Ekstremizmi i dhunshëm, kërcënimi i ri me të cilin duhet të përballemi

1 Shtator 2015 - 17:05      

Ekstremizmi i dhunshëm si fenomen në botë nuk është një kërcënim i ri, ndërsa tek ne po, dhe si i tillë duhet të përballemi me të. Ky ekstremizëm nuk paraqet rrezik të lartë në Kosovë, mirëpo nëse nuk adresohet në mënyrën e duhur, mund të bëhet kritik për sigurinë nacionale, andaj kërkon një qasje të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse me qëllim të adresimit të tij.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë diskutimit me temën “Ekstremizmi i dhunshëm, parandalimi dhe kundërpërgjigjja ndaj përhapjes së ideve ekstremiste në Kosovë”, që u organizua nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Skender Perteshi nga QKSS-ja, tha se Kosova po ballafaqohet me shumë sfida të sigurisë nacionale të sigurisë, duke filluar nga stabiliteti i përgjithshëm politik dhe ekonomik, papunësia, sundimi i ligjit, korrupsioni, si dhe ekstremizmi.

Sipas tij, grupet ekstremiste si terren të përshtatshëm i përdorin vendet e pazhvilluara ekonomikisht dhe pa stabilitet politik.

“Zakonisht ekstremizmi i dhunshëm apo grupet ekstremiste si terren të përshtatshëm i përdorin vendet ku nuk kanë zhvillim të duhur ekonomik, nuk kanë stabilitet të duhur politik, dhe vendet ku perspektiva e qytetarëve të tyre është në dyshim… ne si shtet kemi pak përvojë në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme të cilat sado pak kujdesen në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe nivelin e edukimit, që pak a shumë qytetarët tonë të mos ndikohen nga rrymat dhe mos të bëhen viktima të propagandave të ndryshme nga grupe ekstremistësh të cilët përfundojnë në luftërat e Sirisë dhe Irakut”, tha Perteshi, raporton KP.

Ai shtoi se shkaktarët janë nga më të ndryshmit, duke filluar bindjet e gabuara në emër të fesë, papunësia, mirëqenia jo e mirë ekonomike, niveli i ulët i edukimit, izolimi, sepse Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk e gëzon lirinë e lëvizjes në BE e kështu me radhë.

Kryeimami i Bashkësis ë Islame në Mitrovicës, Rexhep Lushta, potencoi si të keqe të madhe faktin që sa herë përmendet ekstremizmi, radikalizmi, terrorizmi, në mendjet e njerëzve gjithmonë shkon islami, përkatësisht feja.

Ai tha se ky është gabimi më i madh për shkak se ekstremizëm dhe radikalizëm nuk ka vetëm në islam, por kjo i përfshin të gjitha rangjet e shoqërisë njerëzore, të gjitha përkatësitë etnike dhe fetare.

“Andaj, kisha pasur dëshirë që jo vetëm ne që jemi këtu, por të gjithë, të largojnë nga mendjet e tyre se kur përmendet ekstremizmi të aludohet vetëm në islam. Kjo është e keqe, sepse sa herë dikush që ka emër mysliman dhe bën një krim qoftë edhe nëse shkon të thyejë bankën, themi shiko myslimanët se çfarë bëjnë, jo nuk duhet gjërat t’i globalizojmë… Kosova njihet si shoqëri multikonfesionale, një shoqëri e cila me shekuj ka bashkëjetuar me të gjitha konfesionet dhe kurrnjëherë në Kosovë nuk është shënuar ndonjë ekstrem apo ndonjë rast i ekstremizmit ndërfetar…Kosova në shumë vende të rajonit, por edhe në botë, merret si shembull i tolerancës ndërfetare në mesin e popullit të Kosovës, pa dallim etnie, qofshin ata shqiptarë që janë të besimit katolikë dhe mysliman, apo qofshin edhe serbë të cilët i përkasin besimit ortodoks. Asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë konflikt ndërfetar, dhe nga rrjedh tash ky ekstremizëm dhe ky fenomen i radikalizmit. Dy janë arsyet: e para është mosedukimi i mirëfilltë i popullatës, posaçërisht rinisë, rreth parimeve të vërteta fetare, e dyta, presionet e vazhdueshme nga qarqe të ndryshme të cilat i bëhen komunitetit mysliman në Kosovë”, theksoi Lushta.

Kenan Beqiri nga shoqëria civile tha se gjithçka është e rrezikshme kur është e panjohur.

Ai u shpreh i bindur se kjo nuk vlen vetëm për Kosovën, por për shumicën e vendeve.

Sipas tij, është logjike sikur Bashkësia Islame në këtë rast, institucionet që merren me çështje të sigurisë, por edhe institucionet tjera, qoftë të nivelit lokal apo qendror, të kenë një bashkërendim të punëve më të mirë.

“Unë nuk kisha parë asgjë të keqe sikur Bashkësia Islame, institucionet vendore, institucionet e arsimit të bashkërendojnë punët…që të shkohet edhe nëpër shkolla, pse jo, këto janë tema të cilat neve po na ndodhin dhe sigurisht se nuk është në interesin tonë që ne të presim dhe dikush tjetër t’i kryejë këto obligime të cilat ne i kemi si shoqëri”, sqaroi Beqiri. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...