Vetëvendosje dëshiron shpërndarjen e Kuvendit në Prishtinë, por jo opozita

24 Gusht 2016 - 10:29      

Prishtinë, 24 gusht- E përballur me bllokadë të vazhdueshme prej më tepër se një viti nga subjektet opozitare LDK-PDK, Lëvizja Vetëvendosje ka shfaqur interesim për ta shpërndarë Kuvendin Komunal.

“Ka më tepër se një vit që Kuvendi është jofunksional dhe nuk po e kryen detyrën e tij prej institucioni. Përgjegjësia për këtë i bie edhe kryesuesit Halim Halimi. Dhe ne si Ekzekutiv jemi të interesuar që ky Kuvend Komunal si i tillë të shpërndahet”, ka thënë për “Kohën Ditore”, zyrtari për media në Komunën e Prishtinës, Erzen Vraniqi.

Ai ka thënë se Ekzekutivi i Komunës po del me kërkesën për shpërndarjen e Asamblesë Komunale, pasi që kjo strukturë e saj po e pengon realizimin e objektivave të drejtuesve të Komunës për qytetin dhe rrjedhimisht po dëmtohen qytetarët dhe interesi i tyre.

E dy partitë më të mëdha opozitare në KK e quajnë absurde kërkesën e partisë në pushtetin lokal për shpërbërjen e Kuvendit.
Ata thonë se dështimet në Komunë kanë ndodhur në mungesë gatishmërie bashkëpunimi me opozitën, dhe se është Ekzekutivi ai që ka dështuar, e jo Kuvendi.

Sami Hamiti, shef i Grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë se VV-ja nuk ka qenë në gjendje që të krijojë shumicën në Kuvend dhe për këtë nuk mund t’i fajësojë të tjerët. Ai ka shtuar se VV-ja nuk i ka votat që ta shpërbëjë Kuvendin, dhe se kërkesa për ta bërë këtë është një paradoks.

“Nesër shkojmë në zgjedhje për kryetar dhe për Kuvend, pa kurrfarë problemi. Por, është fakt që Shpend Ahmeti për tri vite s’ka mundur të krijojë shumicë, dhe tash po kërkon shpërbërjen, sepse ka dështuar vetë”, ka thënë Hamiti.

Lirak Çelaj, shef i GP-së së PDK-së në Komunë, ka thënë se drejtues të Komunës, në vend se të bënin kërkesa të tilla, do të ishte më mirë që të angazhoheshin që të krijonin raporte me të mira me opozitën.

“Ndërsa, ata vazhdimisht përpiqen që të krijojnë bllokada në punën e Kuvendit, dhe pastaj të na akuzojnë ne për to”, ka thënë Çelaj.

Ai ka thënë se PDK-ja do të përkrahë shkuarjen në zgjedhje të reja atëherë kur në to të hyjë edhe kryetari i Komunës, e edhe Kuvendi (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...