30 Gusht 2016 - 09:15
Për ta ndihmuar këtë proces Ujësjellësi ka bërë të ditur se ka zgjatur orarin e punës në Prishtinë, Fushë- Kosovë, Podujevë, Shtimje, Lipjan, Graçanicë, Drenas dhe Obiliq. Nga e hëna e deri më 2 shtator orari i punës do të zgjatet deri në orën 18:00, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Kjo për shkak të fluksit të madh të konsumatorëve për ta shfrytëzuar të drejtën ligjore që të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve publike, në kuadër të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, i cili do të shfuqizohet pas pesë ditëve”, thuhet në njoftimin e KUR “Prishtina”.
Kjo kompani ua ka rikujtuar konsumatorëve se afati i faljes së borxheve për ujësjellës dhe kanalizim për periudhën kohore deri më 31 dhjetor 2008 skadon më 2 shtator.
“Ju që do të përfitoni nga falja e borxheve të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit (amvisëri e biznese) për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, nëse lidhni marrëveshje me KUR ”Prishtina”sh.a. për riprogramim borxhi dhe nuk i përmbaheni në përpikëri kësaj marrëveshjeje, atëherë ne obligohemi që t’ju vendosim sërish në listën e borxheve, duke iu bërë obligues për të gjitha borxhet deri më 31 dhjetor 2008, çdoherë duke u bazuar në Ligjin për faljen e borxheve publike”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit.
Kjo kompani ka bërë të ditur se deri tashti në Prishtinë janë falur afro 4.6 milionë euro borxhe, në Fushë-Kosovë 670 mije euro, në Obiliq 404 mijë euro, në Drenas 171 mijë euro, në Graçanicë 714 mijë euro, në Lipjan 285 mijë euro, në Podujevë 480 mijë euro dhe në Shtime 149 mijë euro.
Të njëjtën ditë edhe ngrohtorja “Termokos” ka bërë të ditur se nga shtatori i vitit të kaluar, kur ka hyrë në fuqi Ligji për faljen e borxheve publike e deri më tani, janë lidhur marrëveshje me rreth 3 mijë konsumatorë. “Presim përgjigjen edhe të rreth 7 mijë konsumatorëve borxhlinj. Ndërkaq, nga mundësia e fshirjes automatike të borxhit kanë përfituar 611 konsumatorë, që kanë pasur borxhe nën 100 euro”, thuhet në njoftimin e “Termokosit”.
Sipas njoftimit, vetëm gjatë muajit gusht janë lidhur marrëveshje me mbi 1 mijë konsumatorë.
“Në mënyrë që të jetë në gjendje që t’iu përgjigjet kërkesave të shumta të konsumatorëve, NP “Termokos” Sh.A. ka shtuar numrin e ekipeve, që do të merren me kërkesat e konsumatorëve për të hyrë në procedurë për faljen e borxhit”, thuhet në njoftimin e “Termokosit”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...