Laramanisë së taksive në Prishtinë pritet t’i vijë fundi [video]

1 Gusht 2016 - 11:14      

Aktualisht, në Prishtinë operojnë 13 kompani të radio-taksive dhe qindra taksi individualë.

Disa identifikohen me modelin e veturave që i kanë, e disa të tjerë në bazë të ngjyrës, raporton “038” i KTV-së.

Por, laramanisë së ngjyrave të taksive në kryeqytet pritet t’i vijë fundi shumë shpejt.

Kjo, pasi me rregulloren e re në të cilën është duke punuar komuna bashkë me përfaqësuesit e taksive, parashihet një unifikim i taksive në këtë aspekt.

Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në komunën e Prishtinës, Genc Bashota, thotë se rregullorja aktualisht është në fazën e draftimit.

"Pikat kryesore, si ndryshime t'i quajmë, së pari taksitë pas miratimit të rregullores, të gjitha veturat duhet ta kenë ngjyrën e bardhë, mbishkrimet do të jenë me ngjyrë të kaltër, do të thotë, do të jenë të unifikuara sa i përket ngjyrës, siç është në të gjitha kryeqytetet e civilizuara në botë. Do ta kenë edhe sinjalizimin lart mbi veturë, i cili gjatë natës do të jetë i kuq nëse është e zënë vetura dhe i gjelbër nëse është i lirë. Tjetër çka është me rëndësi është se të gjitha veturat minimum do te jenë të standardit EURO 4, i preferuar do të jetë standardi EURO 5, që i bie se të gjitha veturat do të jenë jo më të vjetra me vit të prodhimit se viti 2005"”, ka thënë Bashota.

Ndërsa, Kreshnik Bakija, nga Shoqata e Radio-Taksive, pohon se kanë 2 vjet që po punojnë bashkë me komunën në përpilimin e rregullores së re dhe se ata janë të gatshëm për ndryshimet që parashihen.

E përderisa thotë se kanë hasur në mirëkuptim të ndërsjellë, shton se ka pasur një stagnim, pasi ishte thënë se rregullorja do të bëhej shumë më shpejt.

"Si shoqatë që i përfaqësojmë 13 kompani të radio-taksive, ne jemi vetëm thuajse (të gatshëm), obligimet tona veçse shihen në terren, çdo veturë që ka ardhur qe 2 vjet nëpërmjet kompanive, i është përmbajtur rregullores së re, edhe pse s'ka hyrë ende në fuqi. Jemi përgatitur si kompani t’i përshtatemi rregullores, dhe ka qenë një kosto shumë e lartë për ne, por e kemi parë që është për të mirë të qytetit dhe tonën, edhe pak a shumë jemi të përgatitur. Por këto janë disa çështje të cilat na preokupojnë edhe sot, të cilat janë çështje komunale, të asamblesë komunale. Presim që sa më shpejt të hyjë në funksion edhe ne normalisht që do t'i përshtatemi rregullores sipas standardeve që i përcakton komuna e Prishtinës", ka thënë Kreshnik Bakija, Sekretar, Shoqata e Radio Taksive.

Megjithëse thotë se janë të gatshëm, Bakija pohon se përgatitjet për rregulloren e re kanë pasur kosto të lartë në disa mënyra.

"Për të gjithë anëtarët ka qenë një problem i madh, sepse përveç që është kosto që duhet të ndryshohet ngjyra, ka qenë edhe dallimi (identifikimi) nga klientët. Ka anëtarë që qe 17 vjet që funksionon në terren dhe është identifikuar me atë ngjyrë. Edhe kjo ka qenë një kosto, por prapë se prapë jemi dakorduar që çdo gjë që të bëhet për të mirën e qytetit në të cilin ne punojmë, do të kemi edhe ne disa obligime, normal që edhe komuna do t'i marrë obligimet e veta paralelisht".

Ndërkohë, në rregulloren e re, komuna po kërkon të fusë edhe një tarifë që taksitë duhet të paguajnë, pasi momentalisht ata nuk paguajnë asgjë për licencën e tyre.

"Aktualisht nuk paguajnë, që mendoj se nuk është në rregull, ne jemi duke diskutuar, dhe ky është një diskutim i brendshëm. të shikojmë të gjejmë një formë të pagesës për të gjitha taksitë karshi komunës, për arsye se ne të gjitha licencat të cilat i ndajmë, që për momentin i kemi afro 700, ata nuk i paguajnë asnjë cent komunës, për shërbimet që i japim, dhe ne jemi të obliguar që të mendojmë pak edhe në këtë drejtim që të bëhet një tarifë e pagesës për arsye se ata do t'i shfrytëzojnë disa privilegje, duke marrë parasysh edhe luftën e inspeksionit karshi taksive ilegalë, vend parkingjet që do t'i shfrytëzojnë. Dhe është do të thotë një normë e cila përcaktohet dhe funksionon në të gjitha qytetet e tjera", ka thënë Bashota.

E Bakija kërkon nga komuna, që pas pagesës, t’i kryejë disa obligime karshi taksive, duke veçuar problemin e parkingjeve.

Ai ka shtuar se janë në koordinim me komunën dhe autotaksitë e licencuar, me të cilët do ta ndajnë tregun, por si problem po i sheh taksitë ilegalë.

Dhe pret nga komuna, që pas hyrjes në fuqi të rregullores se re, të shtojë inspektimin dhe t’ua lirojë terrenin nga taksitë ilegalë, pasi sipas tij, ky është premtim i komunarëve.

Ndryshe, Genc Bashota pret që në vjeshtë, rregullorja të dërgohet në Kuvendin Komunal dhe hidhet në diskutim publik, e deri në fund të vitit ajo të hyjë në fuqi.

Pas fuqizimit të rregullores së re, ajo do të përcillet me një periudhë të tranzicionit, e cila do të zgjasë një deri në një vit e gjysmë, derisa taksitë t'i ndërrojnë veturat në përputhje me standardet e caktuara me rregullore. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...