BE-ja mund ta nënshkruajë MSA-në për Kosovën në verë [video]

23 Prill 2015 - 15:43      

Javën e ardhshme pritet të miratohet Marrëveshja për Stabilizim Asociim mes Kosovës dhe Bashkimit Europian dhe pastaj t’u dërgohet shteteve anëtare të BE-së për diskutim.

Në këtë mënyrë, mundësohet që MSA-ja të nënshkruhet para verës së këtij viti. Kështu tha përfaqësuesi i Bashkimi Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, për të cilin, një marrëveshje e tillë është me një rëndësi shumë të madhe për sigurimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së. E për eurodeputeten Ulrike Lunachek, pas nënshkrimit të MSA-së, Kosovën nuk e ndalon asgjë që të aplikojë për statusin kandidat për anëtarësim në BE.

“Perspektiva Europiane, Ecje nëpër mjegull”, ishte paneli i radhës i Forumit 2015, projekt avokues i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, që u mbajt sot, në të cilin u diskutua për aspektet e kësaj perspektive. E në këtë diskutim, u shtrua pyetja se çfarë do të ndodhë pas nënshkrimit të MSA-së, nëse Kosova do të mund të aplikojë për statusin e shtetit anëtar të BE-së, ani pse ajo ende nuk është njohur nga pesë shtetet anëtare të familjes evropiane.

Samuel Zhbogar tha se janë të përkushtuar për integrimin e Ballkanit në BE. Përfshirë këtu Kosovën, që sipas tij, është në interesin e brendshëm të Bashkimit Europian, që Kosova të vazhdojë të ecë drejt BE-së.

“Kemi negociuar për MSA-në, e kemi përfunduar, e kemi nisur javën e kaluar dhe javën tjetër me 30 prill do ta miratojë MSA-në me Kosovën, do t’ua dërgojë shteteve anëtare për diskutim dhe me këtë sigurisht do të na mundësojë që ta nënshkruajmë para verës. Pra, do të kemi marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Një marrëveshje shumë gjithëpërfshirëse, përcakton edhe dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe mendoj se është, asnjëherë s’e kam përdorur fjalën historik, por mendoj se është shumë më rëndësi për sigurimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Be-së”, tha Zbogar, përcjell KP.

Miratimin, e pastaj nënshkrimin e MSA-së, ministri i integrimeve, Bekim Çollaku e cilëson si zhvillim të jashtëzakonshëm pozitiv.

Fakti se një marrëveshje e tillë nuk do të ratifikohet nga pesë vende anëtare të BE-së, sipas Çollakut nuk e zbehë këtë marrëveshje.

“Fakti që nuk do të ratifikohet nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian, nuk e zbehë në asnjë rrethanë këtë marrëveshje. Sepse, pas traktatit të Lisbonës, Bashkimi Europian e ka hap këtë autoritet që të nënshkruajë marrëveshje bilaterale me shtete dhe më këdo që ata e shohin të rëndësishme. Dhe, pikërisht duke iu falënderuar kësaj baze ligjore që e ka Bashkimi Europian, Kosova do të mund të nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila në tërësi është e njëjtë dhe gjithë substancat dhe marrëveshjet që kanë nënshkruar shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Madje, Çollaku tha se nëse Kosova do të kishte marrëveshje të njëjta me procedura të njëjta, kjo veç do t’ia vështirësonte zhvillimin. Sipas tij, në rrethana të tilla, pesë vendet në fjalë, do t’i thoshin “Jo” këtij zhvillimi të Kosovës.

Ai tha se, Kosova po e kapërcen këtë sfidë dhe po futet në një fazë tjerët, e që është rrugëtimi i pa kthyeshëm për në BE.

Ministri Çollaku tha se plani për zbatimin në MSA-së, do të jetë gati deri në fund të vitit, kur edhe pritet që BE të ratifikojë MSA-në. Ai tha se përkushtimi i Kosovës është që t’i bindin këto pesë vende për ta njohur shtetin e Kosovë,s sepse siç tha ai, është në interes të stabilitetit në rajon por edhe në interes të Be-së.

E Gerald Knaus, themelues dhe udhëheqës i European Stability Iniciative, që ishte njëri nga panelistët e ftuar, shtroi disa propozime për Bashkimin Europian, ndër të tjera duke kërkuar që Kosova të vlerësohet si të gjitha vendet e tjera fqinje.

“Ky është propozimi im i parë: Të vlerësohet Kosova si gjithë të tjerët, si Turqia , si fqinjët. Raporti sivjet duhet të shkruhet kështu, nëse jo, atëherë duhet të protestoni, duhet të thoni kjo nuk është fer. Por do të ishte interesante sepse shkon deri në gjithë procesin e zgjerimit, kemi folur për një vit e gjysmë dhe kam pasë shumë takime në komision me drejtorin gjeneral, se BE duhet të shkojë drejt deminimit në çdo sektor të reformave, një udhërrëfyes siç ka bërë edhe për viza, dhe këto udhërrëfyes për shtetet do të jenë gati të njëjta, që duhet t’i arrijnë kushtet e njëjta dhe mund të vlerësohet çdo vit me raportin e progresit”, tha ai.

Kanus tha se BE ka metodë të shkëlqyeshme për ta matur korrupsionin. Andaj, sipas tij, duhet të futet metodologjia e raportit të BE-së për korrupsion edhe në Kosovë.

Sipas tij, Kosova duhet të aplikojë në Këshill të Europës këtë vit. Siç tha ai, këtë Kosova e bënë për t’u lidhur me mekanizmat europiane, dhe kështu sipas tij, mund të garohet me të drejtë.

Pasi që MSA me Kosovën nuk është e njëjtë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe nuk garanton integrim të Kosovës në BE, nga autorët e analizës “Perspektiva Europiane, Ecje nëpër mjegull”, u shtrua dilema nëse Kosova do të mund të aplikojë për statusin e vendit anëtar të BE-së.

Për këtë, eurodeputetja Ulerike Lunachek, e cila është lidhur në këtë diskutim nga Vjena me anë të internetit ka thënë se për këtë nuk sheh ndonjë pengesë.

“Mendoj që është e qartë dhe kam thënë edhe në Serbi shumë shpesh, se pa njohje edhe nga ana e Serbisë, në fund të rrugës, jam e bindur që shtetet anëtare nuk do ta lejojnë një shtet tjetër në Bashkimin Europian, e cila nuk i ka të qartësuar kufijtë. Sepse e kemi rastin e Qipros. E gjitha kjo nuk do ta ndalonte Kosovën të shkojë, që pas MSA-së, të kandidojë për statusin e kandidatit. Ky është mendimi im”, tha ajo.

Ajo tha se kjo nuk është diçka që ka diskutuar më gjerësisht me shumë njerëz, por duke shikuar nga e kaluara, tha se çështjet formale nuk beson se do të jenë problem.

Ndryshe në studimin e KFOS-it, me autorë Gjeraqina Tuhina e Augustin Palokaj, i cili flet për sfidat e Kosovës drejtë zgjerimit, thuhet se Bashkimi Europian duhet të merret më seriozisht me adresimin e problemeve në rajon dhe t’i bindë ato se perspektiva e anëtarësimit të tyre në BE është reale, por kjo nuk mund të bëhet duhet reduktuar kriteret. E në anën tjetër, sipas këtij studimi, elitat politike në vendet e rajonit, porosinë se nuk mund të hyjnë në BE në 5 vitet e ardhshme, nuk duhet ta kuptojnë si një sinjal se mund të ngadalësojnë procesin e reformave për përmbushjen e kritereve. Ato duhet të sigurojnë që këto 5 vjet, deri në vitin 2020, t’i përgatisin vendet e tyre për anëtarësim në BE, në mandatin e komisionit të ardhshëm i cili do të fillojë në fund të vitit 2019.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...