEMOS.

Para më shumë se një viti, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte paralajmëruar renovimin e sheshit “Adem Jashari”, raporton “038” i KTV-së.

Ky projekt ishte paraparë të realizohej në bashkëfinancim me DEMOS-in zviceran, organizatë e cila kishte planifikuar të investonte 270 mijë euro për projektin në fjalë.

Por, projekti nuk u realizua asnjëherë. Ndërsa, gjendja e këtij sheshi vetëm është përkeqësuar.

Pllakat janë vjetruar e dëmtuar, ndërsa shkallët janë në gjendje të mjerueshme.

Mospajtimet mes Komunës së Prishtinës dhe Kuvendit të Kosovës, kanë bërë që ky projekt të dështojë dhe të humbet donacioni zviceran.

Në komunë fajin e hedhin te Kuvendi i Kosovës, pasi sipas tyre, ata nuk kanë dhënë pëlqimin që është dashur ta japin, pasi njëra pjesë e sheshit është në pronën e Kuvendit, e tjetra e Komunës.

Ndërsa sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, përmes një përgjigjeje elektronike, ka thënë se pëlqimi nuk është dhënë pasi ashtu është vendosur në seancë plenare.

Por, kjo është mohuar nga zyrtarët komunalë, të cilët thonë se kjo çështje “nuk ka dalë asnjëherë në seancë plenare”.

Krasniqi, pa dhënë më shumë detaje, ka thënë se shkak i mospajtimeve, është mos-harmonizimi i projekteve.

Ndërsa, në komunë pohojnë se me projektin e tyre, nuk do të prekeshin simbolet ekzistuese të sheshit.

“Projekti ka përfshirë vetëm vendosjen e pllakave, regjenerimin e hapësirave të gjelbra, pa i tjetërsuar simbolet tjera ekzistuese të sheshit”, ka thënë Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës.

E, derisa në Kuvend nuk kanë sqaruar nëse do të jepet ndonjë pëlqim për renovimin e sheshit, në komunë thonë se do të shohin forma të tjera të financimit, për renovimin e tij.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...