Al Nahyan porositë shqiptarët që mos të luftojnë në Siri

13 Mars 2014 - 17:22      

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, ka dënuar rekrutimin e të rinjve për të luftuar në Siri, dhe thekson se duhet një angazhim që rinia të mos bjerë pre e këtij fenomeni.

“Nxitja e një fenomeni të tillë është krejtësisht e gabuar. Vetë populli sirian kërkon që luftëtarët e huaj të dalin nga territori i Sirisë. Është më se e nevojshme që të parandalohet fenomeni i dërgimit të personave për të luftuar në Siri, dhe të angazhohemi të gjithë së bashku që rinia të mos bjerë pre. Duhet ta luftojmë nga ana ideologjike këtë fenomen”, ka thënë ministri Al Nahyan.

Këto deklarata ai i bëri përgjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, transmeton shekulli.

Lidhur me këtë çështje ministri Bushati tha se qeveria shqiptare është e vendosur për të luftuar terrorizmin, si dhe vlerësoi operacionin e organizuar nga Policia e Shtetit për kapjen e personave që rekrutonin të rinj për t’i dërguar që të merrnin pjesë në luftën në Siri.

“Ne diskutuam sot edhe për këto fenomene dhe për një politikë sa më izoluese ndaj shteteve të caktuara, apo ndaj segmenteve periferike të botës, të cilat nxisin terrorizmin. Qeveria shqiptare ka dëshmuar një vullnet të qartë politik për ta luftuar këtë fenomen. Fakti që kjo celulë është zbuluar tregon për shkallën e lartë të zbulimit nga Policia e Shtetit, dhe këtë e shoh si provë të suksesit dhe të forcës sonë goditëse ndaj kësaj veprimtarie jashtëzakonisht të dëmshme, që nuk mund të parandalohet apo goditet vetëm nëpërmjet mekanizmave ligjorë, por duhet të goditet në të gjitha frontet”, ka thënë ministri i Jashtëm, Bushati.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...