3 Maj 2015 - 17:19
Kjo iniciativë e sociologut Isuf Sherifi dhe veprimtarëve Ramadan Avdyli, Agush Buja, Shefqet Dibrani e të tjerë, doli në fund të takimit me një grup pune në mbështetje të kandidaturës së politikanit të ri për zgjedhjet nacionale, Arbër Bullakaj.
Politikani i ri mund të hyjë më 18 tetor në histori si shqiptari i parë që fut këmbën në parlamentin e shtetit, në Bernë, si deputet i Zvicrës. Me ndihmën dhe votën edhe të mërgatës shqiptare që ka të drejtë vote në këtë kanton, Bullakaj ka gjasa reale të radhitet si politikani i tretë i SP-së që do të dërgohet nga St. Galleni në Bernë, vlerësoi iniciatori i këtij takimi, sociologu Isuf Sherifi.
Shumica e të pranishmëve në këtë takim vlerësuan potencialin politik që sjell Bullakaj. Pavarësisht që ka edhe kandidatë të tjerë shqiptarë nga kantoni St. Gallen që garojnë për postin e deputetit të Zvicrës, Arbër Bullakaj ka tërë bagazhin intelektual dhe profesional për të na përfaqësuar denjësisht në Parlamentin e Zvicrës, u vlerësua nga një numër i folësve në këtë takim.
Prandaj, siç u tha mes tjerash, mobilizimi i mërgatës shqiptare të këtij kantoni për ta mbështetur Bullakajn sot u konkretizua me grupe pune të ndarë në tetë zona zgjedhore, duke filluar nga qytetit St. Gallen, në Will, ku Bullakaj jeton dhe është asamblist i qytetit, në Rorschach, Rheintal, See-Gaster, Toggenburg, Sarganserland dhe Werdenberg.
Këto grupe pune do të koordinohen nga veprimtarët Agush Buja, Sallah Junuzi dhe Demir Avdyli, të cilët bashkërisht me të tjerët që u treguan të gatshëm për ta përkrahur kandidaturën e Bullakajt do të organizojnë takime me bashkatdhetarë në kërkim të votës për Arbërin.
Ndryshe, nënkryetari i Partisë Socialdemokrate për kantonin St. Gallen, Arbër Bullakaj, është nominuar dhe ka marrë mbështetje të gjerë jo vetëm nga komuniteti shqiptar, por edhe brenda partisë së tij, si kandidat serioz për të fituar një vend si deputet në Parlamentin e Zvicrës.
Për të flet dhe interesimi i madh e serioz i aktivistëve të hershëm të çështjes kombëtare që vepronin përpara në grupe sipas bindjeve politike, por që sot ishin bashkuar duke lënë anash ndarjet e së kaluarës, në kërkim të formave më të mira të organizimit të fushatës elektorale për kandidatin shqiptar të Partisë Socialdemokrate, Arbër Bullakaj.
“Ne si komunitet nuk jemi mbledhur këtu në një garë politike mes shumë kandidatëve, ne kemi vetëm një kandidat dhe ai është Arbëri”, tha Nuriman Hasani, i cili ngriti fillimisht pyetjen se a duhet ta votojmë ne shqiptarët apo jo Bullakajn. Të cilës i dha vetë një përgjigje të shkurtë: “Unë them, këtu s’ka diskutim, po. Votat e mia me tetë anëtarë i ke!”
Vetë Bullakaj u shpreh i lumtur për mbështetjen që po i ofrohet nga komuniteti shqiptar. Ai mes shumë angazhimeve të tij si nënkryetar i SP-së në nivel kantonal është kryetar i shoqatës “FAIR” Wil, deputet i këtij qyteti dhe në komisionin e verfikimit buxhetor të qytetit.
Bullakaj mes angazhimeve që ka si politikan dhe biznesmen nominimin e tij për deputet nacional e sheh edhe si një shans të vetë shqiptarëve për ta pasur zërin e tyre në Bernë.
“Ne dihet që kemi shumë politikanë të rinj shqiptarë që janë zgjedhur nëpër ansamble komunale dhe kontonale, por në Parlamentin e Zvicrës nuk kemi, prandaj unë dua ta thyej këtë akull dhe kështu të tregohemi shembull i integrimit përmes angazhimit tonë në jetën politike të shtetit tonë të përbashkët, Zvicrës”, u shpreh në fund të bisedës për albinfo.ch Arbër Bullakaj./Albinfo
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...