Arkitektët: Komuna e Prishtinës po bën shkelje ligjore në dhënien e lejeve [video]

1 Tetor 2016 - 15:12      

Nga lart shihen laramani objektesh e ndërtesash, pa stil, pa ngjyrë e pa ndonjë arkitekturë.

Këto janë pamje të Prishtinës, që vazhdimisht mëton t’i ngjajë ndonjë kryeqendre të rajonit, se për metropol as që mund të flitet, raporton “038” i KTV-së.

Nga poshtë, shihet katrahura, në rrugë, në lagje, apo pothuajse në çdo skutë të saj.

Duke qenë qendra e çdo institucioni vendor e ndërkombëtar, e çdo aktiviteti e organizimi, as kjo nuk ka ndihmuar që kujdesi ndaj kryeqendrës kosovare të jetë më i madh, por përkundrazi, ka qenë minimal.

Madje, ka qenë qendër e kalkulimeve politike, partiake dhe klaneve e grupeve të ndryshme të interesit.

Me gjithë investimet e kohëpaskohshme në sfera të ndryshme, çdo qeverisje e Prishtinës u përball me akuza të shumta për dështime, keqmenaxhim e sidomos keqplanifikim.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve, qytetarët e Prishtinës u përballën me mungesë të ujit, të rrugës, të trotuarit, të parkingjeve, të parqeve e shumëçka tjetër, mungesa të cilat kryeqytetasit vazhdojnë t’i kenë.

Përveç tyre, në këtë qytet pati edhe mungesë të planifikimeve.

Që nga paslufta, krahas numrit të banorëve, kryeqytetit i janë shtuar edhe qindra ndërtesa të reja kolektive.

Shumë ndërtime janë bërë në mënyrë të pakontrolluar, qoftë me ose pa leje ndërtimi, duke shkaktuar kaos urbanistik.

Rrugë të ngushta, ndërtesa të larta, shumë pranë njëra-tjetrës, ndonjëherë të ndara vetëm nga centimetrat.

Mungesë parkingjesh dhe të hapësirave të gjelbëruara.

Këto probleme i karakterizojnë shumë lagje të reja në Prishtinë.

Sipas arkitektit Votim Emini, problemi qëndron te planet jo të mira rregulluese, të cilat janë baza e gjithçkaje, që kanë çuar në degradimin e kryeqytetit dhe prishjen e imazhit të tij.

Emini beson se ky degradim ka ardhur si shkak i mungesës së shkollës së urbanizmit dhe mungesës së komunikimit në mes komunës dhe komunitetit.

Arkitekti tjetër, Valdet Osmani, derisa i quan degraduese, thotë se planet aktuale rregulluese kanë çuar në mosrespektimin e ligjit, kritereve dhe në degradim.

Sipas Osmanit, komuna po bën shkelje ligjore, në dhënien e shumicës së lejeve të ndërtimit në kryeqytet.

E dallimet mes lagjeve të ndërtuara kohë më parë dhe lagjeve të reja janë të dukshme, duke filluar nga rrugët, parkingjet e hapësirat e gjelbëruara, të cilat shihen te lagjet më të vjetra, por jo edhe tek të rejat.

Arkitekti Osmani thotë se lagjet Mati 1, Arbëria, Lakrishtja, Dodona e Lagjja e Muhaxherëve janë më të degraduarat. Ai këto ndërtime i cilëson si arkitekturë “dizy”, që sipas tij, i bën njerëzit nervoz.

Ndërsa, thotë se lagjet e vjetra të paktën u janë përmbajtur kritereve të ndërtimit.

Osmani shton se për të mënjanuar këto probleme, komuna duhet të zbatojë ligjin, pasi përndryshe, sipas tij, qyteti rrezikon të “getoizohet”.

Ndërsa sa i përket largimit të laramanisë në ngjyrën e fasadave të objekteve, arkitektët thonë se Komuna duhet të vë kritere në planet rregulluese dhe lejet e ndërtimit.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...