Ujësjellësi “Prishtina” apelon për shlyerjen e borxheve

9 Gusht 2016 - 09:25      

Prishtinë, 9 gusht - Kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, të hënën, nëpërmjet një njoftimi publik, ka kërkuar nga konsumatorët e komunave: Prishtinë, Fushë-Kosovë, Podujevë, Shtime, Lipjan, Graçanicë, Drenas dhe Obiliq që ta shfrytëzojnë afatin ligjor për shlyerjen e borxheve nga vitit 1999 deri më 2008. Afati ligjor për aplikim mbaron më 2 shtator, shkruan sot Koha Ditore.

“Duke filluar nga muaji nëntor 2015, ka filluar me pranimin dhe menaxhimin e kërkesave (të secilit konsumator veç e veç) dhe me zbatimin e Ligjit për faljen e borxheve, i cili vlen vetëm edhe 24 ditë, deri më 2 shtator 2016”, thuhet në komunikatë. Sipas saj, nga falja do të përfitojnë të gjithë konsumatorët e tetë komunave , ata të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj shërbimeve të këtij institucioni, me kusht që borxhet nga data 1 janar 2009 e deri më 31 dhjetor 2014 të paguhen (bazuar në Ligjin për faljen e borxheve publike).

“Ju që do të përfitoni nga falja e borxheve të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit (amvisëri e biznese) për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, nëse lidhni marrëveshje me KUR ”Prishtina”sh.a. për riprogramim borxhi dhe nuk i përmbaheni në përpikëri kësaj marrëveshjeje, atëherë ne obligohemi që t’ju vendosim sërish në listën e borxheve, duke iu bërë obligues për të gjitha borxhet deri më 31 dhjetor 2008, çdoherë duke u bazuar në Ligjin për faljen e borxheve publike”, thuhet në komunikatën e KUR “Prishtina”.

Sipas të dhënave të bëra publike javë më parë, kjo kompani ka bërë të ditur se konsumatorëve do t`iu falet një borxh prej 23 milionë eurosh. Deri në këtë fazë janë falur mbi 5 milionë euro borxhe.

Sipas komunikatës zyrtare të kësaj kompanie, konsumatorët borxhlinj që e humbin këtë rast do të përballen me: shkyçje nga rrjeti i furnizimit me ujë, faturimin e shërbimit të vërejtjeve dhe shkyçjes-rikyçjes, padi gjyqësore, si dhe arkëtim të dhunshëm përmes përmbaruesve privatë.

KUR “Prishtina” ka bërë të ditur se procedurat e rregullimit të borxheve bëhen në zyrat e selisë qendrore në Prishtinë dhe në zyrat e ndërmarrjes në komunat: Fushë-Kosovë, Obiliq, Podujevë, Drenas, Shtime, Graçanicë dhe Lipjan.
Të njëjtën ditë edhe Ministria e Financave , nëpërmjet një njoftimi publik ka ftuara qytetarët që ta shfrytëzojnë afatin ligjor për t`i shlyer borxhet.

“Me këtë Ligj përfitojnë të gjithë personat, të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj Institucioneve Shtetërore dhe Kompanive Publike në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...