Kalimi i rrezikshëm në lidhjen e “Arbërisë” me “Qafën” [video]

28 Tetor 2016 - 21:06      

Kalimi i rrugës “Zagrebi”, në afërsi të shkallëve të Arbërisë në kryeqytet, vazhdon të jetë rrezik për këmbësorët.

Ata duhet fillimisht të kalojnë rrugën e dedikuar për automjete e pastaj edhe hekurudhën, në vendin ku lagjja “Arbëria” lidhet me atë “Qafa”, raporton KTV.

Qytetarët thonë se ndërtimi i një mbikalimi në këtë pjesë është urgjencë.

Por, realizimi i një projekti të tillë në këtë pjesë është duke u vonuar për shkak të problemeve me proceduarat e tenderimit.

Kjo pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit, në shtator të këtij viti, kishte anuluar tenderin “Projektimi për hartimin e projektit kryesor të shkallëve dhe mbikalimit në Arbëri”, për shkak të parregullsive në shpalljen e fituesve.

Ky vendim kishte ardhur pas ankesës së operatorit ekonomik “Sëndërtimi”, si palë e pakënaqur, pasi pretendimet e saj për shkelje të 5 neneve të Ligjit për Prokurimin Publik i ka vërtetuar OSHP-ja.

Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka vërtetuar shkeljen për paramasën e dhënë me çmim 0.006 euro, nga njëri prej operatorëve fitues, që është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, pasi oferta me vlerën 0,00 refuzohet për shkak se konsiderohet si dhuratë, e të cilat nuk janë të pranueshme.

Po ashtu, paneli shqyrtues i OSHP-së ka vërtetuar edhe shkeljet e pretenduara të palës ankuese, lidhur me mosplotësimin e dosjes së tenderit nga kompanitë fituese.

Në dosjet e të tri kompanive fituese ka pasur mungesë të kopjes së dokumentit të identifikimit si për kompani dhe për individë, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.

Pos tjerash, njëra nga kompanitë nuk ka ofruar dëshmi për kërkesën e specifikuar në dosjen e tenderit, për një dizajner me kualifikim të lartë me përvojë minimale të punës prej 3 vjetësh.

Këto shkelje para dorëzimit të ankesës në OSHP, sipas palës ankuese, nuk ishin marrë seriozisht nga Komuna e Prishtinës.

Edhe pse herën e parë OSHP-ja e ktheu tenderin në rishqyrtim, Komuna e Prishtinës përsëri ka shpallur fituese kompanitë e njëjta, për tenderin që në total arrin vlerën e afro 20 mijë eurove.

Kompania “Sëndërtimi” shpreson që për herë të dytë të dalë fituese përballë komunës, pasi përsëri ka deponuar ankesë në OSHP.

Ndërsa, në komunë, kanë thënë se nuk duan të flasin për këtë çështje, deri sa të merret vendimi nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...