Pushteti lokal në Prishtinë ankohet se Qeveria s’po ia përkrah projektet [video]

22 Tetor 2016 - 13:28      

Niveli lokal nuk i ndal akuzat ndaj nivelit qendror, kjo për arsye se shumë pak përkrahet në investime e projekte të ndryshme. Debate të tilla janë zhvilluar për vite të tëra, sidomos në Prishtinë, kur parti të ndryshme udhëhiqnin me kryeqytetin e me Qeverinë e Kosovës.

Nga krejt kjo pësojnë qytetarët, që mbesin pengë të zhvillimit të qytetit, si pasojë e inateve politike, raporton “038” në KTV.

Mungesa e investimeve nga niveli qendror në kryeqytet gjithmonë ka qenë temë e nxehtë diskutimesh për vite të tëra.

Ankesa për këtë ka pasur edhe në kohën kur me Prishtinën qeveriste LDK-ja e Isa Mustafës, kurse me nivelin qendror udhëhiqte PDK-ja e Hashim Thaçit.

Të njëjtat ankesa kanë nxitur debat edhe tash kur Vetëvendosja udhëheq me Prishtinën, kurse LDK-ja me Qeverinë e Kosovës.

Niveli lokal zakonisht ankohet se për arsye politike nuk po përkrahen projekte të ndryshme zhvillimore në kryeqytet.

Ky lloj debati është bartur edhe në Kuvendin e Kosovës, ku gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar për Infrastrukturë, deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli, kritikoi ministrin e këtij dikasteri në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, se nuk ka realizuar asnjë projekt në kryeqytet.

Mirëpo, një konstatim të tillë e kundërshtoi Zharku. Madje, ky tha se komuna e Prishtinës është e vetmja që nuk ka sjellë asnjë projekt në ministri, që kjo e fundit më pas ta mbështesë financiarisht.

E sipas shefit të asamblistëve të partisë më të madhe opozitare në kryeqytet, LDK-së, Agim Gashi, duhet bashkëpunim më i madh ndërmjet qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, pasi sipas tij, asnjëra nuk mund t’i zhvillojë politikat e ndara nga njëra-tjetra.

Gashi ka thënë se përkundër mungesës së kërkesave, Ministria e Infrastrukturës në planin e saj të investimeve ka disa projekte në Prishtinë.

Sipas tij, do të ndërtohet rruga Hajkobill - Tuxhec, deri në Kamenicë, pastaj zgjerimi i rrugës në Veternik, si dhe rruga te Dheu i Kuq deri në kufi.
E derisa numëron projektet, që thotë se ministria i ka bërë edhe pse s’ka pasur kërkesë nga Komuna e Prishtinës, mungesën e kërkesave nga kjo e fundit e quan “kryeneçësi”.

Ai shton se LDK-ja, gjatë qeverisjes së saj në kryeqytet, për projektet e mëdha gjithmonë ka kërkuar ndihmë në Qeveri.

Përfaqësues të organizatës Iniciativa për Progres, e cila monitoron punën e komunës, thonë se ka një kohë të gjatë që mungon komunikimi në mes nivelit qendror dhe qeverisjes lokale në Prishtinë.

Kjo, sipas tyre, bie mbi kurrizin e qytetarëve të Prishtinës, të cilët janë viktimë e inateve politike.

Demolli nuk pajtohet as me mungesën e kërkesave, por as me qasjen e ministrisë.

Sidoqoftë, në Kosovë asnjëherë nuk ka ndodhur që e njëjta parti të udhëheqë edhe me kryeqytetin edhe me qeverinë.

Kjo ka bërë që akuzat dhe kundërakuzat për mungesë të mbështetjes financiare të jenë tema diskutimesh, e mbase edhe arsyetimesh për dështime në sfera të ndryshme.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...