Ahmeti flet për vonesat në zbatimin e projekteve në Prishtinë

24 Tetor 2016 - 20:30      

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ftuar në emisionin “Puls” të KTV-së, ka thënë se “opinioni i krijuar se përveç ndaljes së hajnisë Shpendi nuk ka bërë asgjë tjetër”, është kundërpërgjigjur se këto janë vetëm kritika e asgjë më shumë, duke theksuar se ka punuar aq sa ka pasur mundësi.

Tutje, Ahmeti e ka pranuar se ka vonesa në rregullimin e çështjes së ujit të pijes por thotë se janë 7 lagje në kryeqytet që furnizohen 24 orë ujë nga Ujësjellësi.

Sipas tij, “krejt kjo vonesë është bërë për shkak të menaxhmentit të Ujësjellësit që u detyrua të reagojë edhe Ambasada zvicerane”.

Më tej, kreu i Komunës së Prishtinës e pranon së janë vonuar edhe me ndërtimet e banesave sociale dhe në uljen e çmimeve për metër katror ku thotë se në vitin 2017, në fund të mandatit të tij, kjo do të bëhet.

“Ka vonesa edhe në blerjen e autobusëve për shkak të një nënshkrimi të kredisë nga Qeveria. Në shëndetësi kemi dyfishim të vizitave dhe kemi barna dhe shërbime të kontrolleve më mirë se në spitale publike dhe private”, ka theksuar Ahmeti.

Ai thotë se ka vonesa edhe në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes nga Termokosi, por shtoi se vitin tjetër “do të futen në rrjet edhe 30 mijë banorë”, ndërsa theksoi se çmimi është liruar në 77 cent nga një euro sa ishte vitin e kaluar.

E pranon se ka futur punëtorë me kontratë mbi vepër nga partia e tij sikurse partitë tjera, ndërsa arsyeja ishte se “pa Sali Zybën nuk kishte mundësi me i ndalë ndërtimet e egra”, raporton Koha.net.

Ahmeti tha se parkingjet janë në përfundim e sipër, “është në pyetje vetëm një softuer dhe do fillojmë me projekt”.

Për problemin e ndërrimeve dhe stërmbushjeve të shkollave me nxënës, Ahmeti theksoi se “ka mungesë të ndërtimeve të shkollave të reja, dhe mungesa e hapësirave po e bën të pamundur mësimin gjithëditor”.

Duke folur për buxhetin komunal, kreu i Komunës tha se “nuk kam suficit 30 milionë euro, kjo është hajgare e LDK-së, ne nuk po kemi para e lëre më shpenzime”.

Ai foli edhe për veturën e ish-kreut të Komunës, Isa Mustafa, e cila është përmendur shumë.

“Nuk po shitet Audi Q7 i Isës. Jam duke u munduar ta shes, por nuk po shitet”, tha ai.

Ahmeti u ndal edhe tek drejtësia në Kosovë, duke thënë se janë rreth 130 mijë vendime të gjykatave të pazbatuara, ndërsa theksoi se “ka presion nga Bashkimi Evropian për t’u zbatuar për shkak të liberalizimit të vizave”.

Kryetari i Prishtinës më tej foli edhe për familjet në asistencë sociale, brenda komunës që ai drejton, ku tha se janë “rreth 3 mijë familje me asistencë sociale”.

Për çështjen e drogës dhe dhunës nëpër shkollat fillore të Prishtinës, Ahmeti tha se është shqetësuese.

Edhe aksidentet në kryeqytet, Ahmeti tha se janë shumë shqetësuese.

Kurse për çështjen e ndërtimeve të reja në Komunën e Prishtinës, Ahmeti tha se “pranimi teknik është shqetësim i 90% të banorëve”.

“Ende nuk po kemi mundësi si t’u bëjmë presion pronarëve. Banorët duhet të bëjnë presion ndaj pronarëve. Ne me ligj do të kërkojmë që në Parlament të bëjmë ligjin që t’i detyrojmë pronarët të kërkojnë pranimin teknik”, theksoi Ahmeti. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...