EULEX-i fabrikon deklaratat e gazetarit të “Kohës Ditore”

7 Nëntor 2014 - 23:11      

Gazeta “Koha Ditore” proteston kundër fabrikimit që u ka bërë EULEX-i deklaratave të gazetarit Vehbi Kajtazi, në përpjekjen e tij që të arsyetojë suspendimin e prokurores Maria Bamieh dhe të diskreditojë gazetën “Koha Ditore” dhe raportimet e saja për korrupsionin në EULEX.

Gazeta “Koha Ditore” ka marrë vesh, përtej çdo dyshimi, se në raportin hetues për veprimet e prokurores Maria Bamieh, ekipi i brendshëm hetues i EULEX-it ka fabrikuar informata, të cilat përveçse janë të pavërteta, janë edhe përpjekje skajshmërisht të pandershme dhe manipuluese për të diskredituar “Kohën Ditore” dhe raportimet tona.

E kemi informatën e vërtetuar se në raportin e vet (konfidencial), duke u përpjekur të arsyetojë suspendimin e znj. Bamieh nën akuzën se ka nxjerrë në mënyrë të jashtëligjshme informatat dhe dokumentet e EULEX-it dhe ia ka dhënë gazetës, hetuesit e EULEX-it thonë se gazetari i “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi, në takim me zyrtarët e EULEX-it, më 19 tetor, “e ka konfirmuar se Maria Bamieh ia ka dhënë atij këto dokumente”.
Kjo është gënjeshtër!
Ta përsërisim: Kjo është gënjeshtër!
Gazetari Vehbi Kajtazi asnjëherë nuk ka thënë, as para zyrtarëve të EULEX-it e as para kujtdo qoftë, se Maria Bamieh ia ka dhënë ato dokumente.

Gazetari Vehbi Kajtazi vazhdimisht e ka përsëritur se Maria Bamieh nuk është burimi prej të cilit i ka marrë dokumentet. Këtë e kanë thënë edhe ai, edhe kryeredaktori Agron Bajrami në disa prononcime publike të ndryshme për media vendore e botërore.
Gazetari Kajtazi, madje, e ka thënë publikisht, që nga dita e parë e shpërthimit të skandalit me korrupsion në EULEX, se me prokuroren Maria Bamieh është takuar për herë të parë më 27 tetor, ditën kur është botuar shkrimi i parë për korrupsionin në EULEX.

Kjo është e vetmja e vërtetë, dhe të gjitha këto z. Kajtazi ua ka thënë edhe zyrtarëve të EULEX-it, të cilët, tani, pas presioneve dhe kërcënimeve që ia bëjnë gazetarit duke i thënë se “nëse i boton informatat do të të ndjekim penalisht”, krimeve kundër shtypit të lirë ia shtojnë edhe fabrikimin!

Kështu, ata fabrikuan, qëllimshëm, fjalët e z. Kajtazi, për të arsyetuar suspendimin e znj. Bamieh, dhe me këtë fabrikim synojnë diskreditimin e “Kohës Ditore” dhe të gazetarit të saj, për të vetmin shkak se ekspozuam korrupsionin e mundshëm brenda EULEX-it!
Një përpjekje e tillë për fabrikim, përveçse është ofenduese, është edhe vepër penale!

Turp për një mision që i thotë vetes mision për sundim të ligjit! Turp për një mision që vetes i thotë evropian! Dhe do të duhej të ishte jashtëzakonisht brengosëse edhe për përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, z. Samuel Zhbogar, e edhe për Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian, nën autoritetin politik të të cilit vepron e gjithë prania e BE-së në Kosovë, e edhe për Komandën e Operacioneve Civile të BE-së, që është përgjegjëse direkte për punën e EULEX-it, e edhe për të gjitha shtetet anëtare të BE-së, të cilat e kanë mandatuar EULEX-in si mision për sundim të ligjit në Kosovë!

Për këtë, ne i kundërshtojmë ashpër veprimet e tilla të EULEX-it me një porosi shumë të qartë: Çfarëdo që do të bëni apo përpiqeni të bëni, nuk do t'ia dilni ta fshihni të vërtetën.
Sepse ne ende punojmë!

Redaksia

© KOHA.net

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...