Vozitje në korsi të kundërt, qytetarët ankohen për planifikim jo të mirë të dy rrugëve [video]

22 Tetor 2016 - 08:12      

Vozitësit vazhdojnë ta shfrytëzojnë korsinë e kundërt të lëvizjes për qasje në banesat e tyre, në rrugën e re te rrethrrotullimi që lidh rrugën Enver Maloku me Rrugën B. Qytetarët thonë se kjo është e rrezikshme, por sipas tyre, kjo bëhet për shkak se rruga nuk është planifikuar mirë.

Rruga B është mbushur me ndërtime të reja përreth.

Pos ndërtesave, aty janë hapur e ndërtuar edhe rrugë të reja, raporton “038” në KTV.

Një e tillë është edhe rruga te rrethrrotullimi që lidh rrugën ‘Enver Maloku’ me rrugën B, e cila më pas lidhet me rrugën ‘Muharrem Fejza’ në lagjen Mati 1.

Por, problem në këtë rrugë të re po paraqiten vozitësit, që nga rrethrrotullimi hyjnë në kahun e kundërt të lëvizjes.

Sipas banorëve të lagjes, kjo ndodh për shkak se vozitësit përtojnë të bëjnë rrugë më të gjatë deri te rrethrrotullimi, për të ndërruar anën e lëvizjes.

Disa nga banorët thonë se i kanë blerë banesat e tyre, pasi para ndërtimit të rrugës, pronarët e ndërtesave u kishin premtuar qasje më të lehtë në këtë rrugë.

Por, të tjerë thonë se ky veprim i shoferëve është shumë i rrezikshëm.

Në Polici thonë se nuk kanë statistika për aksidentet në këtë rrugë, ndërsa shtojnë se “shoferët e pandërgjegjshëm” po e shfrytëzojnë mungesën e shenjave të komunikacionit, pasi rruga është ende e papërfunduar dhe, sipas tyre, rrezikohen pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Zyrtarë policorë thonë se në këtë rrugë ka pasur patrulla të kohëpaskohshme, por premtojnë shtimin e tyre në këtë pjesë.

Eksperti i çështjeve të sigurisë në komunikacion, Nol Deda, thotë se veprime të tilla nga shoferët mund të çojnë në aksidente me fatalitet.

Sipas Dedës, edhe pse rruga është planifikuar para se lagjja të popullohej me banorë, është e rëndësishme që të rishqyrtohet projekti i saj, pasi thotë se krijohet nevoja për analizimin e formës së qasjes në këtë rrugë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...