Krasniqi: Është gabim të thuhet se kanë hequr dorë nga posti që s’iu ka takuar kurrë

8 Nëntor 2014 - 15:50      

Akti i partive të Bllokut për të hequr dorë nga synimi për postin e kryeparlamentarit, nga analistët politikë shihet si një hap drejt zgjidhjes së ngërçit politik. Por, PDK-në ky zhvillim nuk përbën lajm.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se zhvillimi i vetëm është që liderët e partive të Bllokut i kanë thirr mendjes dhe kanë vendosur ta respektojnë Kushtetutën, të cilën është dashur ta respektojnë nga fillimi.

“Është gabim të thuhet se kanë hequr dorë nga posti që s’iu ka takuar kurrë”, ka thënë Krasniqi për Radio Kosovën.

Sidoqoftë, as pas këtij zhvillimi, mbajtja e seancës nuk duket se do të jetë e mundshme pa një marrëveshje. Krasniqi thotë se partitë duhet të ulen të diskutojnë për të gjetur zgjidhje.

“Nuk mund të ketë rrugëdalje nga një situatë e tillë, e cila për fat të keq është krijuar artificialisht nga ana e Bllokut opozitar, pa u takuar dhe pa diskutuar. Dhe këto diskutime duhet të ndodhur, qoftë për të arritur zgjidhje, qoftë për t’u marrë vesh për zgjedhje”, tha Krasniqi.

Por analisti politik, Artan Muhaxhiri, konsideron se tashmë nuk ka arsye të kërkohen zgjedhjet e reja.

“Me veprimin e djeshëm, definitivisht është anuluar mundësia e zgjedhjeve të reja”, tha Muhaxhiri për Radio Kosovën.

Sipas Muhaxhirit, akti Bllokut shënon fillimin e tejkalimit të ngërçit, por assesi përfundimin e tij, ngase siç thotë ai, duhen edhe shumë veprime të tjera prej akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë për formimin e Qeverisë së re.

“Blloku e ka bërë të veten, tash është detyra e zotit Thaçi dhe e PDK-së që të sillen në përputhje me realitetin dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e ngërçit”, tha Muhaxhiri.

Muhaxhiri thotë se tash i takon Bllokut që ta bindë edhe presidenten edhe bashkësinë ndërkombëtare se e ka një shumicë stabile. Por, sipas Muhaxhirit, nëse Blloku nuk mund të garantojë që në një kabinet qeveritar do t’i përfshijë edhe Vetëvendosjen edhe Listën Serbe, atëherë do të jetë e obliguar ta përfshijë edhe PDK-në. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...